Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lluka mohon presionin mbi Tmavën

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se nuk ka bërë fare presion në drejtorin e përgjithshëm të “Trepçës” Ahmet Tmava, i cili sot dha dorëheqje të parevokueshme.

Sipas Tmavës, një nga arsyet e largimit ishte ndërhyrja e ministrit Lluka duke e privuar nga e drejta e ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive.

Lluka ka thënë se Tmavës i kishte skaduar mandati si drejtor dhe ishte autorizuar zëvendësdrejtori dhe drejtori i Financave për veprimet e nevojshme financiare.

“Këtë dua ta demantoj. Së pari një drejtor i përgjithshëm që i ka skaduar afati më 6 shkurt nuk mund të japë dorëheqje, pra s’ka pasur mandat dhe si i tillë nuk do të duhej të dilte absolutisht në zyrat e Trepçës. E vetmja kërkesë ka qenë që të autorizohet për nënshkrime për shpenzime. Atij i ka skaduar mandati dhe si rezultat është autorizuar zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe drejtori i Financave. E kemi konsideruar mundësinë e rregullimit të kësaj situate, por për shkak të statusit aktual të ‘Trepçës’ kemi pasur vonesa. Jemi në proces të zgjedhjes së bordit që më pas do të regjistronte ‘Trepçën’ si shoqëri aksionare”, ka thënë Lluka.

Sipas tij, në muajin prill pritet të kompletohet bordi i “Trepçës”.