Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se do të vazhdojnë me ndërtimin e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe në bashkëpunim me aleatët, prej të cilëve tha se në dy vitet e fundit kanë rritur blerjet ushtarake.
Maqedonci në konferencën e parë për media që nga marrja e detyrës së ministrit, ka thënë se në gjysmë mandatin e tij do të vazhdojë në katër objektivat e vendosura nga Qeveria, dy që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes dhe dy të tjera me zhvillimin e FSK-së.
“Ne kemi validuar një regjiment gjatë këtij viti dhe do të vazhdojmë validimin e dy regjimenteve të tjera të këmbësorisë dhe roli i Ministrisë së Mbrojtjes në këtë aspekt do të jetë krucial për mbështetjen e FSK-së për zhvillimin e kapaciteteve. Kapacitetet e reja do të ndërtohen në përputhje me standardet e NATO-s, në bashkëpunim me aleatët dhe do të jenë kapacitete të cilat do të vihen në dispozicion të të vendit tonë për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit, si dhe në dispozicion të aleatëve tanë me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe paqes globale”, tha ai.
Sipas tij, tjetër objektiv që lidhet me forcën është ruajtja e kapaciteteve aktuale. Ai shtoi se nga viti 2021 deri në vitin 2023, ka një rritje të 120 përqid për FSK-në dhe kanë premtim nga kryeministri Albin Kurti për rritjen e buxhetit.
Maqedonci tha se po vazhdojnë rekrutimin në vazhdimësi dhe si rrjedhojë janë 612 rekrutë që po trajnohen dhe 380 pjesëtarë të forcës rezervë, që do t’i bashkëngjiten radhëve të FSK-së
Edhe
Maqedonci: FSK-ja po zhvillohet në forcë me standarde të NATO-s
“Blerjet ushtarake që i kemi realizuar në mënyrë shumë të intensifikuar këto dy vitet e fundit, e kemi trajnimin e personelit dhe gjithashtu doktrina. Të tri këto komponentë janë duke u realizuar në përputhje me standardet e NATO-s. Pra blerjet ushtarake, ne blejmë nga vendet e NATO-s. Blejmë kur është në pyetje çështja e armatimit dhe sistemit të armatimit shtet me shtet, gjithmonë duke respektuar aspektin e konfidencialitetit në raport me vendet të cilat bëjmë blerje, trajnojmë dhe edukojmë stafin tonë në përputhje me standardet e NATO-s. Në shkollat më të mira që ka NATO, si dhe i edukojmë në vendin tonë në akademitë dhe shkollat tona që i kemi të ndërtuara ndër vite në përputhje me standardet e NATOS-s dhe me ndihmën e oficerëve të NATO-s që i kemi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK. “, ka thënë ai.
Ish-oficeri i FSK-së, tani ministër i Mbrojtjes, tha se do të vazhdojnë me investimet në të gjitha kazermat e FSK-së, por fokus do të jetë edhe bashkëpunimi me institucionet tjera vendore e ndërkombëtare.
“Fokus i yni, qëllimi i ynë është integrimi në NATO. Kjo do të jetë rrugë që jo gjithmonë do të jetë rrugë që jo gjithmonë varet prej kapaciteteve dhe përgatitjeve tona, anëtarësimi në NATO varet edhe prej shumë faktorëve të tjerë, ndër të tjera është edhe faktori i njohjes, pra kemi ende vende që janë mos njohëse që janë brenda NATO-së dhe të cilat vazhdojnë të hezitojnë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm. Duhet të kemi parasysh që NATO është pikë së pari aleancë politike. Në aspektin ushtarak, FSK ka plotësuar dhe do të vazhdojë të plotësojë të gjitha standardet që një vend i NATO-s i ka për të qenë një forcë operacionale, e ndërveprushme dhe e gatshme për të bashkëvepruar me vendet e NATO-së në mbështetje të paqes dhe stabilitetit kudo në botë“, ka thënë ai.
Ai është pyetur edhe për marrëveshjen e nënshkruar dje në mes Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për marrëveshjen e informacionit të klasifikuar, ku tha se për disa muaj me radhë, ekipet e Kosovës dhe SHBA-së kanë punuar për draftin e kësaj marrëveshje të rëndësishme.
Edhe
Maqedonci: Kemi ushtri që ia bën të vështirë çdokujt që synon të na kërcënojë
“Është ndër marrëveshjet më të rëndësishme që vendi ynë dhe vendet që janë partnere në mes vete e nënshkruajnë e që lidhet me zotimin për ruajtjen e informacionit të klasifikuar kur kemi jo vetëm shkëmbim të informatave, por edhe blerjen të ndryshe, të sistemeve të ndryshme të armatimit, ku ka të dhëna konfidenciale që mund të ketë një shtet, pra është kruciale që të mundësojë vazhdimin e bashkëpunimit dhe rritjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve. Do të hap shumë rrugë, pikë së pari do të kemi shkëmbim të informacionit që është i rëndësishëm kur kemi të bëjmë me rreziqet hibride, sulmeve kibernetike dhe rreziqeve tjera“, ka thënë ai.
Ai tha se “Defender Europe '23”, në aspektin operacional, të gjitha aktivitetet kishin përfunduar në atë kohë dhe nuk janë penalizuar në aspektin operacional. Sipas tij, në vjeshtë do të marrin pjesë edhe në konferencat për “Defender Europe 25”. / KP