Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lugu i mullinjve të shuar

Lugu buzë burimit të lumit në Istog deri para disa dekadash ka qenë lokacioni më i frekuentuar në qytetin e Istogut, edhe në një periudhë kur Istogu ishte vetëm një vendbanim pak më i madh se një fshat.

Vizitorët e shumtë nga vendbanimet e shumta, jo vetëm të Komunës së Istogut, por edhe të komunave tjera përreth dhe të banorëve të vendbanimeve andej kufirit, nuk ishin turistë të zakonshëm që shkonin të shijonin bukurinë e burimit të lumit, që shpërthen në rrëzë të bjeshkës, por cak i “vizitave” ishin mullinjtë e shumtë që gjendeshin të renditur përgjatë dy anëve të kanaleve të ujit në atë lug. Ata shkonin të siguronin bukën e familjes për një vit, në një kohë kur njerëzit mbijetonin dhe në dyqane mielli ishte vetëm për parelinjtë.

Rruga që çonte deri te mullinjtë është dhjetëra metra larg qendrës së sotme të Istogut. Nëse lëshon shikimin prej qendrës në drejtim të atij lugu, nuk i jep syrit një herë ndonjë shenjë të kuptojë se atje ishin deri para gjysmë shekulli mbi 10 mullinj që bluanin ditë e natë drithërat që i sillnin njerëzit nga të katër anët. Kur i afrohesh asaj rruge, vetëm tabela e emërtimit të rrugës, “Mullinjtë e Istogut”, të flet se dikur në atë rrugë janë dëgjuar vetëm zhurmat e gurëve që fërkoheshin njëri me tjetrin për të nxjerrë jashtë pluhurin e bardhë të bukës, shkruan Koha Ditore.

Kur hyn në atë rrugë dhe nis e lëshohesh pjerrinës së rrugës teposhtë, që dikur e kishin në dorë balta dhe gurët, të shfaqen shtëpitë e reja të ndërtuara nga të dyja anët buzë asfaltit, i cili të shoqëron deri në pjesën tjetër të lugut. Megjithëse ka dekada që në atë lug nuk dëgjohen më gurët e mullirit, megjithatë gjurmët e tyre janë ende gjallë. Në disa pjesë bien në sy gërmadhat e mullinjve, gurë grumbull në një vend që kanë zënë njëritjetrin. Në sy bien edhe mure që kanë mbetur ende në këmbë dhe ndër ato hapjet gjysmë harku për daljet e ujit, që kanë kaluar nga ana e epërme përmes mullirit.

Këto hapje ndër mulli, mullisët i kanë quajtur “syna”. Ato mure të përmbysura e gjysmë të përmbysura, rrënoja gurësh të gdhendur me dorë, mbajnë gjallë një të kaluar të Istogut, e cila është ende e prekshme dhe e pashme. Istogasit i mbajnë kujtimet e mullinjve në muret e shtëpive dhe muret e oborreve.

Edhe “Kosovari” i gurëve të mullirit me pronar Isa Boletinin Shtojca për Kulturë 5 muaj më parë “Kosovari” i gurëve të mullirit me pronar Isa Boletinin

Në mure të disa shtëpive të ndërtuara buzë kanaleve të mullinjve janë të murosur edhe ndonjë gur i mullinjve, sikurse edhe në muret e oborreve të ngritura me gurët e mureve të mullinjve, që të mbajnë në jetë kujtimet për mullinjtë. E as gurët e mullinjve që kanë bluar drithërat nuk janë zhdukur të gjithë.

Ndërtuesi Agron Nimanaj, që ka blerë disa prona në kodrinën e njërës anë të lugut, ku kanë qenë gjashtë mullinj, nuk i ka humbur gurët, kur ka ndërtuar objektin shumëbanesor në atë lokacion. Ai i ka marrë gurët e mullinjve rrënoja dhe buzë ndërtesës shumëkatëshe ka ngritur një muri rrethues me gurët e mullinjve dhe në të ka murosur gjashtë gurët e mullinjve që kanë bluar drithërat.

“Kur e kam ble tokën këtu vetëm gurët kanë dhënë të kuptosh se aty ka pasë mullinj, këtu ku kanë qenë edhe kanalet që kanë sjellë ujin deri te mulliri. Unë i kam marrë dhe kam ndërtuar këto mure me gurët e mullinjve që të ruhet kujtimi që këtu në këtë lokalitet ka pasë mullinj dhe ka qenë zonë e njohur në Istog për mullinj”, tregon Nimanaj arsyen pse nuk i ka humbur gurët e mullinjve. Pak metra larg ndërtesës, ndonëse i mbuluar me shkurre, gjendet ende edhe kanali i vjetër që ka sjellë ujin te mullinjtë në atë pjesë.

Përjetësimi i mullinjve në tabelën e rrugës

Edhe pse kanë kaluar mbi 40 vjet, qëkur është mbyllur mulliri i fundit i Istogut në lug ndër burim, ende kujtohen dhe përflitet për ta, e sidomos nga ata që i kanë pasur vetë mullinjtë në lug.

Edhe pse në moshë, Shaban Sadikaj, 85- vjeçar, emocionohet kur flet për mullirin e tij të trashëguar nga babai Osmani dhe gjyshi Shabani. Muret e mullirit të tij ende janë në këmbë, edhe pse kulmi ka kohë që është zhdukur dhe muri i atij mulliri i ngjan më tepër një muri të ndonjë ure të vjetër mbi përroskë. Shtëpia e tij gjendet në anën tjetër të lagjes dhe i duhet të ecë disa qindra metra rreth e rrotull që të shkojë deri te muret e mullirit të tij dhe nga ura afër ta vështrojë me mallëngjim.

Megjithatë ai nuk përton gati çdo ditë t’i pushojë sytë dhe t’i ngjallë kujtimet e kohës së zhurmës së mullinjve dhe kallaballëkut të njerëzve nëpër mullinj. “Këtu me krejt ata mullinj që ishin ka qenë mrekulli. Njëri pas tjetri në rend buzë ujit. Ka qenë kënaqësi me i pa. Sot nuk mundesh me paramendua atë panoramë që të shfaqej para syve me gjithë ata mullinj e me gjithë ata njerëz që ishin kësaj rruge e para mullinjve. Ishte kënaqësi...”, i kujton me mall Sadikaj ato kohëra jo të largëta të mullinjve të Istogut.

Edhe Mulliri i Nikës mbi lumin Nerodime ende bluan misrin SOT 5 muaj më parë Mulliri i Nikës mbi lumin Nerodime ende bluan misrin

Atij nuk i kujtohet saktësisht sa mullinj kanë qenë atë kohë, por i kujtohen sa gurë kanë bluar drithëra të bukës. “Kanë qenë me siguri mbi dhjetë mullinj, por e di që gjithsej kanë qenë 40 gurë që kanë bluar. Disa mullinj i kanë pasë nga dy, disa tre e disa katër gurë”, tregon ai për numrin e gurëve që kanë bluar.

Edhe pse kanë qenë 40 gurë, ai e kujton se punë kishte pasur edhe për më shumë gurë pasi, sipas tij, ka pasur shumë punë e nuk e harron se gjithë ajo punë u ka sjellë edhe shumë fitim pronarëve të mullinjve. “Ka qenë fitimi im i madh atë kohë kur kanë punuar mullinjtë. Ka pasë shumë punë, se njerëzit kanë qenë përpara më të varfër dhe e kanë siguruar bukën nga mbjelljet e drithërave. E jo si tash që e blejnë të gatshëm millin në dyqan. Atë kohë nuk e kanë pasë njerëzit këtë luks”, e kujton ai punën që kanë pasur me mullinj. Për gjithë ata mullinj, siç tregon ai, ujë ka pasur me bollëk, derisa nuk është shterur uji në kanalet e mullinjve nga shteti.

“Ujë ka pasë boll, mullinjtë e mirë... por kur nisi të pakësohet uji nisi të bie edhe puna, mbetën të gjithë mullinjtë e zbrazët dhe nisen të mbylleshin mullinjtë. Uji nuk është shterrë prej vetes, por e kanë futur në gypa për ujësjellës dhe janë shterrë kanalet e hapura që sjellin ujin deri te gurët e mullirit. Kjo ka ndodhë para më tepër se 40 vjetësh dhe që atëherë kanë pushuar mullinjtë në këtë vend”, tregon Sadikaj arsyen pse nuk ka mbetur më asnjë mulli ndër burimin e Istogut. E pasi janë shuar mullinjtë, ai ka kërkuar burim tjetër për bukë. Atë burimin e ka gjetur edhe në riparimin e këpucëve, por jo menjëherë pasi janë mbyllur mullinjtë. “Pasi janë mbyllur mullinjtë kam hyrë në punë në ish- Fabrikën e Tekstilit në Istog. Aty kam qenë mjeshtër i makinave, derisa na ka nxjerrë pushteti serb nga puna në fillim të viteve ’90. Pastaj kam nis zanatin e këpucëtarit në nga viti 1992 dhe e punoj ende sot”, tregon Sadikaj për punën që kryen në dyqanin e tij të vogël para shtëpie, e i cili gjendet buzë një kanali, që dikur ka sjellë ujë edhe për mullinj.

Aq i vjetër në moshë e me aq përvojë me mullinjtë sikur Shaban Sadikaj nuk ka 53- vjeçari Ibrahim Bytyqi. Kjo edhe i bën të dallojnë kujtimet në kohën e mullinjve në Istog. Edhe pse atë kohë ka qenë fëmijë, Bytyqit megjithatë i kujtohet mirë kur punonte mulliri i babës dhe gjyshit të tij dhe infrastruktura e atëhershme e mullinjve që ishte.

“Në këtë pjesë këndej rruge kanë qenë dy kanale. Përgjatë tij, në këtë pjesë afër nesh, kanë qenë gjashtë mullinj. Në këtë pjesë kanë qenë dy kanale të hapura të ujit dhe mullinjtë kanë qenë në dy drejtime. Në njërin drejtim kanë qenë mulliri jonë dhe tre mullinj tjerë, kurse në pjesën e sipërme kanë qenë edhe tre mullinj tjerë. Ata kanë qenë si minifabrika të miellit atë kohë. Kanë funksionuar gjatë tërë kohës. Më kujtohet se edhe vetë kam qenë aktiv aty”, e kujton Bytyqi derisa me dorë tregon kah kanë qenë ata mullinj. E si i ri atë kohë ai ka qenë edhe më tepër i angazhuar që t’ua sillte bukën punëtorëve në mulli, që përgatitej në shtëpi. Në atë lagje të mullinjve gurët e tyre janë rrotulluar deri në vitin 1976, kur, siç tregon Bytyqi, është mbyllur edhe mulliri i fundit në lugun ndër burim.

“Mulliri ynë dhe një tjetër kanë qenë mullinjtë e fundit që kanë punuar në këtë lagje të mullinjve. Më kujtohet se kanë punuar deri atë vit, se atë vit kemi bërë një rinovim në mulli, sepse ishte djegur nga një fqinj i yni i komunitetit serb”, thotë Bytyqi. Por rinovimin e mullirit e kanë bërë kot, pasi ndërkohë uji është pakësuar dhe kanalet e mullinjve janë shterur nga uji për shkak se edhe ai pak ujë që kishte mbetur pas ujësjellësit i është dhënë “Ribnjakut”, si quhej atë kohë moteli me basene të peshqve, që pas luftës, pas privatizimit, quhet “Trofta”. “Shteti në vitet ‘60 e kishte themeluar atë ndërmarrje dhe kur “Ribnjaku” kishte nisur t’i rriste kapacitetet e veta, shteti i ka marrë të gjitha ujërat e mullinjve dhe i ka futur në një kanal të mbyllur të punuar enkas për “Ribnjakun” dhe mullinjtë kanë mbetur pa ujë. Kjo ka shkaktuar edhe mbylljen e mullinjve në rrugën identifikuese për mullinj në Istog. E sot në qytetin e Istogut nuk ka mbetur më asnjë mulli, në të cilët, derisa kanë punuar, siç tregon Bytyqi, drithëra kanë bluar popullata e kësaj komune dhe rrethi, por edhe nga Drenica dhe ata të pasbjeshkës andej kufirit, nga fshatrat e Komunës së Tutinit.

“Pjesa më e madh e Mojstirit i ka bluar drithërat këtu. Kanë fjetur këtu me javë të tëra derisa u janë bluar drithërat që i sillnin për të gjithë fshatin. Edhe Drenica gjithmonë ka bluar drithërat në këta mullinj”, tregon Bytyqi, i cili është drejtor i gjimnazit në Istog.

Edhe Mulliri rreth 500-vjeçar ende funksional në Prizren SOT 10 muaj më parë Mulliri rreth 500-vjeçar ende funksional në Prizren

Kjo rrugë ka qenë rruga më e frekuentuar atë kohë në Istog mu për shkak të mullinjve, ekzistencën e të cilëve dikur komuna ka vendosur ta përjetësojë me emërtimin “Mullinjtë e Istogut”.

“Ja kemi vendos atë emërtim asaj rruge ‘Mullinjtë e Istogut’, që të mos zhduket kurrë historia e asaj pjese të Istogut, që ka qenë lokalitet me mullinj, ku ka pasë edhe ndonjë tjerrtore të leshit që ka funksionuar gjithashtu me ujë. Aty ka qenë atë kohë një lloj zone industriale me mullinj dhe tjerrtore”, tregon drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Rugova, arsyet pse para dhjetë vjetësh Komisioni për emërtimin e rrugëve në qytet, anëtar i të cilit ka qenë edhe vetë Rugova, ia kanë lënë ketë emër rrugës.