Fondacioni Anna Lindh (ALF) ka prezantuar disa propozime kyç për zhvillimin e mëtutjeshëm të Agjendës së saj të re për Bashkëpunimin Mesdhetar dhe EuroMedhetar në përfundimin e Maratonës Virtuale për Dialogun në Rajonin Euromed, i cili u zhvillua nga 19 maji deri më 29 qershor.
Propozimet përfshinin investimin te të rinjtë, arsimin në rrafshin e mjedisit, investimin në arsim, përdorimin e vetëdijshëm të mediave sociale dhe luftimin e stereotipave gjinorë dhe kulturorë, si dhe investimin në politikat ndërkulturore në nivel lokal.
“Rekomandimet janë bërë pas konsultimeve të gjera dhe mund të shndërrohen përnjëmend në mjete të veprimit”, ka thënë Eleonora Insalaco, drejtoreshë në ALF për operacione dhe kërkime ndërkulturore, gjatë debatit online “Roli kryesor i partneritetit në dialogun ndërkulturor”, të mbajtur më 29 qershor, në kuadër të dialogut të 7-të dhe të fundit publik të maratonës.
Rekomandimi i parë “që ka rezultuar nga të gjitha bisedimet tona është ai i investimit në rini, që do të thotë përfshirjen e djemve dhe vajzave të reja në të gjitha veprimet dhe proceset e vendimmarrjes në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar”, ka thënë Insalaco.
Tema e dytë që është theksuar veçanërisht në maratonë është “përqendrimi në mjedis”, dhe lidhur me këtë, rekomandimi i ALF-së është që “të punohet në programe arsimore që mund ta rrisin mirëkuptimin dhe respektin për mjedisin, teksa në nivelin politik, të punohet në një 'Marrëveshje të Gjelbër' për Mesdheun”, ka thënë ajo.
Prioriteti i tretë është ai i “investimit në arsim” dhe “në shkrim-lexim të mediave sociale”, duke kuptuar mbi të gjitha se “cilat janë të gjitha mjetet më të përshtatshme për promovimin e komunikimit ndërkulturor".
Rekomandimi i katërt i ALF-së ka të bëjë me “luftën kundër stereotipave kulturorë dhe gjinorë”.
Insalaco ka thënë se është me rëndësi që të kihet një “qasje sistematike” dhe “të punohet në arsimim e media për t’i thyer imazhet stereotipike që ekzistojnë rreth grave”.
Më në fund, “për të promovuar bashkëpunim më të afërt EuroMediterrananosocial dhe kulturor, është me rëndësi që të investohet gjithashtu në politikat ndërkulturore në nivel lokal, me qytetin si laborator i ndërveprimit ndërkulturor”, ka thënë Insalaco.
Artikull i sponsorizuar.