As Ligji për shërbyesit civilë dhe as Rregullorja për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk janë respektuar nga Qeveria e Kosovës gjatë emërimit të Lulzim Ejupit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vërejtje ndaj këtij vendimi i kanë shprehur edhe disa nga ministrat e qeverisë Mustafa, shkruan sot Koha Ditore.
Emërimi i Ejupit është bërë të mërkurën, një javë pasi sekretari Driton Gashi kaloi në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Deri para emërimit, Ejupi ka punuar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil në MPB.
Vendimin e Qeverisë për emërimin e sekretarit të ri të MPB-së, shoqëria civile e ka cilësuar të kundërligjshëm. I ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që të kërkojë llogari nga ministria rreth këtij procesi. Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme kanë paralajmëruar thirrjen e një mbledhjeje të veçantë për të kërkuar sqarime për këtë vendim.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i ka propozuar Qeverisë, të mërkurën, që të emërojë për sekretar Lulzim Ejupin, me arsyetimin se kjo pozitë ka mbetur bosh qe një javë.
Para votimit, ky propozim u kundërshtua nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, si dhe nga ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi. Ata kërkuan që fillimisht të hapet konkursi e pastaj të emërohet Ejupi.
(Shkrimin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore)
-
Qeveria emëron sekretarin e përgjithshëm të MPB-së pa konkurs, MAP-i e arsyeton
-
MPJ-ja me u.d. të sekretarit, të cilin e kishte kundërshtuar partia që tani qeveris
-
Pezullohet procedura për zgjedhjen e Sekretarit të MPJD-së, nuk tregohen arsyet
-
OJQ-të akuzojnë Qeverinë për shkelje ligjore në përzgjedhjen e anëtarit të Nismës për Sekretar të MTI-së
-
Rifaj: Ministri Abrashi kundërligjshëm emëroi këshilltarin e tij drejtor në Agjencinë e Punësimit