Jo vetëm buqeta lulesh janë vendosur të hënën pranë shtatores se heroit të kombit, Shkëlzen Haradinaj dhe obeliksit me emrat e gdhendur të dëshmorëve të komunës së Pejës, që dhanë jetën për lirin e popullit dhe pavarësinë e vendit.
Në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, një grup i të rinjve, me një aksion simbolik ka vendosur edhe valixhe dhe në to dhe mbi ato edhe diplomat e fakultetit që kanë kryer, me qëllim që edhe heronjve tu tregohet, se pavarësisht se po kryejnë fakultete, rinia çdo ditë po ikën nga Kosova, nga vendi për të cilin ata kanë sakrifikuar jetën, raporton Koha Ditore.
Me këtë aksion, të rinjtë përçuan mesazhin klasës politike, se ata që 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë nuk menduan për ndërtimin e vendit, por menduan se si ta shpërngulin rininë nga Kosova.
“Neve të rinjve, pa dallime politike, na ka bashkuar një problem i madh shqetësues në të cilën ndodhet rinia e Pejës dhe gjithë Kosovës, që është ikja masive jashtë vendit. Këtë aksion simbolik kemi zgjedh ta zhvillojmë mu bash para përmendores së Shkëlzenit dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë për liri, me u tregua se çka po ndodh në vendin tonë, sepse ai dhe dëshmorët tjerë kanë rënë për lirinë e vendit tonë që ne me jetua në këtë vend, kurse partitë politike kanë luftuar dhe po luftojnë që ne të ikim jashtë vendit”, thotë Ardit Gërvalla, student i nivelit master në Fakultetin Juridik në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë.
Ai është njëri prej organizatorëve të këtij aktiviteti, i cili po mbahet si një lloj proteste ndaj politikave të qeverive të deritashme, që janë duke e zbrazur Pejën dhe Kosovës nga rina.
Gërvalla mendon se kjo ikje e të rinjve jashtë nuk është rastësi, dhe ai është i bindur se ka ndonjë skenar që po zbatohet që rinia të ikë jashtë.
“Unë mendojë që është një plan afatgjatë që rinia të ik nga vendi, sepse rinia ka ditë të bëjë revolucione. Kurse këta në politikë pikërisht ja kanë pas frikën rinisë, të cilës me veprimet e tyre ja kanë humbur idealin dhe e kanë demotivuar. Neve si të rinj nuk na ka humbur as ideali sepse na e kanë humbur shpresën, na kanë demotivuar dhe mendojë që nuk është bërë rastësisht por është bërë qëllimisht. Ikja nga Kosova ka ndodhur historikisht por për motive të ndryshme të okupimit represioneve të shtetit të kaluar... e sot rinia po ik se nuk ka kurrfarë perspektive në këtë vend. Kryen fakultete qe me marr diplomën me veti jashtë. Vendosja e valixheve me diploma buzë shtatores është simbolikë e gjithë kësaj që po ndodh. Ne rinia sot nuk kemi gjet arsye të festojmë sepse nuk mendojë qe kemi arsye të festojmë”, thotë Gervalla.
i tregon se pothuajse çdo i dyti i ri në vendin tonë është duke pritur vizë me ik jashtë dhe ky fakt, siç thotë ai, për qeverinë nuk duhet të jetë shqetësuese, por alarmante.
“Ne kemi parë një komoditet te qeveritë e deritashme në Kosovë, të cilat nuk e kanë pas shumë hallin për rinin se a po e lëshojnë a jo vendin. Kemi parë fëmijë të politikanëve tonë që jetojnë një luks të lart e të tepruar. E ne lindim e rritemi këtu për të ikur jashtë. Kjo ndodh vetëm në Kosovë. Ne si rini jemi të shqetësuar për shkak se edhe 12 vjet pas pavarësisë, neve të rinjve ikja nga Kosova na ka mbetur e vetmja zgjidhje”, thotë Gërvalla.
Njëjtë si Gërvalla, edhe i riu tjetër, Besfort Spahijaj, studentë në nivelin mastar për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, shprehë zhgënjimin e tij në qeveritë dhe klasën politikë të Kosovës, të cilat, sipas tij, e kanë demotivuar rininë me premtime të rrejshme, derisa anën tjetër, siç shton Spahijaj, kanë punësuar gjithkah njerëz mbi baza partiake dhe nepotizmi.
“Kurse edhe investimet në Kosovë kanë munguar për shkak të politikave të dobëta të qeverive të kaluara. Mendoj që gjithë kjo ka ndikuar që rinia si shpëtim po e sheh ikjen nga vendi”, thotë Spahijaj.
Shpëtim për ikjen nga vendi e sheh edhe i riu Zekë Krasniqi, i cili duke parë që tjerët s’po mundin të bëjnë asgjë as me diploma fakulteti, ai ka vendosur ta braktisë fakultetit dhe gjithashtu të ik jashtë.
“Kushtet e vështira ekonomike, papunësi e madhe, sistemi e politikat jo të mira ne vend, pamundësia me gjet veten edhe me diplomë fakulteti... nuk shoh ndonjë perspektivë këtu, prandaj e kam ndërprerë fakultetin dhe kam aplikuar për vizë për të ikur jashtë”, e sheh Krasniqi shpresën vetëm jashtë.
Se diplomat e fakulteteve nuk po bëjnë punë për punësim në vend, tregojnë edhe të dhënat e Qendrës për Aftësimeve Profesionale në Pejë, në të cilën nga viti në vit vazhdimisht është duke u rritur numri i të rinjve me diploma fakulteti që duan të mësojnë ndonjërin prej 11 profesioneve që ofron kjo qendër dhe pastaj të ikin jashtë me certifikatën për zanatin e kryer, e cila njihet edhe nga Bashkësia Evropiane.
Sipas të dhënave të kësaj qendre, vitin 2018 janë certifikuar mbi 850 të rinj, kurse vjet rreth një mijë të rinj tjerë kanë kryer kurset në këtë qendrën tonë, prej të cilëve rreth 30 për qind e tyre, siç ka thënë drejtori i kësaj qendre, Rexhë Gashi janë të rinj me fakultete të kryera.
Duke parë që as diploma nuk po ndihmon të gjesh veten në këtë vend, të rinjtë pjesëmarrës në këtë protestë simbolike për tua hapur sytë klasës politike në Kosovë, i dërguan mesazh edhe qeverisë së re dhe kryeministrit Albin Kurti, që në këtë mandat të punojnë për rinin dhe tu japin një motiv dhe shpresë që të mos ikin jashtë.
“Ne jemi ngop me premtime të qeverive të kaluara për 200 e 300 mijë vende të punës. Por kësaj radhe duam ta shohim në praktikë që të kemi arsye për të qëndruar këtu dhe pse duhet të mos ikim jashtë. Prandaj, inkurajojmë qeverinë që ta ketë prioritet mbi prioritete çështjen e rinisë, se kjo është qenësore për vendit. Të gjitha tjerat nuk e kanë peshën e rëndësisë si rina. Për këtë arsye edhe e kemi zgjedh ditën e pavarësisë për këtë aktivitet që kryeministrit të ja dërgojmë një porosi që të reflektojë sa më shpejtë me mekanizma që do të mundësojnë investimet e ndryshme nga jashtë për hapjen e vendeve të reja të punës. Por njëkohësisht edhe të ndalë korrupsionin se pastaj edhe investitorët do të vijnë. Se korrupsioni ka qenë shkaktar pse nuk ka pas investime të jashtëm ne Kosovë. Nëse kjo qeveri i ndal korrupsionin, punësimet mbi baza partiake, nepotizmin... dhe nuk vazhdon me avazin e qeverive te kaluara, atëherë edhe investitorët do të vijnë dhe rina nuk ik jashtë”, ishin një zëri të rinjtë e studentë pjesëmarrës në këtë aksion simbolik ku shprehën brengat dhe shqetësimet për të ardhmen e tyre.
Ikjet jashtë vendit janë të prekshme në çdo lagje dhe fshat të komunës së Pejës, në të cilat së paku 30 për qind e banorëve kanë emigruar, e në disa vendbanime madje kanë mbetur më pak se gjysma e banorëve dhe kryesisht pleq. Shumica e atyre që po emigrojnë jashtë janë të rinj, të cilët edhe krijojnë radhë para ambasadave perëndimore për një vizë.
Këto radhë t’i kujtojnë nga pak edhe radhët e eksodit të shqiptarëve të diktuara nga forcat serbe. Vetëm që kësaj radhe s’janë forcat serb, por kushtet e vështira të jetesës të krijuara nga politikat e qeverive tona lokale e qendrore vitet e pasluftës. Emigrimi i popullatës pejane dëshmohet edhe nga kërkesat e shumta në ofiqari për të nxjerrë certifikatën e gjendjes familjare, e cila më kërkesën e ambasadave të shteteve të huaja, duhet bashkangjitur dokumentacionit të nevojshëm aplikues për viza.
Gjatë vitit 2019 në këtë ofiqari janë lëshuar 12 mijë e 119 certifikata e gjendjes familjare. “Pas certifikatës së lindjes kjo është certifikata më e kërkuar nga qytetarët, shumica prej të cilëve i marrin për nevoja të vizave”, thotë shefi i Ofiqarisë në Pejë, Shefqet Thaqi.
{gallery}