Arbëri

MAPL-ja ia kthen Pejës dy vendime për prona publike

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ia ka kthyer Komunës së Pejës në fund të qershorit dy vendime të miratuara në Kuvendin komunal, njëra në prill e tjetra në muajin maj të këtij viti.

Vendimi i miratuar në Kuvendin Komunal me 31 maj ka të bëjë me miratimin e propozimit të kryetarit të komunës për këmbim të pronës së paluajtshme komunale me prona private për realizmin e planit rregullues urban “Qendra-Kapeshnica dhe Puhovci”, konkretisht ndërtimin e shtegut të ecjes buzë Lumëbardhit, e i cili vendim ishte parashtruar për shqyrtim në MAPL më 2 qershor. Ministria ka vlerësuar se ai është sjellë në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

“Kjo pronë komunale në bazë të certifikatës së pronësisë është në masë barrë tatimore, e derisa kjo pronë është në masë barrë tatimore nuk mund të zhvillohen procedura për këmbim të pronave”, thuhet në vendimin e MAPL-së.

Ministria ka kërkuar nga Komuna që ky vendim të harmonizohet me dispozitat ligjore në fuqi.

Ndërsa vendimi tjetër i kthyer mbrapa nga MAPL-ja, ka të bëjë me vendimin e sjellë nga Kuvendi Komunal më 30 prill mbi miratimin e propozimit të kryetarit të Komunës për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale për parkingje publike me procedurë të negocimit të ofertës. Vendimi i është parashtruar për shqyrtim MAPL-së në muajin maj.

MAPL-ja ka konstatuar se ky akt i Komunës është gjithashtu në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, si dhe me rregulloren për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronave të paluajtshme të Komunës, në të cilën rregullore, siç shkruan në vendimin e Ministrisë, Komuna duhet të publikojë listën e përgjithshme të pronave të saj të paluajtshme, si dhe listën e veçantë të pronave që planifikohen për dhënie në shfrytëzim në vitin vijues deri në fund të vitit, duke sqaruar edhe interesin publik dhe të zhvillimit ekonomik.

Sipas këtij vendimi të Ministrisë, pronat e paluajtshme të Komunës që nuk gjinden në listën e veçantë dhe nuk kanë miratim paraprak nga Kuvendi Komunal, nuk mund të jepen në shfrytëzim. Për këtë arsye Ministria ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që ta rishqyrtojë këtë vendim.

Këto dy vendime të kthyera nga Ministria për këmbim pronash dhe dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, si vendime të pabaza që i ka marrë Kuvendi Komunal bazuar në propozimet e ekzekutivit të Komunës, sipas këshilltarit të subjektit opozitar AAK në Kuvendin Komunal, Nazmi Krasniqi, nuk janë të parat që nuk miratohen nga ministria dhe kthehen mbrapa.

“Edhe në të kaluarën ka ndodhur që këso vendimesh të kthehen për rishqyrtim, sepse nuk kanë pas bazë ligjore. Ka pas raste të këmbimit të pronës komunale me prona private që ka qenë në hipotekë. Dhe kjo ndodh se Komuna nuk i ka respektuar procedurat si është dashtë. Komuna e bën një marrëveshje për këmbim të një prone e nuk e heton paraprakisht gjendjen e asaj prone, a është në hipotekë, a në përmbarim apo diçka tjetër. Kështu ndodh kur Komuna nuk e vërteton pronën private kur do me e këmby”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, këto raste po ndodhin për shkak të lëshimeve dhe neglizhencës së Ekzekutivit sa për të kryer punë.

“Ekzekutivi, me dashje apo pa dashje, apo edhe me mosdije, po e sjell Kuvendin Komunal në një pozicion të keq e madje edhe në lajthitje vetëm me i miratua ato propozime që i sjell kryetari i Komunës dhe Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husaj, ka pranuar se edhe në të kaluarën ka ndodhur disa herë që të kthehen këso vendimesh që kanë të bëjnë me këmbim të pronave apo dhënie në shfrytëzim të pronës komunale. Por ai ka mohuar se Ekzekutivi me propozimet që sjell për miratim, po e vë në lajthitje Kuvendin.

“Ne si anëtarë të Kuvendit nuk e dimë se cilat dokumente i duhen shtesë një vendimin që duhet marrë. Por në bazë të dokumentacionit që na vjen prej Ekzekutivit, i aprovojmë. Mirëpo kur Ministria pastaj i analizon ligjet të cilat kanë të bëjnë me atë çështje, ndodh ndonjëherë që duhet edhe ndonjë dokument shtesë që të argumentohet kërkesa. Si në këtë rast tash që na është kthyer. Nëse Kuvendit i sillet dokumenti nga Ekzekutivi se prona është liruar nga barra tatimore, ne ja dërgojmë Ministrisë dhe Ministra e aprovon. E nëse nuk na sillet ky dokument, atëherë Kuvendi e pezullon atë miratim për këmbim të pronave në këtë rast”, ka thënë Husaj.

E duke pas parasysh se jo rrallë herë po ju kthehen mbrapa nga ministria vendimet e Kuvendit në çështje të ngjashme, Husaj ka thënë se gjithnjë ka kërkuar nga kryetari i Komunës dhe drejtori për Çështje Pronësore -Juridike, që propozimet që sillen për miratim në Kuvend të jenë të mbështetura me gjithë dokumentacionin.

Lidhur me këto vendime të kthyera mbrapa nga MAPL-ja, KOHA ka tentuar të kontaktojë edhe drejtorin për Çështje Pronësore-Juridike, Arianit Krasniqi, por ai nuk ishte i qasshëm.