Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet dhe se nuk ka asnjë argumentim që ajo të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur.
“Në asnjë argumentim nuk mund të gjendet, një kauzë e mirëfilltë për parandalimin e hapjes së urës, flasim për lëvizjen e lirë dhe domosdoshmërinë e normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovës, ura ka mbetur sinonim i bllokadës dhe si sinonim i një kuazindarjeje që është pretenduar të bëhet shumë vjet më parë”, ka thënë ajo të hënën në një konferencë të përbashkët për media me deputetin e pushtetit Adnan Rrustemi, ku kanë folur për punën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror.
Sipas saj të gjitha rreziqet që kanë asociuar me mbylljen e urës tashmë janë eliminuar.
“Është e pakuptimtë që secili qytetar i Republikës, pavarësisht nacionalitetit mund të shkojë me targa të Kosovës i papenguar deri në kufirin më verior të Kosovës, por nuk mund të kalojë me automjet përmes urës në Mitrovicë, që ndan një qytet të dikurshëm e dy qytetet të tanishme”, është shprehur Kusari-Lila.
LVV: Konsultimet për datën e zgjedhjeve do të vazhdojnë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se konsultimet për datën e zgjedhjeve do të vazhdojnë.
Në konferencën e përbashkët me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ku kanë folur për përmbylljen e sesionin pranveror të Kuvendit, Rrustemi ka thënë se kryeministri, Albin Kurti, nuk ka qenë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve pasi që ka pasur një takim të paracaktuar.
“Konsultimet do të vazhdojnë sepse ka afat ende në këtë drejtim, kam qenë për një kohë të gjatë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, presidentja ka më shumë se një muaj në dispozicion për t’i zhvilluar konsultimet deri në caktimin e datave të zgjedhjeve e cila natyrisht nuk duhet të jetë më vonë se katër muaj, para se datës së caktuar e cila mund të jetë natyrisht me katër datat e paralajmëruar tashmë”, është shprehur Rrustemi.
Derisa ka folur për projektligjet e miratuara, ai ka thënë se kjo legjislaturë ka thyer rekord në miratimin e projektligjeve në raport me legjislaturat e kaluara.
Ndërkohë Kusari-Lila, ka deklaruar se në sesionin pranveror Kuvendi i ka mbajtur 26 seanca, ka miratuar 36 projektligje, 20 prej tyre marrëveshje ndërkombëtare.