Hyseni: Kosova edhe nëse krejt buxhetin e çon në ushtri, s'ka me mujt me u krahasu me Serbinë

2 o. më parë / 23 tet 2025 21:16
Zgjim Hyseni

Zgjim Hyseni nga PSD-ja thotë se po të krahasohen buxhetet e shteteve, do të kuptohet se Kosova edhe nëse e çon gjithë buxhetin në ushtri s’do të mund të krahasohej me Serbinë. 

Hyseni ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se ka paranoja. 

“Kosova ka bërë veprime të tilla të cilat e kanë përjashtuar nga ushtrimet e përbashkët që bëhen në kuadër të NATO-s. Nëse e bën një gjë të tillë, e tash po kërkon diçka bilaterale për siguri me një shtet tjetër, kjo tregon se je kundër rrjedhës...Je duke funksionuar brenda frymës izolacioniste. Nëse veç e shohim buxhetin e Kosovës me të Serbisë, e i krahasojmë, atëherë e kupton se Kosova edhe nëse krejt buxhetin e çon në mbrojtje s’do të mund të krahasohet me Serbinë”, tha Hyseni në “Konfront” të KTV-së. “...Serbia, nëse një moment ndërkombëtar paraqitet, s’përjashtohet mundësia se do të sulmojë. Por, nuk duhet harruar se Enver Hoxha 50 vjet ka bë bunkera, e nuk është sulmuar kurrë...Vërtetë Serbisë si besohet, por Kurti ka paranoja në vetvete, që nuk ka fare lidhje me Serbinë”.

Bajraktari druan për rrezikun e anëtarësimit në KiE nëse Kosova i pranon refugjatët nga Britania

3 o. më parë / 23 tet 2025 21:02
Avokati Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka shprehur drojën për rreziqet që i kanosen Kosovës nëse pranon të ndërtojë qendra për azilkërkuesit e refuzuar nga Britania e Madhe. Sipas tij, ndër rreziqet mund të jetë edhe çështja e Këshillit të Evropës, në të cilën Kosova synon anëtarësimin.

“Rreziqet duhet analizuar para se të dilet me propozime të tilla. Aspekti financiar është shumë i rëndësishëm por po aq dhe më shumë është aspekti i të drejtave të njeriut. Pozicioni i Kosovës, sot, e në të ardhmen e aq më tepër kur kemi synime për t’u bërë pjesë e mekanizmave, përfshirë Këshillin e Evropës, me automatizëm edhe anëtarë të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut... Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë esenciale prandaj është mirë të analizohen me kujdes që të mos vijmë në situatë që Kosova me qenë burim i cenimit apo i shkeljes të të drejtave, aq më tepër kur bëhet fjalë për një kategori të cenueshme siç janë ata”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Të martën mbrëma, gazeta “The Times” shkruante se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar diskutime me Anglinë për ndërtimin e qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga ajo. Sipas raportimit të kësaj gazete, Kurti në këmbim ka kërkuar mbështetje për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.

Muriqi: Pas marrëveshjes me Danimarkën, Kosova duhet t'u thotë "jo" shteteve tjera

3 o. më parë / 23 tet 2025 21:01
Alban Muriqi

Alban Muriqi, drejtor i Institutit për Avokimin e Politikave Korrektuese, ka thënë se pas marrëveshjes për burgjet që Kosova kishte bërë me Danimarkën, kanë ardhur shtete tjera duke kërkuar marrëveshje. 

Muriqi ka thënë se Kosova duhet të marrë qëndrim dhe të thotë jo. 

Kosova ka ratifikuar marrëveshjen me Danimarkën për t’ia lëshuar rreth 30 qeli të burgut në Gjilan me qira, e ku pritet të kryejnë dënimin rreth 300 të burgosur danezë. 

Marrëveshja 10-vjeçare mes dy qeverive, u nënshkrua në vitin 2022. Sipas planit Kosova do të përfitojë rreth 200 milionë euro. Ka pasur reagime në Danimarkë nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut. 

“Nuk më pëlqen fakti se Kosova po shihet si vend më lehtë i qasshëm ndaj këtyre kërkesave që janë mjaft sfiduese. Pas marrëveshjes me Danimarkën, për të cilën kam pasur kritika në atë kohë derisa ishte negociuar me Qeverinë daneze, u përfol edhe Suedia më pas, pastaj disa shtete tjera, së fundi edhe Belgjika. Jemi në situatë shumë të ndjeshme, dhe ndaj kësaj Kosova duhet të ketë qëndrim. Duhet t’u thotë vendeve tjera jo”, tha Muriqi.

Kabashi: Kurti mund t'i jetë vetofruar Britanisë duke e ditur se marrëveshja s'do të ndodhë

3 o. më parë / 23 tet 2025 20:52
Flamur Kabashi

Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mund t’i ketë vetofruar Britanisë marrëveshje për azilërkuesit, duke e ditur se ajo s’do të ndodhte. 

Kabashi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se do të ishte shumë më e udhës që kjo temë të bisedohej brenda vendit e jo të mësohet nga mediat për ofrimin e kësaj marrëveshje. 

“Forma si është ofruar nuk është e duhura. A është bërë çështje për konsum, pasi e di ai se nuk do të bëhet dhe e ka bërë për konsum si kryeministër me dal para shtetit mik si ofrues ndihme...Nuk e di sa e qëllimshme ishte. Ne nuk ishim fare në dijeni për këtë temë”, ka thënë Kabashi. “Këto çështje të këtyre personave e drejtat e tyre janë temë shumë e ndjeshme dhe i nënshtrohen një procesi rigoroz monitorimi nga organizata të ndryshme. Nuk do të ishte aspak e hijshme që të dilet me raport që specifikon se po shkelen të drejta të caktuara”.

Hyseni: Kosova s’mundet të shërbejë si vend që i mban njerëzit në kafaz

3 o. më parë / 23 tet 2025 20:30
Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate

Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka thënë se Kosova nuk duhet të shërbejë si vend që pranon t’i mbajë refugjatët e refuzuar nga Britania e Madhe. 

Në “Konfront” të KTV-së, Hyseni e ka cilësuar shkelje të të drejtave të njeriut një gjë të tillë. 

Të martën mbrëma, gazeta “The Times” shkruante se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar diskutime me Anglinë për ndërtimin e qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga ajo. Sipas raportimit të kësaj gazete, Kurti në këmbim ka kërkuar mbështetje për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.

E Hyseni ka thënë se njerëzit që kërkojnë të ndërrojnë vend nuk janë ata që synojnë vetëm karrierë, por njerëz të përjashtuar, të varfër e që kërkojnë ekzistencë. E për këtë shkak, sipas tij, duke u bazuar në të kaluarën Kosova do të duhej të kishte qëndrim tjetër.

“Për situatën konkrete, çka ne është dashur të dimë është se Kosova është nga ato vende që do të duhej të kishte edhe qëndrim moral për këtë punë. Shqiptarët janë popull i emigrantëve, i refugjatëve. Nuk mundemi ne me aq lehtësi të madhe të shërbejmë si një shtet që i mban në kafaz njerëzit e përjashtuar prej vendeve të treta sepse është sikur shqiptarët e viteve të ‘60-ta, ‘70-ta, ’80-ta e ‘90-ta që janë detyruar të largohen prej Kosovës të mbahen të mbyllur aty e të kthehen. Ne jemi një popull që është dashur të mundemi të mendojmë edhe kështu”, ka thënë ai.

Hyseni ka thënë se një veprim i tillë, si ai që ka bërë Kurti, bëhet kryesisht nga “qeveritë të ekstremit të djathtë për të mos thënë parafashiste”. 

Ai ka hedhur dyshime se kjo edhe nuk ka qenë kërkesë e Britanisë, por vetëm ofrim i Kosovës.