Arbëri

Maloku: Pse erdhi Palmer dhe cili është misioni amerikan në Ballkan

Për sociologun Fadil Maloku, i gjithë lidershipi i kaluar kosovar, duke mos përjashtuar edhe këtë në ikje, ashiqare është parë që ka vuajtur nga ksenomania.

“Të udhëhequr nga ky ‘virtyt’, ata gjatë dy dekadave të kaluara, e sidomos pas vitit 2008 e kanë keqkuptuar rolin që e kishin në gjithë procesin e ndërtimit të kapaciteteve shtetërore, të Kosovës. Në fakt, lidershipat e pasluftës me aktin se u sollën tejet inferior dhe vetëm brenda rrethit vicioz të kontestimeve të brendshme, na e dëshmuan se ata asnjëherë nuk e kanë pas prioritet interesin e shtetit dhe qytetarëve të saj. Por, interesat e tyre meskine; personale, klanore, grupore e partiake”, ka thënë Maloku, në një prononcim të tij dërguar në adresë të portalit Koha.net.

“Tani, eskadrila amerikane Palmer & Gelner (si sponzoruese dhe arkitekte e mbikëqyrjes së procesit të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor), duhet të (ri)dëshmojë nëse Kosova e Shqipëria do mbeten edhe më tej pika neuralgjike e angazhimit të saj në Ballkan. Dhe a dëshiron kjo Administratë, që ca procese vitale për interesat amerikane t’i realizojë përmes ‘komandantëve dhe institucionalistëve’, apo frymës së re (që tashmë po identifikohet edhe nga ndërkombëtarë europian) me Albin Kurtin, është çështje e vlerësimit të dy (Palmer&Geller) ‘bulduzherëve’ kompetentë. Sepse, perspektiva e shtetndërtimit të Kosovës, dhe sidomos procesit të rikonfigurimit të Ballkanit Perëndimor, shkaku i sigurisë dhe stabilitetit po shihet që është në një proces krize e stanjacioni”, ka thënë Maloku, duke shtuar se këtë krizë dhe stanjacion e stimulojnë padyshim edhe ngecja e dialogut Kosovë - Serbi, së bashku me divergjencat dhe interesat gjermano-anglezo-franceze, kundruall atyre ruso-kineze.

Por, sipas Malokut, këtë nxitim dhe rikthim të vëmendjes amerikane duhet parë edhe si pasojë të vendimit të BE-së për (mos-hapjen e negociatave) mosdhënien e sinjaleve të qarta për anëtarësim Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Si përgjigje ndaj kësaj situate, nuk është e rastësishme as ‘shatll diplomacia’ e Palmerit në Shkup, ku i mblodhi ambasadorët e vendeve të rajonit, për të ua shpalosur perspektivën amerikane dhe indiferencën evropiane. Në Prishtinë për dallim nga Shkupi, Palmer para studentëve foli më shumë për kërcënimet ruse, për ‘blerjen’ e besnikërisë kineze, për sigurinë rajonale, për konkurrencën për primat në rajon nga ana e fuqive globale, por jo edhe aq ato kontinentale”, ka thënë Maloku. “Duke folur kështu, me gjuhën e sofistikuar ai më shumë dërgoj sinjale (sidomos duke u prononcuar për raportet Kosovë - Serbi) eufemiste, se sa që shpalosi decidivisht interesat amerikane në rajon e kontinent, ku Amerikën si ish-lidere globale, e presin konkurrencë e ashpër; ekonomike, ushtarake, sociale, politike, e kulturore me Kinën dhe Rusinë”.