Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të shtunën se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk mund të dekretohet, as të hyjë në fuqi deri në një vendim final të kësaj gjykate. Lajmi është mirëpritur nga partitë opozitare që çuan në Kushtetuese ligjin.
Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndaras, më 30 dhjetor e patën çuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë. Përfaqësues të të dyja partive opozitare vlerësuan se Ligji ka një varg shkeljesh kushtetuese dhe se synim ka nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.
Të shtunën e 14 janarit, ishin partitë opozitare që njoftuan se Kushtetuesja ka bërë të ditur se Ligji nuk mund të dekretohet pa vendim final.
Deputeti i Partisë Demokratike, Isak Shabani, ka publikuar të shtunën letrën e Kushtetueses për kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Aty theksohet se bazuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese parashihet që “një ligj që kontestohet në Gjykatën Kushtetuese nga dhjetë ose më shumë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mund të dekretohet, të hyjë në fuqi, ose të prodhojë efekte ligjore deri në vendimin final të Gjykatës lidhur me çështjen e ngritur pranë saj”.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur inkurajues këtë lajm.
“Ky është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karrierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut!”, ka shkruar Tahiri pasditen e së shtunës në Facebook. Sipas Tahirit, Ligji për zyrtarët publikë shkel të drejtat e njeriut, parimet e Bashkimit Evropian dhe vetë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Kosovës me BE-në.
Njoftimin e Kushtetueses, koordinatori i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, e ka quajtur “lajm të mirë”.
Edhe
Kushtetuesja vlerëson se Ligji për zyrtarët publikë s’ishte antikushtetues, hyn në fuqi
Ligji u miratua më 22 dhjetor.
Kundërshti më të mëdha në përmbajtjen e ligjit kanë nxitur dispozitat që parashohin mandate katërvjeçare për nëpunësit e nivelit të ulët dhe të mesëm të administratës; ato që obligojnë drejtuesit me kontrata të përhershme t’i nënshtrohen një konkursi të hapur për t’i ruajtur pozitat e tyre; e edhe nenet që për disa pozita kërkojnë nga kandidatët të përmbushin kriterin e qëndrueshmërisë dhe përshtatshmërisë.
Përmbajtja e Ligjit pati marrë kritika edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Zyrtarë të PDK-së thanë se ato do të duhej të merreshin parasysh.