Salihu: Problemi i mbeturinave është politik, kjo gjendje s’ka qenë asnjëherë
Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu ka thënë se çështja e mbeturinave është problem politik, duke theksuar se një gjendje e tillë në të cilën ndodhet Prishtina aktualisht, nuk ka qenë kurrë më herët.
Ai në emisionin “Konfront” ka thënë se politika nuk është në funksion të zgjidhjes së problemit, as nga niveli qendror e as ai komunal.
“Problemi i mbeturinave është problem politik në radhë të parë, e pastaj është financiar, menaxherial e kështu me radhë. Në këtë gjendje Prishtina nuk ka qenë asnjëherë. Në fakt nuk ka pasur menaxhim ideal asnjëherë, por kështu s’ka qenë kurrë”, ka thënë ai.
Sipas Salihut mbyllja e deponisë e ka renduar gjendjen me mbeturina, por sipas tij nuk e ka krijuar këtë gjendje.
Retkoceri shpjegon arsyet për situatën e rënduar me mbeturinat në Prishtinë
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka thënë se arsyeja pse gjendja me mbeturina është e rënduar aktualisht, është për shkak të kufizimit të orarit të deponive që është bërë nga Kompania për Menaxhimin me Deponitët.
Retkoceri ka thënë se me kufizimin e orarit, komplet ndërrimi i tretë i kompanisë rajonale “Pastrimi” ka dalë jashtë funksionit.
Ai ka thënë se orari i deponisë së Mirashit është kufizuar deri në ora 00:00 dhe hapet në ora 7:00.
“Kompania ‘Pastrimi’ punon në tri ndërrime. E ndërrimi i tretë ka kaluar tërësisht jashtë shërbimit. Kamionët kanë mundur të dalin e të marrin mbeturinat, por s’kanë mundur të shkojnë te deponia. Kanë mbetur të ngarkuar deri nesër në ora 7:00 kur i kanë dërguar mbeturinat te deponia e tek më pas ka filluar ndërrimi i parë. Kjo ka krijuar ngarkesë të jashtëzakonshme me mbeturina rreth kontenjerëve. S’ka pasur kapacitete të shkojë në dy ndërrime”, tha Retkoceri në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se me këtë orar i bie që t’u thuhet qytetarëve të mos hedhin mbeturina pas orës 21:00 e gastronomia të mbyllet pas orës 21:00.
“Prishtina duhet të funksionojë 24/7. Shërbimi s’duhet të ndërpritet...Komuna e Prishtinës nuk është komunë e rëndomtë që mund të mbyllen dyert. Arsyet që ka dhënë KMDK janë ndër të tjera për shkak resurseve humane e po ashtu qenve endacakë”, tha Retkoceri. Ai ka thënë se do të dorëzohet kallëzim penal ndaj kryeshefit të KMDK-së, Dardan Veliaj.
E për problemet me mbeturinat në Prishtinë ai ka thënë arsye tjetër është edhe pasi nuk po nënshkruhet granti me KfW për kredi të butë prej 74 milionë euro për blerje të kamionëve të pastrimit. Ai ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk po e nënshkruan një garancion.
Sveçla: Deponia ka arsye për t’ia mbyllur derën “Pastrimit”, sepse ka borxhe ndaj saj
Shefi i Grupit të Asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla ka thënë se deri në një kohë PDK-ja e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën se do ta bankrotojë ndërmarrjen “Pastrimi”.
Sipas tij, përgjegjësia për gjendjen e krijuar me mbeturinat në Prishtinë i bie Komunës me Përparim Ramën dhe menaxhmentit të ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Nuk ka lind problemi me bërllok gjatë kësaj jave. Prishtina në këtë gjendje është në kohë të gjatë. Nuk mundet askush të ankohet se deponia e ka ndryshuar orarin e punës”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se ndërmarrja “Pastrimi” ka vazhdimisht borxhe ndaj deponisë.
“Aktualisht shuma e borxhit është mbi 1.1 milionë euro. Ka arsye të mjaftueshme deponia me mbyllë derën për ‘Pastrimin’”, ka thënë ai.