Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kush është fajtor nëse prapë do të shkojmë në zgjedhje?

Ramaj: Opozita do të ketë lider për herë të parë nëse Thaçi lirohet dhe kthehet në politikë

1 muaj më parë / 2 sht 2026 21:14
Saranda Ramaj

Njohësja e politikës, Saranda Ramaj, ka thënë se nëse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kthehet si i pafajshëm nga Haga dhe vendos të merret me politikë, atëherë opozita do të bëhej me lider opozitar. 

Ajo ka thënë se nuk beson që PDK-ja do t’i marrë 40 apo 30 për qind të votave, por se sipas saj, kryeministri në detyrë Albin Kurti e Vetëvendosja, do të kishte një opozitë me një lider.  

“Unë nuk besoj që kthimi i zotëri Thaçit si i pafajshëm do e ndryshonte shumë skenën politike, por çfarë do të ndryshonte dhe çka besoj që zotëri Kurti e ka parasysh, prej 2020 kur Kurti ka ardhur në pushtet, për herë të parë mbase opozita do të ketë lider, nëse zotëri Thaçi vendos të merret me politikë”, ka theksuar Ramaj.

Sipas saj, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku asnjëherë nuk është konsideruar lider opozitar. 

Ramaj ka thënë se Abdixhiku është vetëm opozitë e një pjesë të partisë së tij. 

Ramaj gjithashtu ka theksuar se vendimi i 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së, çfarëdo qoftë ai, është prej më të rëndësishmëve për mënyrën se si Kosova do të ecë përpara në shumë procese. 

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se aktgjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që janë duke u mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe akuzohen për krime lufte do të shpallet më 16 shtator. 

Ramaj: Abdixhiku më të rëndësishme e ka për t’i shteruar bisedimet me Kurtin sesa brenda partisë

1 muaj më parë / 2 sht 2026 20:55
Saranda Ramaj

Njohësja e politikës Saranda Ramaj ka thënë se është e çuditshme që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka më të rëndësishme me i shteruar diskutimet me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sesa me deputetët nga partia e tij. 

“Të gjithë e dinin se nëse shpërfillet ky grupi prej gjashtë deputetëve të LDK-së atëherë do të jetë rezultati ky. Më tepër duket sikur z. Abdixhiku po do me i zhvesh në publik këta. Me thënë se nëse kërkohet më vonë, pas dy apo tre muajve, përgjegjës për shkuarje eventuale në zgjedhje, të vendosen 6 fotografi e të thuhet se kjo është fotografia e dështimit politik e bllokimit individual. Por, kjo nuk është e vërteta e plotë”, ka thënë Ramaj në “Konfront” të KTV-së. 

Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri u deklaruan se s'do të votojnë për Bekim Sejdiut si kandidat për president. Emri i Sejdiut doli të hënën pas dakordimit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por, po të hënën Hoti tha se nuk do ta votojë Sejdiun, pasi tha se nuk ka pasur konsultime paraprake. E kjo gjashtëshe ia konfirmoi qëndrimin të martën edhe Abdixhikut në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së. 

Ramaj ka thënë se Abdixhiku e kjo gjashtëshe janë kundërshtar dhe se ndarjet në LDK janë më të thella dhe se do të vazhdojnë të thellohen.

Ramadani: Abdixhiku nuk e ka çarë kokën se çfarë po ndodh me Grupin Parlamentar

1 muaj më parë / 2 sht 2026 20:41
Arbër Ramadani

Gazetari në “Nacionale” Arbër Ramadani, ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e ka çarë kokën se çfarë po ndodhë në Grupin Parlamentar të partisë.

Ai ka thënë se nga ajo që është kuptuar nga burime brenda LDK-së është që mospajtimi i 6 deputetëve me Abdixhikun ka ndodhur pasi ka pasur një dakordim paraprak mes tyre dhe Abdixhikut se kur propozimet për president të afrohen në dy-tre emra të diskutohej sërish me Grupin Parlamentar. 

Ramadani ka thënë se sipas deputetëve kjo nuk ka ndodhur dhe se Abdixhiku iu ka shkuar atyre vetëm me emrin e Bekim Sejdiut.

Ai ka theksuar se Abdixhiku do të duhej të mundohej më shumë nëse ka dashur vërtetë që ta zgjedh presidentin.

“Sa duhet të mundohesh për të kryer një punë të madhe, sepse është punë e madhe ta zgjedhësh presidentin, kjo ka munguar te Abdixhiku, në mund ta injorojmë këtë fakt ... por nëse duam të bëhemi të vërtetë me situatën, Abdixhiku nuk e ka çarë kokën fare se çfarë po ndodh me Grupin Parlamentar dhe i ka ardhur situata këtu ku i ka ardhur”, ka deklaruar Ramadani.  

Gashi: 6 deputetët e LDK-së duhej të pozicionoheshin në fillim kundër marrëveshjes me LVV-në

1 muaj më parë / 2 sht 2026 20:38
Fitim Gashi

Fitim Gashi, drejtor ekzekutiv në “Sbunker”, ka thënë se gjashtë deputetët e LDK-së që deklaruan se s’do ta votojnë Bekim Sejdiun për president, do të duhej të kishin qenë të pozicionuar në fillim kundër çdo marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje. 

Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj e Janina Ymeri thanë se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun, që është kandidat për president i dal nga dakordimi mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. 

“Duhej të pozicionoheshin në fillim se janë kundër çfarëdo marrëveshje me Albin Kurtin e Lëvizjen Vetëvendosje, pasi po shohim disa prej tyre në deklarata shkurtazi thonë se janë kundër vazhdimësisë të kësaj qeverisje me në krye Albin Kurtin. Do të duhej të thuhej në fillim e të mos zhvilloheshin negociata, pasi gjithë përgjegjësia tash po bie mbi LDK-në, mbi këta 6 deputetë që kundërshtojnë marrëveshjen”, tha Gashi në “Konfront” të KTV-së. 

Ai po ashtu tha se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të duhej të takonte e të dakordohej fillimisht me deputetët e kësaj partie para se të niste konsultimet me Vetëvendosjen.