Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Makovcit e Llukarit u rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm

Prishtinë, 18 maj – KRU ”Prishtina” sh.a. përmes një njoftimi për media bën të ditur se të gjithë konsumatorëve të fshatit Makovc dhe Llukar gjatë ditës së sotme do t’u rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujit do ta sanojnë dëmtimin e gypit dhe rregullimin e valvulës, pavarësisht që ka qenë përgjegjësi e vetë konsumatorëve që të merren me rregullimin e kësaj gjendje, shton njoftimi.

KRU,,Prishtina” thotë se këtë po e bën për hir të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Konsumatorët e fshatit Makovc dhe Llukar janë ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm qe afër dy muaj, jo për shkak të shkyçjes nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit për shkak të mospagesës së shërbimeve, por për shkak të dëmtimit të valvulës dhe gypit kryesor.

Dëmtimi është shkaktuar nga persona të pandërgjegjshëm, ku si pasojë ka pasur rrjedhje të konsiderueshme të ujit të pijshëm, me ç’rast kemi qenë të detyruar të ndërpresim furnizimin me ujë për konsumatorët e fshatrave në fjalë.