Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një konferencë për media ka folur për zhvillimet e fundit politike e edhe sa i përket koronavirusit COVID-19.
Limaj ka thënë se nuk është koha për përplasje politike por duhet unifikim për ta luftuar koronavirusin. Ndër tjera, ka thënë se Nisma e përkrah thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për gjendje të jashtëzakonshme.
Ka kërkuar nga qytetarët të ndjekin rregullat që kërkohen nga institucionet për t’u mbrojtur nga ky virus.
“Do ta kalojmë bashkë këtë situatë. Kjo situatë është moment që na bën të reflektojmë, kjo nënkupton, solidarizim, kujdes e jo panik”, tha Limaj, raporton KOHA.
Limaj tha se duhen masa preventive. “Beteja kryesore është masa preventive, dhe jo vetëm shërimi”, tha Limaj.
Edhe
Limaj thotë se Nisma është e gatshme të japë kontributin në një qeveri uniteti
Për të mos e quajtur “neglizhencë”, tha Limaj, nga institucionet ka pasur pakujdesi karshi komunave dhe njerëzve të moshuar.
“Kemi parë pakujdesi të institucioneve drejt komunave”, u shpreh Limaj, duke shtuar se "Ne si Nismë, duam të tërheqim vëmendjen dhe të bëjmë apel drejt institucioneve që të kenë kujdes të veçantë për njerëzit e moshuar, sidomos ata që jetojnë vet dhe s’kanë askënd të kujdeset për ta. Ata s’mund të dalin e të furnizohen. Nëse institucionet kanë mungesë për t’i vizituar këto familje, Nisma është e gatshme t’u ndihmojë me vullnetarë, të shkojnë tek të moshuarit për t’i vizituar dhe ndihmuar. Jemi në dispozicion t’iu shërbejmë këtyre personave”.
Tutje, kryetari i Nismës Socialdemokrate, tha se “kërkojnë mobilizim më të madh”, për ta luftuar koronavirusin.
“Ne si parti nuk kemi dilema, jemi të gatshëm ta japim gjithë ndihmën për t’iu ndihmuar institucioneve”, tha Limaj.
“Nisma mbështet dekretin e presidentit për masa të jashtëzakonshme”, tha Limaj.
Ka folur edhe për përplasjet e herëpashershme mes partnerëve në koalicion e madje edhe përplasjet Kurti-Thaçi, porse ka thënë se s’do që t’i komentojë në detaje por sipas tij, është koha për unifikim rreth virusit COVID-19.
Edhe
Nisma do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit
“Tash e pashë shkarkimin e Veliut. Veliu ka mbështetur deklaratën e presidentit. Unë s’kam koment rreth kësaj teme. Duhet të mobilizohemi të gjithë, nuk është koha për beteja politike”, tha Limaj.
Kujtojmë se dje presidenti Hashim Thaçi ka propozuar dekretin për situatë të jashtëzakonshme, dhe sot, ka nënshkruar dekretin për gjendje të jashtëzakonshme, por, kryeministri Albin Kurti nuk e ka përkrahur. Ai ka thënë se është masë ekstreme dhe e panevojshme.