Gërguri: Qëllimi i partive është të ruajnë numrin e votave të shkurtit

1 o. më parë / 20 nën 2025 21:27
Dren Gërguri

Profesori Dren Gërguri ka deklaruar se qëllimi i partive politike për zgjedhjet e parakohshme në dhjetor është të ruajnë numrin e votave të zgjedhjeve të shkurtit.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Gërguri ka thënë se ruajtja e numrit të votave nuk nënkupton shpalosje të programit. 

“Ideja e partive politike në këtë cikël zgjedhor është që të ruajnë numrin e votave që e kanë pasur në shkurt. Ruajtja nënkupton jo shpalosje e programit, secila parti politike trajektoren që e ka prej nëntorit të vitit të kaluar, atë do ta vazhdojë”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për dezinformimin që mund të përdoret gjatë fushatës, Gërguri ka thënë se ato zakonisht shpërndahen në grupe të ndryshme e në faqe të ndryshme nga palët e treta.

“Në pjesën e dhjetorit informacioni i rrejshëm do të ketë intensifikim të përdorimit të informacionit të rrejshëm. Informacioni i rremë që përdoret si manipulim në shoqërinë tonë, nuk është se e kemi drejtpërdrejt nga partitë politike në mediat sociale. Ato dezinformata që mund të ndikojnë më shumë në shoqëri mund të shpërndahen nga grupe të ndryshme e në faqe të ndryshme nga palët e treta”, ka thënë ai.

Xërxa: Diskursi populist është në ekspansion kudo në botë, edhe në Kosovë

1 o. më parë / 20 nën 2025 21:13
Genc Xerxa

Sociologu Genc Xërxa ka thënë se Kosova nuk i ka shpëtuar “ekspansionit të diskursit populist në botë”.

Sipas tij, periudha 2020-2030 është kohë e këtij diskursi. Ai ka thënë se kjo ndodh për shkak të rrethanave socioekonomike, të sigurisë dhe luftërave.

“E kemi parë gjuhën e teknokratëve si Merkeli dhe Bideni që ka qenë më e butë në krahasim me gjuhën e Trumpit. Në Gjermani kemi edhe gjuhën shumë të ashpër e agresive të AfD-së që lidhet me problematiket e ndryshme brenda Gjermanisë... kundër migracionit e madje kanë thënë se ka invazion... racizëm i shpërfaqur”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Sipas tij, i njëjti diskurs po shfaqet edhe te partitë politike në Kosovë “si strategji sepse po mbledh vota”.

“Gjuha e ashpër apo agresive tërheq vëmendje në opinion... pra tituj bombastikë. Masave iu pëlqen sepse i mobilizon militantët dhe paraqet një dominancë apo pushtet dhe fortësi përballë opinionit të gjerë”, ka thënë ai.

Kjo gjuhë, siç ka thënë Xërxa, shkakton përçarjen të tipit “ne dhe ata”, brenda shoqërisë.

Ai ka thënë tutje se partitë targetojnë grupe të caktuara, në të cilat u shkon zëri.

“Bëhen hulumtime, çfarë strukture të shoqërisë kemi, çfarë niveli të arsimimit, çfarë niveli të emancipimit. E nëse pjesa më e madhe e një shoqërie ka nivel të komunikimit apo perceptimit dhe artikulimit, atë e përdorin dhe targetojnë. Pra i drejtohen masës me gjuhën që e pëlqen”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, tjetër pikë në çështjen e diskursit populist është thjeshtimi i gjërave komplekse duke mënjanuar falë etiketimeve dhe përçarjeve, fokusin te programet politike.

Pantina: VV-ja e ka vërtetuar se s'di ndryshe, veç duke e mbajtur vendin në tension

1 o. më parë / 20 nën 2025 21:04
Shqipe Pantina

Politologia Shqipe Pantina ka thënë se shpreson që fushata për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të jetë e përqendruar në programe. Ajo në “Konfront” të KTV-së ka thënë se gjuha polarizuese nuk ka sjellë ndonjë të mirë. 

Por, Pantina ka shtuar se beson se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë me gjuhën polarizuese. Ajo vlerëson se Vetëvendosje s’di ndryshe dhe tenton ta mbajë pushtetin duke e mbajtur shoqërinë në tension. 

“Vetëvendosje e bën këtë më së miri dhe nëse kjo i ka funksionuar deri tash e i ka sjellë vota, mendoj se do ta bëjë sërish. Pse mendoj, sepse e dëgjuat edhe dje në seancë, vetëm filluan të etiketojnë menjëherë. Kjo të çon të mendosh se do të vazhdojë kështu. E në mendimin tim Vetëvendosje nuk di ndryshe. E ka dëshmuar se nuk di me qeverisë. E qysh e mban pushtetin? Duhet ta mbajë shoqërinë në tension. Prandaj veriu, prandaj Mitrovica janë temë kryesore, pasi të mban në tension”, tha Pantina.

Zeneli: Ka zhgënjim, do të ketë rënie të qytetarëve në fushatë e edhe të votuesve

2 o. më parë / 20 nën 2025 20:46
Alban Zeneli

Profesori Alban Zeneli vlerëson se do të ketë rënie të pjesëmarrësve si në fushatë zgjedhore e po ashtu edhe numrit të votuesve në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. 

Zeneli në “Konfront” të KTV-së ka thënë se arsyeja për këtë është zhgënjimi që kanë qytetarët. 

“Nuk ka ndonjë parti të re në të cilën qytetarët do të kenë mundësi të shpresojnë shumë. Sidomos pas një viti që ka qenë i mbushur me procese zgjedhore dhe në pamundësi për të realizuar atë rezultat zgjedhor, duke ndërtuar institucionet. Pres gjithsesi që numri i pjesëmarrësve në fushata elektorale të jetë shumë më i vogël e besoj se do të reflektohet edhe te numri i votuesve pastaj”, tha Zeneli. 

Ai ka thënë se dy datat që u propozuan 21 dhjetor e 28 dhjetor ishin duke llogaritur mbi atë se mërgata do të jetë në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike, ka vendosur që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor. 

“Supozohet se Vetëvendosja ka më shumë mërgatë me vete sesa partitë tjera politike. Të paktën nëse shohim zgjedhjet lokale, votimin për kandidatët për kryetar të komunave, e shohim se nuk është e vërtetë krejtësisht. LDK-ja ka marrë shumë vota nga mërgata...Shpresoj që 28 dhjetori të jetë datë, që e mbyll një vit të mbrapsht në Kosovë sa i përket çështjeve politike e zgjedhjeve, që të na japë një shumicë që mund të krijojë institucionet”, tha Zeneli.

Palokaj: Kosova mund të humbë qindra miliona euro nga Plani i Rritjes

2 o. më parë / 20 nën 2025 20:38
Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Kosova mund të humbës qindra miliona euro nga Plani i Rritjes.

Kjo humbje, sipas tij, mund të ndodhë në muajin qershor nëse nuk ratifikohen të gjitha marrëveshjet e nevojshme.

“Sipas një leximi të kujdesshëm të porosive nga Bashkimi Evropian, vlerësimi im është se nëse nuk bëhen hapa të mëdhenj dhe nëse nuk ratifikohen të gjitha marrëveshjet e nevojshme në qershorin e vitit që vjen do të fillojmë edhe formalisht të humbim dhjetëra apo qindra miliona nga kjo paketë”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.

Palokaj ka shtuar se në BE shprehin keqardhje për dështimin e partive politike të Kosovës që të tejkalojnë bllokadën që ka ndodhur në këto muaj dhe kanë shprehur keqardhjen që partitë nuk kanë arritur të pajtohen as për çështjet kyç siç është ratifikimi i marrëveshjeve që kanë të bëjnë me Pakon e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që rrezikon që Kosova të mbet prapa me shfrytëzimin e këtyre mjeteve.

“Së pari po humbim kohë, po përfundojmë vitin 2025 ndërsa e tërë paketa është për vitet 2024-2027. Mjetet e dedikuara për Kosovën në këtë paketë janë 882 milionë euro. Çfarëdo përqindje që të humbim nga kjo paketë, është humbje e madhe për një end të varfër, të pazhvilluar siç është Kosova”, ka theksuar më tej ai.