Komuna e Malishevës dhe ajo e Mamushës janë komunat e radhës përfituese të aplikimit të masave të efiçiencës së energjisë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës.
Në Komunën e Malishevës janë përfunduar dy projekte për efiçiencë energjetike në ndërtesën e komunës së Malishevës dhe në shkollën e mesme "Hamdi Berisha" në vlerë mbi 400 mijë euro.
Ndërkaq, 3 projekte të tjera me panele solare janë realizuar në Mamushë në vlerë mbi 45 mijë eurosh në ndërtesën administrative komunale, në shkollën "Anadolu" dhe në shkollën e mesme "Ataturk".
Disa nga masat që përfshihen në këto projekte janë, izolimi termik i jashtëm me lesh guri, ndërrimi i dritareve dhe dyerve me ato efikase nga alumini, kaldaja e re për ngrohje qendrore me pelet ose pompe termike, ndriçim LED dhe komponentë të tjerë.
Zëvendësshefi i Bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Prishtinë, Alessandro Bianciardi, deklaroi se janë të lumtur që po financojnë projekte që ndihmojnë në trancizionin e Kosovës drejt energjisë së gjelbër.
“Tani BE-ja ka ofruar një paketë të rëndësishme prej 75 milionë eurosh për të ndihmuar sërish Kosovën në futjen e masave për efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme, veçanërisht në objektet rezidenciale, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë edhe me ndërtesat publike, por edhe me ndërtesat e banimit, të përpiqemi të përmirësojmë performancën e tyre të efiçiencës së energjisë dhe të përdorim gjithnjë e më shumë energji të rinovueshme", tha Bianciardi.
Të lumtur që përfituan nga ky fond ishin dy kryetari i Malishevës dhe ai i Mamushës.
Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati tha se përmes këtij fondi u mundësohet qytetarëve një jetë më e mirë dhe më cilësore. Ai tha se nga kjo masë Komuna e Malishevës ka përfituar mbi 400 mijë euro.
"Përmes këtij fondi ne ju mundësojmë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të kenë një jetë më të mirë, përkatësisht edhe nxënësit dhe mësimdhënësit, sepse përmes këtij projekti ne edhe kursejmë energjinë, mirëpo edhe rrisim cilësinë e jetës dhe punës nëpër këto objekte ku veçse zhvillojmë aktivitete", tha Kastrati.
Kryetari i Mamushës, Abylhadi Krasniqi, tha se frytet e projekteve të mbështetura nga Bashkimi Evropian vetëm janë duke i shijuar për shkak se pjesa më e madhe e energjisë që shërben për administratën komunale prodhohet prej paneleve solare.
"Në Komunën e Mamushës prej solareve për momentin e kemi prodhimin e rrymës deri 86 për qind e konsumimit të objekteve komunale. Por, shpresojmë që projekte të tillë do të ketë Kosova më shumë dhe shpresojmë që nuk do të kemi nevojë të bëjmë një termocentral të ri për prodhim të energjisë së ripërtërishme", tha Krasniqi.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku përsëriti angazhimin e Qeverisë së Kosovës për energji të gjelbër duke thënë se synojnë që projekte të ngjashme të aplikohen dhe në ndërtesa të tjera private.
"Shpresojmë që brenda vitit 2031 do t'i arrijmë caqet që është një transformim i sektorit dhe investime në kapacitete të reja 1600 MGW energji të ripërtrishme. Por, që çfarëdo transformimi nuk jep rezultatin e duhur pa kursimin e energjisë dhe pa efiçencën, pra të bëjmë punë sa më shumë me më pak energji, me më pak mund, ky është synimi", tha Mjeku.
Ndërsa drejtori Menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismaili, tha se do të vazhdojnë edhe me tej me këto masa edhe në komuna të tjera në vend.
"Ne do të vazhdojmë edhe me projekte tjera në përputhje me strategjinë e energjisë që së fundmi është miratuar në Kuvend, me një plan tonin dhe mbështetje që kemi ne do të vazhdojmë edhe me tutje me këto masa. Po ashtu, komuna e Malishevës gjithashtu është një prej komunave që do të përfitojë në vazhdimësi", tha Ismaili.
Sipas IPA 2017, BE-ja ka ndarë 10 milionë euro për Fondin e Mirëbesimit të menaxhuar nga Banka Botërore me qëllim të mbështetjes së operacioneve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (KEEF) në infrastrukturën publike komunale duke përfshirë ndërtesat publike dhe ndriçimin publik.
Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milionë euro/vit.
Në kuadër të “Pakos për Mbështetje të Energjisë” të financuar nga BE-ja prej 75 milionë euro si përgjigje ndaj krizës energjetike, Fondi i Kosovës për efiçencën e energjisë do të zbatojë 20 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit.
BE-ja kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031) në veçanti në fushën e eficiences se energjisë dhe energjisë së rinovueshme / KP