“Vlerësoj që lufta në Ukrainë, pra invazioni rus në Ukrainë në njëfarë forme ka ndikuar edhe në destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajimin e elementeve të caktuara si brenda strukturave shtetërore të Serbisë, por edhe elementeve të tjera që gjenden në rajon për të zhvilluar aktivitete të stabilitetit dhe për të minuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo është manifestuar haptazi më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup paramilitarësh i armatosur dhe i uniformuar mbështetur nga strukturat e sigurisë së Republikës së Serbisë ka tentuar një kapje terreni, një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë”, është shprehur Maqedonci
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë të enjten se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është duke e neglizhuar përmbylljen e dialogut Kosovë–Serbi, pasi që po e pret rezultatin e luftës në Ukrainë.
Ai ka thënë se rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Vuçiqi është duke e pritur në mënyrë që të vlerësojë situatën, e cila do të ishte e favorshme për shtetin e Serbisë.
“Vlerësojmë që presidenti Vuçiq, politika aktuale në Serbi janë duke neglizhuar çështjen e përmbylljes së dialogut, të marrëveshjes me qëllim që të presin rezultatin e luftës në Ukrainë, rezultatin për të marrë anë, që ata vlerësojnë që është e mirë për ta”, ka deklaruar Maqedonci, tek ka folur në Samitin e Ballkanit për dezinformim.
Ai ka thënë se mjedisi global i sigurisë ka ndryshuar, pasi që invazioni rus në Ukrainë është manifestuar edhe me incidentet dhe luftimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme, por edhe me rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë veriun e Kosovës.
“Vlerësoj që lufta në Ukrainë, pra invazioni rus në Ukrainë në njëfarë forme ka ndikuar edhe në destabilizimin rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajimin e elementeve të caktuara si brenda strukturave shtetërore të Serbisë, por edhe elementeve të tjera që gjenden në rajon për të zhvilluar aktivitete të stabilitetit dhe për të minuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo është manifestuar haptazi më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup paramilitarësh i armatosur dhe i uniformuar mbështetur nga strukturat e sigurisë së Republikës së Serbisë ka tentuar një kapje tereni, një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë”, është shprehur Maqedonci.
Ai ka thënë se grupet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë dhe se kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë.
“Kjo është bërë edhe me influencën që shërbimi sekret rus ka në shoqërinë serbe, por edhe në institucionet e Republikës së Serbisë...Kemi evidencat që këto grupe bazuar në faktet që janë gjetur kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë, kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë, si dhe dyshojmë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish mund të jenë të trajnuar dhe të përgatitur nga kjo qendër”, është shprehur ai.
Maqedonci ka theksuar se ekziston një plan gjithëpërfshirës i tranzicionit që parasheh krijimin e kapacitetit të mbrojtjes, i cili është duke u ndërtuar që nga viti 2019 dhe që do të kulmojë në fazën e tretë, që do të fillojë nga viti 2025 deri në vitin 2028, kur Forca e Sigurisë (FSK) do të mbështetet edhe me elemente të tjera të nevojshme ushtarake.
Maqedonci ka theksuar po ashtu se është duke u punuar në ndërtimin e një qendre trajnuese kombëtare për sigurinë kibernetike, e cila do të inaugurohet më 26 mars. Ai ka shtuar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë mekanizma për t’u përballur në anën e dezinformimit.
“Në këtë aspekt, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë të Kosovës ka mekanizmat e saj për t’u përballur, gjithçka fillon me një analizë që bëhet në sistemin tonë, më saktësisht në proceset tona të vendimmarrjes gjithmonë faza e parë është analiza që nënkupton që nga ajo analizë të nxjerrim konkludimet, dhe të ndahen supozimet prej fakteve, por edhe të ndahet pjesa e dezinformimit që është një metodë e theksuar kohëve të fundit”, ka deklaruar Maqedonci.
Në këtë samit, veç tjerash, është diskutuar për dezinformimin, luftën në Ukrainë, Inteligjencën Artificiale (AI), mediat, si dhe influencën e Kinës në Lindje të Mesme.