Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LIVE: Rama përballë revoltës - a po i lëkundet pushteti?

Ramosaj për Edi Ramën: Dyshoj në qëndrueshmërinë e tij psikologjike

3 min. më parë / 20 tet 2026 20:49
Berim Ramosaj

Profesori Berim Ramosaj ka shprehur dyshime për qëndrueshmërinë psikologjike të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke iu referuar ndryshimeve të mëdha në sjelljen dhe mendësinë e tij brenda periudhave relativisht të shkurtra kohore.

Ramosaj ka thënë se Shqipëria i ngjan një demokracie elektorale, në të cilën pushteti bazohet kryesisht në numrin e votave të fituara. Sipas tij, kjo qasje mund t’i japë Ramës ndjenjën se numri i deputetëve që e mbështesin i mundëson të sillet në mënyrën që po e bën aktualisht.

“Pushteti aktual, duke u bazuar në këtë premisë elektorale, mendon se pushteti i fituar me numra të caktuar, për të cilët Rama në vazhdimësi thotë se i kemi mbi 80 deputetë, i jep autoritet dhe pushtet që, në një mënyrë apo tjetër, të sillet ngjashëm siç po sillet tani”, ka thënë Ramosaj në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka vënë në pah edhe atë që e cilësoi si luhatje të mëdha në mendësinë e Ramës, duke e përshkruar atë si një individ që, në mjedise të ndryshme, kalon nga një qasje shumë patriarkale në një qasje ekstreme liberale.

“Te Rama vërehet edhe një fenomen, që është mendësia e tij, e cila faktikisht oscilon nga një individ shumë patriarkal te një individ ekstrem liberal në mjedise të ndryshme. Ka amplituda shumë të mëdha, që unë dyshoj edhe në qëndrueshmërinë e tij psikologjike, duke marrë parasysh këto sjellje kaq të ndryshme në periudha relativisht të shkurtra kohore”, ka deklaruar Ramosaj.

Bregasi për protestuesit në Shqipëri: Nëse këtë herë nuk ia dalin, s’e di kur

8 min. më parë / 20 tet 2026 20:44
Majlinda Bregasi

Profesoresha Majlinda Bregasi, ka thënë se është momenti i fundit kur Shqipëria duhet të reflektojë mbi të gjitha problemet dhe sfidat që ka, e që siç tha – janë shumë.

Bregasi në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se nëse kësaj radhe nuk ia dalin protestuesit me kërkesat që po i parashtrojnë, atëherë do të jetë e largët dita kur do t’ia dalin.

“Nëse këtë herë nuk do t’ia dalin, nuk e di kur do t’ia dalin. Mendoj që ky është momenti i fundit kur Shqipëria duhet të reflektojë thellësisht mbi të gjitha problemet që ka, dhe janë shumë. Mbi të gjitha modelin e politikëbërjes që janë shumë larg nevojave të qytetarëve. Është një model i politikëbërjes që në fakt është bërë metodë e keqqeverisjes që nuk është vetëm në Shqipëri por edhe në të tjerat të cilat janë bërë sikur modë”, ka deklaruar Bregasi.

Ajo tutje ka thënë se protestuesit filluan me akte të dhunshme sepse me protestat disa mujore që ndryshe u quajtën ‘flamingot’, nuk ia dolën t’i realizonin kërkesat.

Bregasi u shpreh se me raste kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe i tallte protestuesit, ndonëse ata u konsideruan si shembull të protestave paqësore.

“Dhuna mbi fëmijët është e patolerueshme, por edhe dhuna nga ana e protestuesve, e kemi parë në disa raste kur djegin. Shohim që ka edhe shumë njerëz të inflirtuar. Ndonjëherë edhe këto rastet që e shkundin pushtetin. E kemi parë më herët që kemi pasur një kryeministër që i tallte me ‘flamingot’, bënin protestë shembull që edhe përmendeshin në Evropë”, ka thënë Bregasi.

Sipas saj, dialogu me Ramën është i panevojshëm. 

“Rama ka qenë shumë gjatë në pushtet, edhe të mos kishte ndodhur gjithë kjo protestës, prapë se prapë dialogu me Ramën e shoh të panevojshëm. Ai ka qenë mjaft gjatë për ta dëshmuar veten çfarë di të bëjë. Pamë çfarë bëri”.

Protestat e dhunshme në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tetë me radhë. Në këto ditë, protestuesit kanë sulmuar institucionet publike përfshirë disa ministri e banka, derisa policia i është kundërpërgjigjur me gaz, ujë e plumba gome.

Që të gjitha kanë filluar me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka thënë se nuk do e bëjë një gjë të tillë.