“Dy djem para saj më vdiqën i morëm e i varrosëm, në tetorin e vjetëm më ka vdekur edhe fëmija i tretë, ishte çikë, por atë nuk e morën nuk e varrosën, se besoj që do ta marrin edhe këtë”... ofshante Bukuria, fytyra e së cilës kishte filluar të plakej para kohe, ajo kishte vetëm 32 vjet por fytyra e saj tregonte shumë më shumë...
“Është djalë”, më tha doktori... Kisha shkuar atje me shpresën se doktori im kishte gabuar gjininë, pasi e ëndërroja me gjithë qenien tim ta marrë në krah kësaj here një çikë. Aq shumë e ëndërroj, sa refuzoja të besoja se edhe kësaj here do të lindja një djalë.... Është një djalë i urtë.. vazhdonte doktori në detaje për atë që tregonte ekografi i tij...
Në ato momente, m’u kujtuan lotët e Bukurisë, ashtu e quanin, e takova në fundin e këtij shtatori gjersa isha shtrirë për trajtim në repartin e Patologjisë së Barrës në Gjinekologji. Atë natë nuk arrita t’i kuptoja lotët e saj e as fjalët që më thoshte gjersa lotët rrek i rrjedhin mbi jastëkët e vjetruar të QKUK-së. Më foli e para, më pyeti se përse kisha ardhur dhe në kisha ndonjë fëmijë? - I kam dy djem - i thashë... - Heshti për një moment, iu ndalën lotët dhe më shikoi me habi, gjersa shtroj pyetjen e radhës - e pse do të lindësh sërish? ... - e habitur e shikova, nuk e kuptoja pyetjen e saj... pas pak iu përgjigja: Dua të kem edhe një fëmijë, dua një çikë.... Ajo sërish filloi të qante... hapi telefonin dhe më tregoi një fotografi, të një vajze të vogël 3 vjeçe. - Është çika jem dhe është gjynah të rritet pa babë ose nënë, ktheu krahun në anë tjetër të shtratit dhe qau gjithë natën....
- Të nesërmen e mora pak veten, dhe e pyeta unë kësaj radhe, se përse ishte aty? - Pse nuk pushonte se qari? Dhe çfarë i kishte ndodhur? - Fatkeqësisht, Bukuria kishte humbur një ditë më parë fëmijën e saj të 4-të. Ishte vajza e dytë që po i vdiste pas dy djemve të tjerë, që po ashtu i kishin vdekur në bark, në muajin e 7-të të barrës. “Çikën që ta tregova”, më tha se e kishte lindur në Gjermani, ku kishte shkuar 4 vjet më parë me valën e të shpërngulurve që iknin atë kohë.
“Gjithë arin që pata, e shita për të paguar udhëtimin, qëndruam dy muaj në Hungari dhe nga atje shkuam në Gjermani, isha gjithë kohës shtatzënë, por atje doktorët arritën të ma shpëtonin çikën”, rrëfente ajo mes lotësh... - e shikoja gjithë habi... “Dy djem para saj më vdiqën i morëm e i varrosëm, në tetorin e vjetëm më ka vdekur edhe fëmija i tretë, ishte çikë, por atë nuk e morën nuk e varrosën, se besoj që do ta marrin edhe këtë”... ofshante Bukuria, fytyra e së cilës kishte filluar të plakej para kohe, ajo kishte vetëm 32 vjet por fytyra e saj tregonte shumë më shumë... Historinë e saj e ndërpret motra, gjersa erdhi për të dhënë terapinë, por për Bukurinë jo, pasi ajo nuk kishte arritur t’i blinte ilaçet, atë e kishin sjellë në spital dhe nuk i kishin dhënë asnjë para, madje as që kishin ardhur për ta vizituar.
-Një milion e një mijë pyetje e dilema më dilnin përpara, as nuk mund ta kuptoja e as të imagjinoja se si një prind, mund t’i ofrojë varr e funeral vetëm djemve e vajzat e vdekura t’i lë në spital...
- Sytë e Bukurisë ishin mbyllur nga enjtja e tyre, pas të qarave pa pushim. Çdo fjalë e saj që ma thoshte atë ditë, e shtonte edhe më tepër dozën e tragjedisë së jetës së saj... “Nuk kam të holla e as shtëpi, burri më la atë natë që më vdiq çika... ai më fajëson mua dhe më thotë se jam vrasëse e fëmijëve të mi”, rrëfente Bukuria. Ajo ishte nga një fshatë i Drenicës, por ishte martuar në Llap. Në ditën kur i shoqi i kishte thënë asaj në derën e spitalit se ajo më nuk do të kthehej në shtëpinë ku kishte jetuar 8 vjetët e fundit, familjen e saj e kishte kapur paniku, se çfarë do të bënin me çikën e tyre të lëshuar nga burri... në dhimbjen e saj të madhe për humbjen e fëmijës.
Gjatë atyre tri ditëve, Bukuria është dashur edhe të refuzonte dhjetëra oferta për lidhjen e një martese të re, sepse shqiptari nuk e do në shtëpi një grua të lëshuar. - “Ai mund të më lëshojë mua, por çikën nuk ja jap”, më tha në mbrëmje Bukuria, gjersa unë po ikja atë natë për pak kohë për t’i parë fëmijët. Kur po kthehesha në hyrje të spitalit, e takova atë, po fliste me një burrë dhe sytë e saj, kësaj radhe qeshnin, më nuk kishin lot, i përshëndeta dhe u ngjita lart... Kur u kthye, Bukuria ishte plot shpresë, - “nuk do të ndahemi, doktori e ka bindur se nuk është faji im që fëmijët po vdesin”, atë natë Bukuria nuk qau... Desha t’i flisja, t’i them se duhej t’i dilte zot vetes së saj dhe se ajo duhej të vendoste se çfarë do të bënte me jetën e saj, se nuk duhej të pranonte t’i nënshtrohej askujt e shumë gjëra të tjera... por më ndali shikimin në sytë e saj që ishin plot shpresë.. Atëherë, mendova kush jam unë të shuaj atë shpresë, edhe pse si grua, si nënë dhe vajzë, e dija që po gaboja...
Të nesërmen, Bukuria kërkoi të dilte nga spitali dhe shkoi bashkë me burrin e saj në shtëpi, e bindur se do t’i kthehet përditshmërisë së saj. – Por tri ditë më vonë, Bukurinë e pashë në korridorin e spitalit, me vete kishte edhe vajzën. “Më la burri tha, madje më rrahu vjehrri, dhe më tha që s’ka vend më në atë shtëpi... “8 vjet punova aty dhe na nxorën të dyjave pa asgjë”, dhe prapë filloi të qante...
A është kaq e vështirë të jesh grua në Kosovë? A kaq pak kanë vlerë vajzat për prindërit e tyre? Këto, dhe një milion mendime të tjera m’i ndërpreu doktori, kur më tha se beba ishte mirë.
- Buzëqesha dhe u ngrita nga tavolina, me një gjysmë lumturie, pasi mendova se të paktën zemra ime nuk do të qajë për vajzën time të keqtrajtuar nga kjo shoqëri. Por, isha më e sigurt se kurrë në misionin tim, atë të rritjes së tre djemve, me idenë se në shoqëri dhe botë janë të barabartë të gjithë, pavarësisht përcaktimit gjinor.