Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

‘Let's Do It Kosova’ kritikon “Pastrimin” për thasët me bërllok, falënderon Arsim Rexhën

Let's Do It Kosova jep këtë sqarim lidhur me artikullin e publikuar sot (26 maj 2017) në portalin Koha.net me titull " Thasët me mbeturina të aksionit ”Ta pastrojmë Kosovën” s’ka kush i merr".

Përmes këtij shkrimi, fillimisht shprehim keqardhjen tonë që Ndërmarrja "Pastrimi" dhe Komuna e Prishtinës nuk kanë ndërmarrë hapat e duhur për largimin e mbeturinave që janë grumbulluar nga aksioni i 24 majit në lagjen "Arbëria" të Prishtinës. Ndërsa, publikisht u bëjmë thirrje të dyjave si institucione përgjegjëse - Ndërmarrjes "Pastrimi" dhe Komunës së Prishtinës - që të largojnë ato mbeturina, të cilat qëllimisht janë vendosur afër rrugës, në mënyrë që të largohen nga kamionët e ndërmarrjes "Pastrimi", të cilët çdo ditë kalojnë andej.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërsa, banorit të asaj lagjeje Arsim Rexha, i cili ka ngritur këtë shqetësim i bëjmë thirrje që edhe më tej të vazhdojë të jetë aktiv ndaj çështjeve mjedisore dhe problemeve të tilla, të cilat ne si organizatë vullnetare jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme jo vetëm t'i adresojmë, por edhe të ndihmojmë në zgjidhjen e tyre përmes hapave konkret, siç është organizimi i aksioneve të pastrimit me vullnetarë.

Por, probleme të tilla do të ishte më e arsyeshme që fillimisht të adresoheshin tek institucionet përgjegjëse. Po ashtu, në raste të tilla, banorët mund të drejtojnë shqetësimin e tyre edhe tek ne si organizatë, që së bashku të adresojmë këto probleme tek ndërmarrjet dhe komunat përkatëse, të cilat janë edhe përgjegjëse për zgjidhjen e tyre.

Ashtu siç jemi munduar ta sqarojmë vazhdimisht, aksionet e organizuara nga Let's Do It Kosova janë vullnetare. Në mënyrë vullnetare është organizuar edhe aksioni i madh i pastrimit në tërë Kosovën dy ditë më parë, më 24 maj, me ç'rast Let's Do It Kosova u ka bërë thirrje publike të gjithëve, qoftë qytetarëve apo institucioneve, që të marrin pjesë në aksione të tilla dhe të kontribuojnë për organizimin e tyre, të cilat bëhet krejtësisht në mënyrë vullnetare.

Në anën tjetër, pikërisht në kronikën e transmetuar në lajmet qendrore të 'Kohavisionit' është përmendur se në aksion kanë marrë pjesë vullnetarë e pjesëtarë të FSK-së, ndërsa në aksion nuk janë parë kompani të pastrimit e as përfaqësues komunalë. Po ashtu, FSK në atë aksion ka larguar me ekskavatorë dhe kamion sasi të madhe të materialeve ndërtimore dhe thasë të mbeturinave të grumbulluara.

"Derisa kompani të pastrimit e as përfaqësues komunalë nuk janë parë në këtë aksion, Kosovën e kanë pastruar pjesëtarë të FSK-së dhe punëtorë të Organizatës Botërore për Siguri dhe Bashkëpunim", thuhej në kronikën e transmetuar që e gjeni edhe në linkun: (http://www.koha.net/arberi/20757/50-mije-aktiviste-pastruan-deponi-te-egra/).

Ne i bëjmë thirrje banorit Arsim Rexha, që të vazhdojë të mbikëqyr edhe më tej atë pjesë, e cila u pastrua në aksionin e 24 majit, derisa kjo është shenjë se qytetarët kanë filluar të bëhen më të përgjegjshëm karshi çështjeve mjedisore, për të cilat i inkurajojmë që t'i paraqesin tek institucionet përgjegjëse.