Arbëri

Miftari kërkon më shumë histori kombëtare në libra: Nxënësve të klasës VI s’u duhen luftërat e Kinës

Izet Miftari

Historiani Izet Miftari ka thënë se librat shkollorë të historisë duhet të rishikohen. Sipas tij, në 75 për qind të librave të historisë në shkollat e Kosovës mësohet për historinë botërore dhe vetëm 25 për qind për atë vendore.

“Tekstet kanë nevojë për një rishikim. E para që ka një handikap, në shumicën e teksteve, në 75 për qind janë histori botërore e 25 për qind e teksteve janë histori kombëtare. E kuptueshme që duhet të mësojmë civilizim romak, grek e antik, por duhet pasur kujdes që në këto tekste të mësohet të paktën 50 për qind historia kombëtare e 50 për qind ajo botërore. Pa dashur ta neglizhojë historinë e Kinës, një nxënësi të klasës së gjashtë nuk i duhet historia e Kinës antike, ndoshta muri kinez, por jo lufta në Kinë”, ka thënë ai në “Konfront”.

Ai ka shtuar se edhe për luftën e Kosovës duhet të ketë një botim zyrtar nga Instituti i Historisë apo Akademia e Shkencave dhe mbi të të ketë libra të historisë për nxënësit.

Ai ka thënë se në libra ka mospërputhje të statistikave për luftën në Kosovë dhe këto mund të shtojnë dyshimet te historianët e huaj.


Dragidella: Në familjen time, tre breza janë shpërngulur shkaku i serbëve

Studenti Rron Dragidella ka deklaruar se në familjen e tij, tre breza janë shpërngulur shkaku i serbëve.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Dragidella ka thënë se luftën e fundit në Kosovë sot e sheh si vazhdimësi të një konflikti serbo-shqiptar.

“Sot në këtë moshë e shoh luftën si vazhdimësi, si pjesë e një kornize më të madhe të një konflikti serbo-shqiptar, për shkak se kujtimet nuk kufizohen vetëm në luftën e fundit, ato shkojnë edhe përtej saj. Në familjen time prindërit e mi llogariten si brezi i tretë që kanë përjetuar shpërngulje si rrjedhojë e këtij cikli të dhunës ndërbrezor”, ka thënë ai. 

Dragidella ka shtuar se në bazë të rrëfimeve që ka dëgjuar në familje, ato kanë ndikuar në krijim e tij si person.

“Kam dëgjuar storje se si stërgjyshi im me përfundimit e Lidhjes së Prizrenit, kur janë shpërngulur familjet shqiptare prej Sanxhakut të Nishit është detyruar prej atyre trojeve të vijë në Kosovë për të jetuar. Pastaj më vonë i kam dëgjuar përjetimet e gjyshit tim se si atij i është dashur për shkak të marrëveshjes turko-jugosllave për dëbimin e shqiptarëve në Turqi, ai është detyruar një pjesë të jetës së tij ta kalojë në Turqi, derisa më vonë ilegalisht është kthyer përsëri në ish-Jugosllavi. Dhe në fund e kam rastin e prindërve të mi që po ashtu janë detyruar të shpërngulen nga Prizreni dhe të strehohen si refugjatë në Kukës deri në mbarim të luftës. Këto storje i kam dëgjuar prej fëmijërisë, në rastin tim personal kjo ka ndikuar në krijimin tim si person”, ka thënë ai.


Zhubi: Edhe pse gjeneratë e pasluftës, lufta na ndjek si hije

Studenti Ideal Zhubi ka thënë se ndonëse gjenerata e tij është gjeneratë e pasluftës, lufta është “hije që i ndjekë në çdo hap”. 

“Trashëgimia e luftës është shumë e rëndësishme. Është hije që na ndjek në çdo hap, secilin hap që ne e bëjmë edhe si gjenerata të pasluftës që jemi”, tha Zhubi në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka treguar se babai i tij ka qenë i burgosur politik, i burgosur i luftës dhe i ka mbijetuar masakrës së Dubravës. 

“Vetë brenda kuadrit familjar jam njoftuar me luftën, pasi që idhullin tim, modelin tim, e kisha gjithmonë para meje. Ndoshta më shumë rreth luftës kam mësuar prej rrëfimeve të të tjerëve, për masakrën e Dubravës në rastin konkret, sesa që kam mësuar nga prindi im. Pasi gjithë ajo torturë, pasojat psikologjike, ia kanë bërë të vështirë babait t’i komunikojë, transmetojë përjetimet e tij që i kishte atë kohë”, ka thënë Zhubi. 

Zhubi ka thënë se ajo çfarë ka dëgjuar gjenerata e tij për luftën është “narrativa mbizotëruese ‘ne dhe ata’”. 

“Ne që ishim, e vërteta, viktimat e luftës, dhe ata që ishin agresorët. Ne që ishim të shtypurit dhe ata që ishin shtypësit. E kështu me radhë. Është ky raporti i dyanshëm që ka ndikuar edhe në formësimin tonë si gjenerata të pasluftës”, tha Zhubi. 


Lupçi: Nuk e kam përjetuar luftën, por jam rritur me të

Studenti Adriatik Lupçi, i cili është lindur dhe rritur pas luftës, në emisionin “Konfront” në KTV në temën se “Si e kemi shkruar historinë për luftën tonë?” ka thënë që burimi kryesor për mësime për luftën janë rrëfimet e familjes.

“Edhe pse s’jam rritur e lindur në luftë e s’e kam përjetuar luftën, jam rritur me të, në kuptimin që krejt rrëfimet që i kam pas rreth meje, prej se kam qenë fëmijë e deri jam rritë, jo veç rrëfimet, por edhe sendet më të thjeshta, përmendoret, emrat e rrugëve e shkollave lidhen me luftën. Për shumicën e njerëzve besoj se burimi i parë janë rrëfimet e familjes e më pas në arsim e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se njerëzit e botës e shohin luftën larg si në kohë apo edhe vend, por sipas tij, të rinjtë në Kosovë, edhe pse të lindur pas luftës, e kanë përjetuar këtë edhe nëpërmjet gjërave më banale, qoftë edhe si batutat për t’i qetësuar fëmijët.

Lupçi ka vlerësuar se të rinjtë më shumë luftën e shohin si diçka të lavdishme se si dhimbje.