Ligjshmëria e vendimeve të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të cilat lidhen me sistemimin e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, vazhdon të kontestohet në instanca jashtë ministrisë, përfshirë gjykatat. Madje, drejtori i përgjithshëm i kësaj ministrie, Albert Prenkaj, pretendon se zyrtarët e ministrisë e kanë anashkaluar duke mos ia përcjellë një thirrje të brendshme për sistemim, pasi pozita e tij është shuar me rregulloren e re
Ankesa për shpërfillje të diplomatëve të karrierës dhe emërim të atyre që nuk i përmbushin kërkesat ligjore, ka prodhuar rregullorja e re për sistemim. Vendimmarrja e ministres Gërvalla vazhdon të kontestohet në instancat gjyqësore, teksa nuk mungojnë as akuzat për anashkalim të diplomatëve në thirrjet e brendshme të kësaj ministrie.
Udhëheqësi i Divizionit për Burime Njerëzore, Vigan Berisha, më 1 prill të këtij viti ishte ngarkuar që t’u dërgojë të gjithë drejtorëve të departamenteve thirrje për shprehje të interesit për pozitat e reja të drejtorëve sipas organogramit të ri, bazuar në rregulloren e re për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Por drejtori i përgjithshëm i MPDJ-së, Albert Prenkaj, pozita e të cilit është shuar me rregulloren e re, pretendon se nuk ka marrë një ftesë të tillë. Kjo konfirmohet në ankesën që Prenkaj ia ka dërguar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë. Ankesa ka të bëjë me mospërfilljen e barasvlerës së koeficientit sipas aktemërimit.
Në ankesë janë listuar edhe pozitat ku duhet të sistemohet drejtori i përgjithshëm, teksa kontestohen emërimet e zyrtarëve aktualë.
“Duke qenë se në kuadër të strukturës së MPJD-së ekzistojnë tri pozita me kategori të njëjtë apo të përafërt, me koeficient 16 janë: pozita e drejtorit të përgjithshëm të MPJD-së, ajo e drejtorit të përgjithshëm të Akademisë Diplomatike (koeficient 16), pozita e sekretarit të përgjithshëm (koeficienti 20), atëherë bazuar në aktemërim, ambasadori Prenkaj duhet të transferohet në një njërën nga pozitat e lira me koeficient të njëjtë në kuadër të MPJD-së”, thuhet në ankesë.
Vendimet e paligjshme të ministres janë denoncuar edhe në Zyrën e sekretarit të Ministrisë, ndërkaq një padi e Prenkajt për pozitën e drejtorit është deponuar edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Në vazhdën e veprimeve të paligjshme të ministres znj. Donika Gërvalla, janë lëshuar dy vendime të kundërligjshme me të cilat z. Behar Isma fillimisht emërohet drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike. Zoti Behar Isma ka koeficient 9.5 si udhëheqës i Divizionit për Çështje Ligjore në Ministrinë e Diasporës (para fuzionimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës) dhe nuk posedon gradë diplomatike. Theksojmë se pozita e drejtorit të përgjithshëm të Akademisë Diplomatike është mbuluar nga diplomatë të karrierës me gradë ambasador apo ministër këshilltar”, shkruan në dokument.
Prenkaj ka përmendur vendimin për të cilin kishte raportuar KOHA, që ka të bëjë me emërimin e Ismës edhe si zëvendës i sekretarit të MPJD-së.
“Vendimi i radhës i kundërligjshëm i nënshkruar nga ministrja znj. Gërvalla-Schwarz është ai i lëshuar përsëri për z. Behar Isma për pozitën e zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të MPJD-së. Duke qenë se personi në fjalë nuk ka kaluar procedura të rregullta të ngritjes graduale, dhe pa asnjë gradë diplomatike, pa asnjë kompetencë solide në politikëbërje dhe as atë diplomatike, merr përgjegjësinë e ushtrimit të detyrës së zëvendëssekretarit të përgjithshëm të MPJD-së”, thuhet në dokument.
Aty përmendet edhe një vendim i kohës së ish-ministrit Behgjet Pacolli, kur në mënyrë të jashtëligjshme kishte emëruar ish-këshilltarin e tij, Fatmir Haxholli, në pozitën e njëjtë.
Sistemimi i ish-Ministrisë së Diasporës kishte shkaktuar dyfishim të pozitave brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Edhe miratimi i rregullores së re është përcjellë me shumë pakënaqësi gjë që dëshmohet përmes dokumenteve brenda këtij dikasteri. KOHA ka raportuar se ndryshimi do t’i prekë edhe udhëheqësit e departamenteve, për të cilat ministria përmes një thirrjeje të brendshme u ka kërkuar që t’i dërgojnë tri preferenca për sistemim në njërin prej tyre. Në total janë 51 pozita për të cilat është shpallur thirrja.
MPJD-ja ishte arsyetuar se dyfishimi i posteve është paraqitur pas bashkimit të dy ministrive, “sepse ka pozita drejtuese tek departamente/divizione të ndryshme të cilat kanë pasur drejtor/udhëheqës me aktemërim edhe në ish -MPJ edhe në ish-MDIS”.
Për këtë çështje është themeluar edhe Komisioni i ri strukturimit, i cili ka për detyrë t’i rekomandojë të gjithë zyrtarët sipas aktemërimeve që mbajnë dhe kritereve të pozitave të reja se ku duhet të sistemohen.
Por, ministrja Gërvalla i kishte sistemuar ish-zyrtarët e Diasporës, edhe para miratimit të rregullores së re. Vendimmarrjen e kishte kundërshtuar edhe Shoqata Sindikale, sipas së cilës pa miratimin e dokumenteve relevante, ministrja nuk ka pasur të drejtë të fillojë me transferimin e zyrtarëve. Në rastin e sekretarit, sipas tyre, nuk janë plotësuar as kriteret e tjera që kërkohen për një pozitë të tillë të lartë, si grada diplomatike, përvoja në diplomaci. Isma vjen nga një pozitë e ulët dhe nuk mund të konsiderohet ekuivalente derisa ka pasur ngritje koeficienti nga 9 në 16.
Pretendimet për shkelje janë ngritur edhe pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku Shoqata ka kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së emërimeve të Gërvallës, në kuadër të procesit të risistemimit.