Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lista Serbe paralajmëron Kurtin: Gjoba e parë do të ketë përgjigje të ashpër

Lista Serbe ka paralajmëruar kryeministrin Albin Kurti se në momentin që do të vendoset gjoba e parë për targat ndaj serbëve do të ketë përgjigje dhe rezistencë të ashpër. Reagimi vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të premten për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill, por që do të jetë i ndarë në disa faza.

Sipas vendimit të Qeverisë, për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit për serbët që nuk konvertojnë targat në RKS, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes prej 150 eurosh, dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për tre muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill, nuk do të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. 

Lista Serbe ka thënë se “u përcjellim edhe një herë qytetarëve tanë mesazhin e qartë të presidentit Aleksandar Vuçiq se serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe as shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe dëbimin e popullit tonë”.

“Të gjithë ata që mendojnë se populli ynë do të vëzhgojë në heshtje heqjen e të drejtës tonë, do të thotë heqjen e targave KM, lirinë e lëvizjes dhe rrezikimin e mbijetesës sonë, po mashtrohen rëndë”, thuhet tutje në reagimin e LS-së. “Duke pasur parasysh planin e Albin Kurtit për të shqiptuar qortime dhe dënime të tjera ndaj serbëve që posedojnë targa legale dhe legjitime të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, në emër të popullit serb nga kjo zonë duam t'i themi atij qartë dhe pa mëdyshje se shqiptimi i masës së parë të gjobës do të jetë shkak për një përgjigje dhe rezistencë të ashpër nga populli serb, sepse jemi të vetëdijshëm për qëllimet e vërteta të pushtetarëve nga Prishtina”..

Zbatimi i vendimit për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por pas barrikadave të vëna nga serbët dhe sulmeve të armatosura, Qeveria e pati shtyrë zbatimin, me kërkesë të ndërkombëtarëve. Afati përfundon më 31 tetor. E përkundër lehtësirave që u janë krijuar serbëve për konvertimin e targave nga ilegale në legale, deri më tani në Kosovë janë regjistruar vetëm 20 automjeteve me targa RKS.