Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dorëzuar sot pozitën Rega Aliut për 24 orët e ardhshme, së bashku me stafin e zgjedhur të saj, Olti Suliqi, kryesues i Kuvendit te Komunës, Ledi Sylejmani, nënkryetar, Kanina Mehmeti zëvendëskryesuese dhe Rona Aliu, shefe e kabinetit, si simbolikë e respektimit të të drejtave të fëmijëve.
“Është traditë e punës në zyrën ku unë kam ushtruar detyrën. Për sot është zgjedhur Rega që ta ushtroj detyrën e kryetares se Gjilanit. Uroj që sot të keni një ditë të lehtë të punës, por jashtëzakonisht të ngjeshur me aktivitete. Mësimi, përkushtimi për punë dhe familje është obligim për të gjithë ata që duan të jenë të suksesshëm edhe në jetë. Një ditë me të vërtet dikush nga ju mund të jetë kryetar i Gjilanit, dikush mjek e të tjerët edhe në profesione të ndryshme. Kudo që të jeni tregojeni veten me përkushtim, me mature dhe punë të vazhdueshme”, ka thënë kryetari Haziri në ceremoninë dorëzimit të detyrës.
“Besoj që kjo simbolikë e ushtrimit të detyrës, i përgatitë qytetarët tanë për sensibilizimin e të drejtave të fëmijëve për shkollë, për jetë të barabartë dhe përfaqësim sa më dinjitoz. Fëmijët janë gjithçka për ne, mbi të gjitha ne duhet të investojmë në kujdes, edukim dhe në punësimin e tyre në të ardhmen”, tha Haziri.
Në kuadër të kësaj simbolike, kryetarja e Komunës për 24 orë ka nxjerrë vendim të rëndësishëm për mbështetjen të matematicientëve të Gjilanit për pjesëmarrje në olimpiadën ndërkombëtare që mbahet në Rumani.
Ndërkohë, gjatë ditës, kryetarja dhe ekipi i saj do t’i takojë fëmijët e çerdhes në lagjen “Dardania”, do të vizitojnë Drejtorinë Komunale të Arsimit, do të mbajnë debat në ora 13:20 (tek Biblioteka e Qytetit), për të përfunduar angazhimin e ditës me mbledhjen e Kuvendit, në ora 15:00, në sallën e Kuvendit Komunal.
Lutfi Haziri ditë më parë bëri skandal kur pohoi të ketë pranuar një mirënjohje nga Donald Trump.
KTV-ja zbuloi se kjo mirënjohje kushton nga 6 deri në 10 dollarë dhe ndahet ekskluzivisht për shtetas amerikanë dhe është mostër e njëjtë për të gjithë që vërtetojnë se kanë kryer punë vullnetare për komunitetin.
Zyra e Hazirit ka thënë se nuk ka koment për këtë, sepse vetëm e ka pranuar mirënjohjen që ia ndau Ambasadori i Nderit i Kosovës, Otto F. Von Feigenblatt.
Doktor Otto F. Von Feigenblatt, siç ka dëshirë ta thërrasë veten, është një mashtrim dhe veprimtaria e tij po hetohet në SHBA.
KohaVisioni ka mësuar nga burime të afërta me këto zhvillime se Zyra e Këshillit për Siguri Nacionale ka njoftuar Ambasadën e Kosovës në Washington se personi në fjalë është mashtrues.
Aty, Këshilli ka njoftuar autoritetet kosovare se ‘Shtëpia e Bardhë nuk i miraton këto çmime që ky person është duke i shpërndarë në mbarë botën dhe po e heton këtë çështje’.
Televizioni gjithashtu merr vesh se Ambasada kosovare në Washington e ka alarmuar Zyrën e Presidentit, e cila ia ka dhënë titullin ambasador nderi Otto Von Feigenblattit në mars të këtij viti.