Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se rezoluta e propozuar nga koalicioni qeverisës për çështjen e dialogut me Serbinë është dokument i nevojshëm për shkak të idesë së dialogimit të kufijve në dialogun me Serbinë.
Sipas Limajt, rezoluta ka qëllim edhe të unifikojë faktorin politik në vend për dialogun dhe të ndalë negocimin që është përmendur nga presidenti Hashim Thaçi.
“Ashtu siç e thatë edhe ju e rëndësishme është se dje përfundimisht si koalicion qeverisës kemi nxjerrë një projekt rezolutë, një dokument që përfshin në mënyrë eksplicite të gjitha shqetësimet të ngritura kohëve të fundit rreth pozicionimit dhe qëndrimit të Kosovës si shtet në bisedime shtetërore të mundshme që mund të vijnë me Beogradin dhe me propozimin tonë janë futur në mënyrë eksplicite të gjitha nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të cilat merren me materien e territorit, me materien e sovranitetit dhe integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu një nga pikat është edhe çështja e marrëveshjeve të mundshme të cilat duhet të kalojnë sipas Kushtetutës përmes Parlamentit të Kosovës, çfarëdo ratifikimi i marrëveshjeve të tilla ndërkombëtare me dy të tretat, dhe praktikisht me këtë projekt rezolutë faktikisht janë të përfshira shqetësimet e të gjitha grupeve politike. Gati thuajse të gjitha propozimet tona dhe të opozitës që kanë qenë pjesë e shqetësimeve, janë në këtë projekt rezolutë. Projekt rezoluta ka për qëllim bashkimin e faktorit politik të Kosovës për të pasur një qëndrim unik në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrë eksplicite në projekt rezolutë thuhet se askush nuk ka mandat për të negociuar përtej asaj që është e paraparë me Kushtetutë, askush nuk ka mandate për të negociuar territorin e Kosovës”, ka thënë Limaj pas homazheve të bëra në Drenas dhe Marinë të Skenderajt, raporton KP.
Ai ka ftuar opozitë dhe pozitë që të votojnë këtë dokument në Kuvend. Sipas tij, rezoluta ka objektiva të qarta për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, si njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe afirmimin ndërkombëtarë. Ai ka thënë se nëse opozita mendon që duhet ende të fuqizohet rezoluta, koalicioni qeverisës është i hapur për këtë.
“Kosova është shtet dhe ne kemi përgjegjësi shtetërore. Ne do të kryejmë përgjegjësitë tona shtetërore. Ftesa ime është që të gjithë akterët të marrin përgjegjësi dhe të mos rrinë vëzhgues. Ata që zgjedhin me mbet vëzhgues të çështjeve ne nuk mund t’i ndalim. Por nuk kanë arsye tjetër përveç kalkulimeve të ngushta të tyre partiake. Kjo mazhorancë ka reflektuar dhe ka përfshirë brenda projektit ë vet edhe shqetësimet dhe kërkesat dhe propozimet e opozitës. Përtej kësaj, dokumenti është i hapur për të ofruar edhe një propozim apo sugjerim të tyre. Krejt kjo është me qëllim që faktori politik të unifikohet”, ka thënë Limaj.