Dokumentari “Një mendje e bukur” tregon edhe për vështirësitë ekzistenciale, që Arbën Xhaferi kaloi në jetë. Për 20 vite radhazi vuajti nga sëmundja e rrallë të parkinsonit. I vëllai, Fatmir Xhaferi, dhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, rrëfejnë momentet e tij të fundit në banesë.
Dokumentari “Një mendje e bukur, Arbën Xhaferi” trajton edhe aktivitetin e tij politik. Kontributi i madh, që ka dhënë në Luftën e Kosovës, duke ndihmuar popullin shqiptar që banonte në këto treva shqipfolëse, edhe më vonë përpjekjet e tij të vendosura për mbarëvajtjen e politikës shqiptare në Maqedoni, zënë një hapësirë shumë të rëndësishme në jetën e Xhaferit politikan. Studiuesit sot e konsiderojnë, si një politikan me ideale të mëdha, në këtë dokumentar (prodhim i TV Dukagjin) me autor Leonard Kerquki, që rrallëherë mund ta gjesh në politikën e një vendi. Por, pa e kuptuar jeta ndonjëherë merr tjetër rrjedhë dhe nuk të jep më mundësinë e fitores, sidomos kur njeriu nuk mund të kontrollojë shëndetin fizik. Arbën Xhaferi, në vitin 1992 do të prekej nga një sëmundje e rrallë e parkinsonit. Njerëzit që i qëndruan pranë gjatë momenteve të vështira rrëfejnë se si Xhaferi duhet të kishte në kontroll veten, duke pirë çdo 20 minuta nga një ilaç. Për shkak të sëmundjes ai vendosi që në momentet e fundit të jetës të mos të kishte kontakt me njerëzit, derisa në gushtin e vitit 2012 pësoi gjakderdhje në tru. Rrëfimi i rrallë i të vëllait, i politikanit që i qëndroi pranë Menduh Thaçit dhe aktorit Arben Skënderi tregojnë anën e tij, të panjohur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSëmundja e rrallë që preku Arbën Xhaferin
Gjatë pushimeve të verës së vitin 1992, në Shqipëri, Arbën Xhaferi preket nga sëmundja e parkinsonit. Ai ishte për pushime në Vlorë bashkë me vajzën e tij, që mban të njëjtin emër si qyteti bregdetar edhe bashkëshorten Violeta. Siç do të tregonte vite më pas, Arbën, kishte ndier gjatë shëtitjes në buzë të detit një ftohje, gjatë ditëve më pas kishte ndier edhe ftohjen muskulore. Do të kalonte kohë, derisa ai të kuptonte që ishte goditur nga lloji më i vështirë i parkinsonit. Lloji që shkakton dridhjen e trupit!
Fatmir Xhaferi: Përkujdesi im shëndetësor për vëllanë
Për shkak të profesionit, si mjek, por edhe për shkak të problemeve shëndetësore, që Xhaferi vuante, kishte zgjedhur që konsulenti i tij personal mjekësor të ishte i vëllai, Fatmiri. “Pa mendimin tim Arbën nuk ndërmerrte asnjë hap për t’u mjekuar. Ka pasur një problem serioz gjatë viteve të fundit, prandaj unë bashkë me të edhe me disa profesorë në Shkup, jemi kujdesur, për t’i caktuar mjekimin, që ishte më i mirë për të”.
Arben Kastrati: Qetësia e tij, si rezultat i dijes që e karakterizonte
Aktori i njohur Arben Kastrati shoqërohej shumë me Xhaferin gjatë viteve të fundit. “Arbën nuk e ka pasur jetën të lehtë, sepse ka pasur presione të vazhdueshme, gjatë kohës që është marrë me politikë në Maqedoni ka kaluar edhe probleme të vështira ekszitenciale. Familjen e ka pasur jashtë vendit, por çdo gjë e ka përballuar me qetësi. Qetësia e tij vinte si rezultat i dijes që e karakterizonte atë. Ka qenë shumë e lehtë që të bashkëbisedoje me të, por ka qenë edhe një mendimtar i thellë”.
Aktori na rrëfen edhe për sëmundjen e tij. Ai mendon se ka qenë e thjeshtë, që të përfshiheshe tek miqtë e tij, por ishte e vështirë që të arrije ta kuptoje se si e përballonte jetën. “Kishte një kuti metalike, në të cilën mbante hapet (ilaçet), çdo 20 minuta, për arsye se për shkak të parkinsonit muskujt viheshin me shpejtësi në lëvizje. Ilaçet ndihmonin, që gjendja e tij të përmirësohej, por jo plotësisht. E megjithatë, ai nuk është ankuar asnjëherë; në lexim, në shkrim, ku duhet të shkruante nëpërmjet një personi të dytë. Kjo gjë bënte, që të humbiste intimitetin me letrën”.
Veton Surroi, “Në Tetovë në kërkim të kuptimit”
“Sëmundja ia ka neutralizuar ndjenjën e të ftohtit edhe të nxehtit, nuk i ndien ekstremet e jashtme të natyrës. Ia ka kufizuar gjithashtu sjelljen, nuk mund të lëvizë siç e bënte (shtëpinë e gurit në Hajvali, së bashku me oborr ari, e kishte ndërtuar pothuajse me duar e veta, në vitet e ’70-të). Tani është më statik se kurrë më parë. Nuk mund të shkruajë, nuk mund të ulet në kompjuter e të shprehet në intimitetin e tij, këtë duhet ta bëjë tërthorazi, duke diktuar”.
Lufta e Kosovës
Arbën Xhaferi drejtonte PDSH (Partinë Demokratike Shqiptare) kur filloi Lufta e Kosovës. Në këtë periudhë ai mori një rol të rëndësishëm, jo vetëm gjatë krizës së refugjatëve, por për liderët e UÇK-së, që futeshin pa asnjë problem në Maqedoni. Prej aty, në territorin e Kosovës, gjithçka dukej se koordinohej mes njerëzve të Xhaferit edhe njerëzve të rëndësishëm të Maqedonisë.
Menduh Thaçi: Si Xhaferit, nuk kam arritur që t’i besoj askujt
“99 për qind e kohës kryetar i partisë. Ne të dy kemi qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin. E di se ndoshta për shumë gjëra që kam menduar dhe vepruar nuk është pajtuar me to, por mënyra se si më thoshte që nuk është pajtuar, ishte e përsosur, për të mos krijuar lëndim apo nxitje te njeri”, thotë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Normalisht, që ka pasur edhe një periudhë, që Xhaferin e sulmoi sëmundja që edhe i mori jetën, por Thaçi ka bërë për të një përkujdesje të jashtëzakonshme, edhe në aspektin njerëzor. “Nuk është e tepërt, por ka qenë një përkujdesje normale, që mund ta bëjë çdo fëmijë ndaj prindërve të tij”. Sigurisht që, kreu i PDSH-së, në disa momente ka pasur edhe rezerva për disa qëndrime, por ai thotë se, çfarëdo që të thonë njerëzit për raportin që ata kishim, edhe sot e kësaj dite nuk ka gjetur njeri, që mund t’i besojë si i ka besuar Xhaferit.
Xhaferi, si figurë stabiliteti në politikën e Maqedonisë
Menduh Thaçi tregon se një nga situatat më të vështira që ka kaluar Arbën Xhaferi ka qenë Lufta e Kosovës, ku qindra mijëra ushtarë po hynin në Maqedoni, edhe jo rrallëherë ishin keqtrajtuar nga polica maqedonase. Ai ka qenë i burgosur në vitet 1968 dhe e njihte mirë këtë pjesë. “Xhaferi ka qenë një njeri me karakter të fuqishëm, me përvojë të madhe edhe në aspektin e trysnive që vinin prej shtetit, ka qenë trim i vërtetë, jo nga ata trima, që bërtasin te ne. Por, një ndër momentet e rënda, që Xhaferi kishte emocione të papërmbajtshme ka qenë çështja e kampit në Stenkovec, gjendja e refugjatëve që vinin nga Kosova ishte e tmerrshme. Mbaj mend se si Xhaferi iu kërcënua një oficeri të lartë të NATO-S, edhe një tjetri të Shërbimit Amerikan, duke u thënë se: “Nëse ky kamp nuk zbrazet unë do t’i vesh çizmet edhe do të hyj në këtë baltë bashkë me njerëzit”. Ky ka qenë një kërcënim shumë i fuqishëm politikë. Ai ishte figura qëndronte, i cili mbante stabilitetin e Maqedonisë, që atëherë ishte shumë i nevojshëm për aspektin e mundjes me luftë të Millosheviçit, nga NATO dhe UÇK.
“Miqësia” e Xhaferit me Xhaçin
Xhaferi ka qenë shumë i afërt me liderët e rinj të UÇK-së. Kur Millosheviçi u dorëzua, Xhaferi bashkë me Hashim Thaçin kishin zbritur në malet e Drenicës, në Shtabin e UÇK-së, për të negociuar për çarmatosjen e ushtarëve. “Nuk mund të mbaj relacion me njeriun, që nuk të jep numrin e celularit nuk dua trupoja si bashkëbisedues”, ka thënë Xhaferi më vonë për Hashim Thaçin. Ali Ahmeti (udhëheqës i UÇK)
“Një e keqe është për shqiptarët, që ne njerëzit i vlerësojmë pasi vdesin. Njerëzit duhet që të konsiderohen sa janë gjallë. Ndërsa kur të vdesin duhet që të kujtohen”, thotë kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Takimi im i tij i parë me Xhaferin ka qenë në vitin 200 në Tiranë. “Kur hyra brenda u përshëndetëm me zotin Xhaferi. Kryeministri i Shqipërisë, asokohe Ilir Meta, foli për komunikim dhe bashkëpunim mes njëri-tjetrit. Unë zotin Xhaferi e kisha në krah edhe i thashë: Xhaxhi, (sepse në moshë ishte shumë më i vjetër) konsidero që afër teje ke një vëlla më të vogël, edhe kjo ushtri që lufton andej është ushtri e shqiptarëve, edhe sa është e imja është e jotja. Ai lëvizi nga vendi edhe më tha: Mos mi dynd malet’. Më pas janë takuar vazhdimisht, edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit nuk e kanë parë njëri-tjetrin asnjëherë si kundërshtar, sepse në shumë pika kanë pasur pajtueshmëri të plotë.
Filozofia politike e Arbën Xhaferit
Që të kuptohet filozofia politike e Arbën Xhaferit, profesor Blerim Latifi mendon se duhet që të niset nga dy perspektiva; 1) tekstet që ai shkruante, si një nga politikanët e rrallë, që jo vetëm i artikulonte gojarisht argumentet e tij, por edhe i shkruante. Xhaferi ka shkruar libra dhe studime me karakter politik, historik dhe filozofik. Ishte një mendimtar, që besonte thellësisht në vlerat e demokracisë liberale. Besonte se i vetmi vizion për shqiptarët ka qenë ndërtimi i shoqërive shqiptare, qoftë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, mbi bazën e parimeve edhe vlerave të demokracisë liberale, që njeh si parim më të lartë zbatimin e ligjit. Xhaferi besonte në konceptin e shoqërisë së hapur edhe të lirë. 2) Nga perspektiva e politikanit të angazhuar Arbën Xhaferi ka arritur që të krijojë një baraspeshë shumë interesante mes idealizimit të intelektualit, edhe realizmit të politikanit. Një baraspeshë që intelektualët nuk e arrin. Ka qenë një politikan, që ka ditë kufijtë e realizmit politik, që do të thotë se nuk ka rënë në pozicione maikalaviste. Arbën Xhaferi është një politikan që ka besuar në kuptimin moral të kufirit politik. Ka besuar se veprimi politik, ka kufij moral që nuk duhet tejkaluar. Gjithashtu ka qenë një politikan, që i ka ditur kufijtë e idealizmit dhe nuk ka rënë në utopizëm, ku nuk mund të merrte dot parasysh rrethanat. “Prandaj them se ka gjetur një baraspeshë të tillë. Ai është një politikan që kur ka hyrë në politikë, nuk ka pushuar së qeni intelektual, sepse kur ka hyrë në politikë nuk i harruar vlerat e intelektualit”.
Ditët e fundit të Arbën Xhaferit
Arbën Xhaferi disa vite para se të ndahej nga jeta ishte tërhequr plotësisht nga politika. Ai udhëtonte shpesh në Prishtinë, në qytetin ku kishte kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës, edhe ku jetonte një pjesë e familjes së tij. nga këto udhëtime rruga që ai bënte ka marrë emrin “Arbën Xhaferi”.
Adelina Marku
Mesazhin e fundit me Arbën Xhaferin, bashkëpuntorja e tij, Adelina Marku e ruan ende. “Pasi shkroi një kolumn, të cilën nuk mund ta saktësoj, unë i kisha shkruar një mesazh ku e lavdëroja për mendimin e tij. Ai më përgjigjet: Adelinë mos më shtyjë që të besojë veten aq shumë, po arrite unë nuk do ta hulumtoja përsosjen. Unë kam nevojë ta hulumtojë për përsosjen Aty ku ka vetëdije për të metën, edhe unë kam të metat e mia, nuk jam aq Zot sa më shpreh ti, dhe aty fshihen impulse për lidhje dhe sisteme”.
Fatmir Xhaferi
Takimin e fundit me të e kam pasur në dy gusht në banesën time. Ishte mirë me shëndet. Më pas më 7 gusht më lajmëruan se nuk përgjigjej në telefonë. Unë i bëra disa telefonata, por nuk mu përgjigj. Prandaj u detyruam, të hapnim derën me forcë edhe e pamë në gjendje të pavetëdijshme, u alarmuam dhe e dërguam në Shkup. U konstatua se kishte gjakderdhje në trur. Nuk dua që t’i kujtoj as sot ato momente të vështira”.
Menduh Thaçi
Kur kemi hyrë në shtëpinë e tij nëpërmjet një dritareje, që thyem ka qenë jokomuinikativë. Ky moment do të mbesë një nga momentet më të vështira të jetës sime, sepse aty m’u kujtua se më kishin mbetur disa gjëra falënderuese edhe vlerësuese, që nuk ia kisha thënë (marrë nga Shekulli).