Prishtinë, 22 gusht – Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, të gjitha misionet diplomatike të Republikës së Kosovës në botë janë udhëzuar që të hapin librin e ngushëllimeve, në shtetet ku ata janë të akredituara, transmeton Koha.net.
Libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur për tre ditë radhazi sipas orareve të caktuara paraprakisht nga vetë misionet diplomatike në shtetet respektive.
Veç kësaj, në mbështetje të vendimit të presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili e shpalli ditën e martë si ditë zie në Republikën e Kosovës, të gjitha misionet diplomatike janë udhëzuar që flamujt shtetërorë të ulen në gjysmështizë.