Baraliu: Zgjedhjet e reja mund të sjellin befasi të pakëndshme për partitë
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se zgjedhjet e reja të mundshme me mosarritjen e zgjedhjes së presidentit mund të sjellin befasi të pakëndshme për subjektet politike.
Sipas tij, janë disa arsye, ndër to përqindja e daljes së qytetarëve për të votuar do të mund të ulet edhe më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Mund të kemi pasoja dhe befasi të pakëndshme për ata që mendojnë se zgjedhjet e ardhshme do të mund të sjellin risi. Mund të ketë gjithashtu dalje edhe më pak se 37 për qind, ky numër është më i ulëti që prej vitit 2000 kur janë mbajtur zgjedhjet e pak, mund të jetë edhe më pak. Legjitimiteti demokratik humbet fare. Mund të kenë befasi të pakëndshme dhe ne e çojmë vendin në riciklim të krizës dhe asgjë më tepër”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Jashari: Para 16 shtatorit nuk do të ketë rezultate të caktuara
Avokati Arbër Jashari ka thënë se beson që para 16 shtatorit kur Gjykata Speciale do ta marrë vendimin për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Kosovë nuk do të ketë ndonjë rezultat të caktuar në zhbllokimin e ngërçit politik.
“Në një farë forme pothuajse të gjithë janë dakord ose ndoshta janë duke e pritur se çfarë do të ndodh pas 16 shtatorit, në mënyrë që t’i japin Kosovës një kah dhe një rrugë tjetër”, është shprehur Jashari.
Sipas tij e gjithë duket se e gjithë skena politike është duke i luajtur rolet e veta, vetëm se populli nuk po i kupton.
“E kemi një Lëvizje Vetëvendosje e cila nuk e thërret Kuvendin dhe nuk e formon Qeverinë ndonëse i ka votat e mjaftueshme, e kemi një PDK që del çdo ditë para Qeverisë bën skena dhe thotë që kryeministri është deputet e nuk ka legjitimitet, se ushtruesja e detyrës së presidentes nuk ka legjitimitet nga ana tjetër i përgjigjet thirrjes së u.d. të presidentes ... nuk janë të sinqertë dhe bindës, e kemi AAK-në e cila është pozicionuar me PDK-në, i kemi kryetarët e komunave që ka thënë se janë pozicionuar më PDK-në e AAK-në dhe kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, e kemi një LDK të përfaqësuar nga Lumir Abdixhiku që e luan rolin e neutralit”, ka theksuar Jashari.
Baraliu për shkeljen e afatit 30-ditor: S’ka përmbajtje që të dërgohet në Kushtetuese, ajo ka dhënë verdiktin
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shkelje kushtetuese dhe është duke vazhduar me shkelje me moskonstutimin e Kuvendit.
Por, Baraliu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se nuk ka përmbajtje që çështja të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, pasi Kushtetuesja ka marrë vendim vitin e kaluar për këtë dhe është vendim i qartë.
“Vetëvendosja ka bërë shkelje kushtetuese në rastin e mokonstituimit të Kuvendit e është në shkelje edhe tash. PDK-ja po bën thjeshtë pardori...Po insiston me zë se është shkelje kushtetuese nga partia fituese dhe koalicioni i saj, e anën tjetër shkon çdo ditë Kuvend e thotë hajdeni konstituoni Kuvendin...Edhe kur bëhet konstituimi problemi është se nuk ka përmbajtje për parashtresë të tillë në Kushtetuese. Pikërisht Kushtetuesja në këtë çështje ka dhënë verdiktin e saj, nuk thotë ndryshe. Kushtetuesja ka thënë se pas certifikimit të rezultateve brenda 30 ditëve duhet të fillojë konstituimi i Kuvendit e pastaj me 48 orësh mund të vazhdojë. Ajo caktoi afatin, ka thënë si është tash”, ka deklaruar Baraliu.
Morina: VV-ja është fajtore, Kurti ka krijuar një iluzion që të ketë gjithë pushtetin
Gazetari Idriz Morina ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fajtore për situatën në të cilin është Kosova dhe nëse vendi shkon sërish në zgjedhje.
Ai ka thënë se është e dhimbshme që po paralajmërohet që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje nacionale dhe, sipas tij, mundësia që kjo të ndodhë është e madhe.
“Fajtor për këtë mendoj që është kryesisht VV-ja, e cila synon t’i përmbush ato ambiciet e Kurtit i cili definitivisht e ka krijuar jo vetëm si iluzion por edhe si imazh të tij që të ketë njëlloj gjithëpushteti”, është shprehur Morina në emisionin “Konfront” në KTV.
Morina e ka quajtur arrogante mënyrën se si kryetari i VV-së, Albin Kurti, u është drejtuar 6 deputetëve të LDK-së që janë deklaruar kund marrëveshjes për kandidaturën e Bekim Sjediut për president.
Ai e ka kritikuar edhe ekryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ka dështuar në udhëheqjen e partisë.
Baraliu për LDK-në: Është për keqardhje mungesa e unitetit, duhet të reflektojnë
Profesori i çështjeve juridike Mazllum Baraliu, ka thënë se është për keqardhje mungesa e unitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Baraliu ka thënë se shpreson që në ditët në vijim të ketë reflektim.
Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri të martën u deklaruan kundër votimit të Bekim Sejdiut për president. Sejdiu ishte propozuar për president konsensual nga marrëveshja e dakorduar të hënën mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
“Thjeshtë për keqardhje mungesa e unitetit në veprim dhe qëndrime...Ata duhet të reflektojnë dhe udhëheqja e LDK-së të krijojë hapësirë dhe mundësi gjatë ditëve që mund të pasojnë pas konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Baraliu në “Konfront” të KTV-së.