Arbëri

Mal Berisha: Sot pas 20 vitesh demokracia në Kosovë është e brishtë

20 vite më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mos heshtin ndaj gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Vendimi i Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë nga ajri përmes NATO-s nuk ishte i lehtë, përveç liderëve të Kosovës në atë vendimmarrje ndikuan edhe intelektualët shqiptarë në SHBA. Një prej tyre, Mal Berisha tregon punën e vështirë për të bindur amerikanët për situatën që po kalonte Kosova.

Mal Berisha: Ne na duhej të punonim shumë me ata amerikanët që kishin forcë vendimmarrëse. Deri në një farë kohë nuk ka patuar mirëkuptim të duhur, deri në atë shkallë sa SHBA të merrnin një veprim.

24 Marsin e sheh me rëndësi jo vetëm për shqiptarët e Kosovës.

Mal Berisha: Dita e sotme shënon një transformim të historisë së Shqipërisë jo thjeshtë që u çlirua Kosova. Ajo ishte një moment që tregonte se vendet demokratike të botës së udhëhequra nga SHBA e kanë një pikë durimi, e cila nuk tejkalohet.

Mal Berisha ka kontribuar edhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, duke u bashkuar në vitin 2000 me misionin e Kombeve të Bashkuara. Panorama e trishtë që ndeshi atje, i është fiksuar në kujtesë me detaje.

Mal Berisha: Kishte shtëpia të tëra të rrënuara, njerëz që po ktheheshin me familje të humbura, njerëz të vrarë, gra të dëmtuara nga lufta. Ishte një tmerr i vërtetë.

Dy dekada më pas, Berisha thotë se demokracia në Kosovë mbetet ende e brishtë.

Mal Berisha: Një demokraci me një jetë 20 vjeçare do ketë atë brishtësinë e vet, ku interesa të vogla, grupe politike mund ta devijojnë rrugën. Po të bësh një bilanc sot është e pakrahasueshme me atë që ka qenë para 20 vjetëve.

Mal Berisha thekson se Kosova gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve, ndërsa shprehet optimist se e ardhmja në shtetin më të ri të Evropës do të jetë më e mirë./Ora News.