Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lista Serbe bojkoton të enjten Kuvendin për të shkuar në mbledhjen e Vuçiqit në Beograd

Deputetët e Listës Serbe nuk do të jenë të pranishëm në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, pasi pritet të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë.

Kjo mbledhje e Këshillit serb të Sigurisë është thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas kërkesës së Listës Serbe për takim urgjent me të, pak ditë para përfundimit të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS.

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Lista Serbe vazhdon të mbajë konsultimet dhe punimet e saj vetëm në Beograd.

“Siç e dini, tash e katër muaj radhazi Lista Serbe nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe i bojkoton në tërësi angazhimet e saj. E pikërisht nesër, Lista Serbe nuk vjen në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por shkon në punimet e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë, të kryesuar nga Vuçiq. Me këtë rast është mirë të i rikujtojmë dhe rikonfirmojmë publikut të gjerë vendor e ndërkombëtar se Lista Serbe vazhdon të mbaj konsultimet dhe punimet e saj vetëm me dhe në Beograd”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.

Vuçiq e ka thirrur Këshillin Kombëtar të Sigurisë për shkak të vendimit të Kosovës për të mos shtyrë vendimin e saj për targat ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.