Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mali i Zi rrezikon një tjetër dështim për një gjyq krimesh lufte në Kosovë

Pas një sërë lirimesh të sikletshme nga akuzat, Mali i zi po nis një tjetër gjyq krimesh lufte me të meta, me prokurorë që rrezikojnë përsëri të dështojnë për shkak të dëshirës për të arritur rezultate që do t’i bëjnë qejfin BE-së, transmeton Shekulli një raport të ‘Drejtësia Tranzicionale në Ballkan’.

Ndërsa Mali i Zi mundohet përgjatë rrugës së tij drejt pranimit në BE, një nga kushtet që duhet të përmbushë ai është që të trajtojë të kaluarën e tij të trazuar të viteve 1990 dhe t’i ndëshkojë ata që janë fajtorë për krime lufte. Prokurorët e Malit të Zi deri më tani nuk kanë arritur t’i trajtojnë si duhet krimet më të ashpra të luftës, të cilat përfshijnë një masakër të civilëve shqiptarë të Kosovës në duart e Ushtrisë Jugosllave në Kalugjerski Laz, spastrimin etnik të boshnjakëve në zonën kufitare të Bukovicës dhe dëbimet e refugjatëve boshnjakë (dhe masakrimin e tyre të mëvonshëm nga forcat serbe të Bosnjës). Gjykatat malazeze i kanë liruar nga akuzat të gjithë të pandehurit në këto çështje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tani Zyra e Prokurorit Special të Shtetit po nis një tjetër çështje që mund të shkaktojë më shumë siklet për vendin, këtë herë një që është transferuar nga Serbia. Të martën në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, nacionalisti malazez Vlado Zmajeviç do të dalë në gjyq për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë. Sipas prokurorit special të Malit të Zi, Zmajeviq është fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatin Zhegër në komunën e Gjilanit në Kosovë më 30 mars 1999. Prokurori pohon në padi se atë ditë “në kohën e konfliktit të armatosur midis të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe trupave të Ushtrisë Jugosllave”, vullnetari i Ushtrisë Jugosllave Zmajeviq shkeli Konventat e Gjenevës duke vrarë civilë të cilët nuk po merrnin pjesë në konflikt dhe plaçkiti pronën e tyre. Në mënyrë domethënëse për çështjen, ajo citon se ai ishte “në gjendje të shëndetshme mendore dhe i vetëdijshëm për veprimet e tij”. Prokurori gjithashtu përshkruan detaje të ndryshme të mizorive dhe paraqet rrëfimin e Zmajeviqit ku pohon përgjegjësinë për krimet para një gjykate ushtarake në Prishtinë dhe më vonë mohimin e tij për kryerjen e këtyre krimeve pas arrestimit të tij në Mal të Zi.

Prokurori i referohet dokumenteve të Gjykatës së Hagës në lidhje me zhvarrosjet e trupave në fshat dhe përfundon se “nga deklaratat e dëshmitarëve dhe të Agjencisë Serbe të Sigurisë së Mbrojtjes, rezulton se në kohën kritike kishte një konflikt të armatosur midis një organizate të armatosur ushtarake, të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe trupave të Ushtrisë Jugosllave dhe se Zmajeviq ishte një këmbësor i Ushtrisë Jugosllave”. Por ky “zbulim” nga prokurori për konfliktin e armatosur në Zhegër kundërshtohet nga askush tjetër përveçse nga vetë Gjykata e Hagës. Në vendimin e saj përfundimtar në çështjen kundër gjeneralëve Vladimir Lazareviq, Nebojsha Pavkoviq dhe Sretan Lukiq në vitin 2014, dhoma e apelit e Gjykatës së Hagës arriti në përfundimin se nuk kishte dëshmi për ndonjë aktivitet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshat. “Dhoma gjykon se Ushtria Jugosllave dhe forcat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, si edhe forca të tjera të parregullta, i dëbuan shqiptarët e Kosovës nga fshati duke përdorur kërcënime, rrahje dhe vrasje, duke krijuar një klimë frike,” thuhej në vendim. Ajo përcaktoi gjithashtu se shtëpitë në Zhegër “u plaçkitën dhe dogjën nga UJ, e përforcuar nga civilë të armatosur dhe forca të tjera të parregullta”.

Çrregullim personaliteti

Çështja e Zmajeviqit është e mbushur me vështirësi të tjera. Kur ai dhe gjashtë rezervistë të tjerë të Ushtrisë Jugosllave u arrestuan më 1 prill 1999, ata dyshoheshin se ishin përgjegjës për vdekjet e shtatë nga 13 civilëve që forcat serbe vranë në Zhegër. Zmajeviq dhe të tjerë fillimisht u arrestuan për plaçkitje dhe mosbindje, pasi komanda e Ushtrisë Jugosllave nuk qe në gjendje t’i frenonte ata, siç citohet në shumë raporte të brendshme që tani janë në dispozicion të publikut. Pak kohë më pas, prokurori ushtarak në Prishtinë ngriti akuza vetëm kundër Zmajeviqit dhe një gjykatë ushtarake e dërgoi atë në Spitalin Ushtarak të Nishit më 5 qershor 1999 për vëzhgimin psikiatrik, ndërsa të tjerët u liruan.

Raportet e spitalit e përshkruajnë Zmajeviqin, i cili kishte luftuar gjithashtu në Vukovar të Kroacisë në vitin 1993 dhe kishte dënime për tentativë për vrasje dhe zhvatje, si “të tensionuar emocionalisht dhe se vuan nga ankthi”. Raporti përfundon se gjendja e tij mendore në kohën e veprës penale ishte “tepër e rënduar” dhe se ai ka një “çrregullim personaliteti/karakter psikopatik”. Zmajeviq më pas mori trajtim psikiatrik deri në vitin 2006. E gjithë kjo nuk pati rëndësi për prokurorin malazez i cili, i etur për “rezultate”, i shpërfilli këto raporte dhe e cilësoi Zmajeviqin si “një njeri me mendje të shëndoshë dhe i ndërgjegjshëm për veprimet e tij” në kohën e krimeve të supozuara. Prokurori gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e avokatit mbrojtës për një ekzaminim psikiatrik shtesë – një përjashtim unik, pasi deri më tani çdo i pandehur për krime lufte në ish-Jugosllavi i është dashur t’i nënshtrohet analizave të tilla.

Prokuroria Speciale e Malit të Zi megjithatë vendosi ta padisë Zmajeviqin për vdekjet e katër civilëve në vend të shtatë për të cilët ai u akuzua kur u arrestua në gusht 2016. Edhe këta katër mbështeten në prova të dobëta. Dëshmitari kyç, Damir Noviq, i cili ishte gjithashtu midis burrave të arrestuar fillimisht bashkë me Zmajeviqin për plaçkitje, ka një histori sëmundjeje mendore. Dëshmia e Noviqit që akuzon Zmajeviqin për vrasjen e tre anëtarëve të familjes Haziri bie tërësisht në kundërshtim me raportin e autopsisë së departamentit të mjekësisë ligjore në Gjilan dhe bie gjithashtu në kundërshtim me dëshminë e dhënë nga një anëtar i familjes Haziri i cili i mbijetoi vrasjes së prindërve të tij. Një tjetër dëshmitar i prokurorisë është një ish-oficeri i Ushtrisë Jugosllave, i cili thotë se ai qe dëshmitar kur Zmajeviqi vrau një bari shqiptar, edhe pse asnjë nga trupat e tjera që ishin aty nuk e kanë konfirmuar atë që ai tha se pa dhe dëshmia e tij ndryshon nga provat e dhëna nga djali i viktimës. Një nga të vetmet gjëra për të cilën të gjithë ish-ushtarët e Ushtrisë Jugosllave të cilët tani janë dëshmitarë kundër Zmajeviqit bien dakord është se ai sillej si një njeri me probleme psikologjike dhe psikopatike gjatë kohës që shërbente në ushtri. Dëshmitarët gjithashtu bien dakord që oficerët komandues të Ushtrisë Jugosllave i udhëzuan atë të mos bënin dallime midis civilëve shqiptarë të Kosovës dhe “terroristëve” të UÇK-së, pasi ata ishin të gjithë njësoj.

Dosje që mungojnë

Një tjetër problem me çështjen është se Serbia nuk arriti t’i dërgonte prokurorit special të Malit të Zi rezultatin e provës së parafinës për mbetje baruti dhe raporte të tjera ekspertësh për të vërtetuar se Zmajeviqi ishte ai që vrau fshatarët. Shpjegimi jozyrtar është se dosjet janë zhdukur, por prokurori special i Malit të Zi vendosi të vazhdonte gjithsesi me çështjen. Njerëzit që u vranë ishin kryesisht fshatarë të shquar në Zhegër, ndër ta edhe një lider lokal i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës. Fshatarët pohojnë se vrasjet ishin të qëllimshme dhe të planifikuara mirë nga policia serbe dhe udhëheqësit e Partisë Socialiste në pushtet, të përkrahur nga serbët lokalë. Akuzat u ngritën në Prokurorinë e Gjilanit në vitin 2005 kundër një numri serbësh që dyshohet se planifikuan dhe organizuan zhvatjen, plaçkitjen, vrasjen dhe dëbimin e shumicës shqiptare etnike në fshat, që kishin njerëz të pasur në Zvicër dhe në këtë mënyrë ishin të mundur të paguanin shpërblim të konsiderueshëm dhe të paguanin para për mbrojtje në polici dhe në bashkinë e qytetit.

Megjithatë, në akuzat e dërguara prokurorëve të Gjilanit Vlado Zmajeviq nuk përmendej. Sistemi gjyqësor në Serbi ka heshtur për këto akuza. Në Gjykatën e Hagës, gjeneralët Lukiq, Lazareviq dhe Pavkoviq secili pretenduan merita për arrestimin e Zmajeviqit dhe të dyshuarve të tjerë dhe për dënimin e tyre të shpejtë. Në fakt, Zmajeviqi madje nuk u gjykua kurrë në Serbi, ndërsa gjashtë të tjerët u liruan në heshtje nga akuzat me dyer të mbyllura. Shumë besojnë se prokurorët serbë tani janë të lumtur që me këtë çështje të rrëmujshme po merren kolegët e tyre malazezë, me mungesën e provave për të dhe janë të kënaqur me faktin se ndjekja penale e Zmajeviqit është larguar nga Beogradi. Sepse, në fund, Serbia nuk do të mbajë mbi shpatulla asnjë faj për dështimin e një tjetër rasti krimesh lufte në Mal të Zi.