Arbëri

Leksionet e diasporës

Kosovarët vulosën ndryshimin në skenën politike nëpërmjet votës së 6 tetorit. Por është diaspora ajo që, qysh dy vjet më parë, nëpërmjet votës së vet dha mesazhin për ndryshimet që i duheshin vendit nga e kanë origjinën dhe ku i kalojnë ditët e pushimit vjetor, në të cilin shohin ngecje të mëdha krahasuar me shtetet e Perëndimit ku jetojnë e veprojnë.

Në 2017-n, më shumë se 70 për qind e votave që kishin mbërritur në Kosovë nga diaspora i takonin Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), subjekt politik ky që atëkohë ishte ranguar i treti. Më shumë se 50 për qind të votave nga kjo kategori e qytetarëve ishin për të njëjtën parti edhe në zgjedhjet e parakohshme të tri javëve më parë. Pas numërimit të tyre është betonuar fitorja e LVV-së, subjekt që kurrë nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit qendror.

Ky orientim i diasporës ka bërë që deri tash pushteti të mos u krijojë kushte për votim mërgimtarëve, ani se edhe secilit shtetas jorezident në Kosovë, Kushtetuta ia njeh të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, shkruan Koha Ditore.

Ata nuk mund të votojnë në ambasadat a konsullatat që Kosova i ka në shtetet ku pjesëtarët e diasporës veprojnë. Të drejtën mund ta ushtrojnë, ose duke bërë kilometra rrugë deri në Kosovë për të votuar si shtetasit rezidentë, ose nëpërmjet një procedure të komplikuar me postë. Në zgjedhjet e fundit, shumë kishin vendosur t’i nisnin votat me postë, por mijëra zarfe me fletëvotime, ndonëse të nisura në afat ligjor, mbërritën në Prishtinë pas 6 tetorit, e për pasojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar t’i numërojë, ani se lëshime të kësaj natyre ka bërë në lidhje me votat e pranuara nga Serbia.

Emancipimi politik

Diaspora përbën motorin kryesor ekonomik të Kosovës, e edhe atë kulturor e sportiv, por vota e saj nuk i pëlqeu shumëkujt, veçmas atyre që për kohë të gjatë ishin në pushtet. Madje pati media që një pjese të votuesve të diasporës u është referuar si “analfabetë”.

Por është dikush që argumenton se mërgata është shumë më e emancipuar politikisht sesa qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Seb Bytyçi ka mbrojtur tezën e doktoratës në University of York të Londrës dhe drejton Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL). Ai jeton në Angli.

Bytyçi argumenton se, duke jetuar jashtë, diaspora vazhdimisht detyrohet ta krahasojë Kosovën me vendet e tjera, dhe krahasimi i vazhdueshëm, sipas tij, çon drejt dëshirës më të madhe për zhvillime pozitive në vendlindje. Ai liston tri arsye, kur argumenton pse diaspora është më e emancipuar.

“Së pari, diaspora ekspozohet ndaj përvojave e ideve të ndryshme, ndoshta edhe avangarde se i njohin gjuhët e huaja dhe nuk kanë nevojë për ‘ndërmjetësues’. Dhe së dyti, qëndrimet e tyre politike nuk ndikojnë në mirëqenien e tyre, sepse nuk ka rrezik që ta humbin punën si pasojë”, argumenton ai. “Së treti, duke qenë të interesuar më shumë në çështje madhore e nacionale, janë më të emancipuar, përkundrejt lidhjeve provinciale e parokiale që luajnë një rol në politikë”.

Lidhja Demokratike (LDK) drejtohet nga Isa Mustafa, i cili gjatë viteve ’90, si ministër i Financave në Qeverinë në ekzil, ka qëndruar në Gjermani dhe ka menaxhuar me Fondin 3 për qind, në të cilin mërgata ka derdhur qindra miliona euro. Shumicën e kohës së pasluftës, ky subjekt politik ka qenë pjesë e Qeverisë. Por, pas dy vjetësh në opozitë, në zgjedhjet e fundit është ranguar si parti e dytë për nga numri i votave. Megjithëkëtë, ajo siguroi përqindje fare të ulët të votës së ardhur me postë nga diaspora.

Pas kësaj, Mustafa ka deklaruar se “për shkaqet e përcaktimit ose parapërcaktimit të fituesit, do të ishte më e drejtë dhe e udhës që fituesin ta përcaktojnë qytetarët që jetojnë në Kosovë”.

LVV-ja, si parti që rezultati preliminar e bën parti të parë me të drejtë për ta formuar Qeverinë, është përcaktuar që për partner qeverisës ta ketë LDK-në.

Albin Kurti është kandidat që LVV-ja e ka nominuar për kryeministër. Ai është duke zhvilluar negociata me LDK-në për formimin e Qeverisë së re. Prioritet i dytë qeverisës që Kurti dhe partia që e drejton e kanë proklamuar gjatë fushatës elektorale është krijimi i fondit sovran, i cili parashihet t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Ai edhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së “Trepçës”, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit është paraparë të shuhet dhe asetet e saj t’i kalojnë fondit sovran, që sipas LVV-së do të jetë fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial. Kurti disa herë ka theksuar se fondin do t’ia besojnë një eksperti që do ta gjejnë në diasporë, edhe për qëllimin që ta nxitë diasporën të bëhet aksionare e aseteve të Kosovës.

Miliardat si leksion

Po të shtypësh fjalët “diaspora” dhe “Kosova” në motorin më të madh të kërkimit në internet, Google, të shfaqen një listë artikujsh të parë që kryekëput flasin për të hyrat që shteti siguron secilin vit nga mërgata. Artikulli i parë flet për shtimin e të hyrave nga diaspora. Tjetri thekson se diaspora është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Një tjetër trajton investimet e diasporës.

Mbështetur në një raport të publikuar sivjet nga Banka Qendrore, por që flet për vitin e shkuar, remitencat (dërgesat monetare) e pranuara në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore. Ato në 2018-n kanë arritur vlerën prej 800.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5.4 për qind. Sipas vjetarit statistikor të Kosovës për vitin 2019, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, remitencat vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra.

Paraja që diaspora e ndan nga kursimet dhe e fut çdo vit në Kosovë është shumë më e madhe se kaq. Madje është gati sa vetë buxheti vjetor i shtetit.

Është guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, i cili ka deklaruar se në 2018-n diaspora ka kontribuuar në ekonomi me 1,8 miliardë euro. Përpos rreth 800 milionë eurove të ardhura në linjë zyrtare, ai ka përmendur edhe rreth një miliard euro të tjera që kategorizohen si “shpenzimet e udhëtimit”, e që kryesisht realizohen prej shtetasve jorezidentë.

Valon Murati ka qenë ministër i Diasporës një mandat më përpara. Ai e mbështet pohimin e guvernatorit dhe thotë se diaspora vazhdon të ketë një rëndësi të posaçme për Kosovën në shumë aspekte, veçmas në atë ekonomik.

“Unë besoj se me politika të duhura, me forcimin e sundimit të ligjit dhe me luftën kundër korrupsionit, diaspora mund të shndërrohet në një ndër shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thotë ish-ministri Murati. “Në anën tjetër, Kosova veç tash përfiton rreth 1.5 miliardë euro në vit nga diaspora në tre komponentë: atë të remitancave, atë të shpenzimeve gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë dhe në atë të investimeve direkte në ekonomi”.

Por ai thekson se sado që shumë biznese të diasporës kanë investuar në Kosovë dhe janë prezentë në jetën socio-ekonomike, ende shteti është larg në tërheqjen e investimeve nga diaspora, si dhe në shfrytëzimin e lidhjeve të njerëzve në diasporë për të sjellë investime të huaja, por edhe për të shërbyer si lidhje për depërtimin e bizneseve të Kosovës jashtë me produktet e tyre.

“Por diaspora nuk është vetëm financa”, rikujton Murati. “Ajo mbi të gjitha është resurs njerëzor i jashtëzakonshëm, prezent sot në të gjitha sferat e jetës së vendeve ku njerëzit tanë jetojnë. Këto resurse do të duhej të punonim që t’i fusnim në funksion të zhvillimit të Kosovës, por edhe të përmirësimit e ngritjes së imazhit të saj. Sukseset e njerëzve tanë në kulturë e sport veç janë dëshmi e këtij potenciali”.

Nevoja dhe varshmëria nga mërgata janë duke u shtuar, paralelisht shtimit të saj. Trendi i braktisjes së Kosovës nuk është ndalur me çlirimin e vendit, 20 vjet më parë. Valë ikjesh ka pasur vazhdimisht, ndërkaq në vitet e fundit është bërë më i shprehur edhe fenomeni i “ikjes së trurit”, i cili përbën migracionin e punonjësve të kualifikuar. Kosova tashmë është duke e ndier humbjen e përhershme të një force me rëndësi jetike për zhvillimin dhe drejtimin e vendit.

Leksioni në kulturë

Nuk përbën vetëm motor ekonomik diaspora. Në botë, shteti i ri, por edhe kultura dhe sporti i tij, përfaqësohet kryesisht me njerëz që janë pjesë e diasporës.

Kur u publikua lajmi se Kosova për herë të parë do të merrte pjesë në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia më 2012, ky fakt bëri alamet bujë. Në vitin pasues, në të njëjtin vend, Kosova do të prezantohej në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohorë në glob, Bienalen Ndërkombëtare të Artit.

Qyteti italian që përbëhet nga 118 ishuj, priste arkitektët më të zotë që shtetet i kishin përzgjedhur për t’i përfaqësuar. Më 2012 e për vite me radhë Kosovën e “shpëtoi” mërgata. Kabineti i atëhershëm i Ministrisë së Kulturës doli jashtë kufijve shtetërorë, por brenda atyre kombëtarë. Vendosi që arkitekti Përparim Rama, që jeton në Britani të Madhe, të jetë kuratori i pavijonit të Kosovës. “Punuesi i filigranit” mbante titullin vepra me të cilën Rama e përfaqësoi vendlindjen e tij.

Një vit më pas ishte radha e Bienales Ndërkombëtare të Artit. Shteti prapë ktheu kokën nga mërgata. Petrit Halilaj, që në kohë lufte kishte ikur nga vendlindja, e tash jeton kryesisht në Gjermani, u zgjodh që të japë kontribut për vendlindjen. Vepra e tij titullohej “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Ndërtoi në Venecia një fole prej llaçi tradicional e thuprave. Materialin e eksportoi nga vendlindja e tij, Runiku i Skënderajt. Halilaj, që është një prej artistëve më me nam në botë sa i përket artit bashkëkohor, përmes folesë bëri një qark të mbyllur, ku vizitorët përjetonin ndjenjën e izolimit. Kësisoj, përmes gjuhës së artit alarmoi për izolimin që i bëhet Kosovës, qytetarët e së cilës ende nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Rrëfimet e Ramës e të Halilajt përbëjnë një copë të vogël të mozaikut të potencialit artistik që Kosova ka në mërgim. Në secilën fushë të artit, shteti ka të shpërndarë emra që tashmë janë pjesë e hierarkisë më të lartë të famës në botë.

Kur në vitin 2018 Kosova festoi për dekadën e parë të shtetësisë, kryengjarja ishte koncerti në Sheshin kryesor të Prishtinës. Ngjarjen e çonte në tjetër nivel ngjitja në skenë e Rita Orës. Ishte veç dy vjeçe kur familja e saj u zhvendos në Britani të Madhe. Nuk e ka fort lehtë të flasë shqip. Por gjithandej tregon se vjen nga një vend i vogël që numëron rreth dy milionë banorë.

Përballë saj në Shesh ishte turma më e madhe që ndonjëherë në Kosovë ka marrë pjesë në një ngjarje artistike. Ora shkoi përtej asaj që pritej. Kombinoi një valle tradicionale me muzikën e këngës së saj “Black Widow”. Kjo i “çoi peshë” të pranishmit. Një ritëm tradicional shqiptar kombinohej e promovohej përmes një kënge që aktualisht ka hiç më pak se 557 mijë milionë klikime në “You Tube”. Pos kësaj realizoi një video, përmes së cilës fliste për vizitën e saj në Kosovë e për nevojën që shteti duhet promovuar.

Kolegia e saj në muzikë, Dua Lipa, aktualisht është një prej yjeve kryesore në botë. Kohëve të fundit ka marrë çmimet më prestigjioze që ka globi në industrinë e muzikës. Me të atin, Dukagjin Lipa, kanë themeluar festivalin “Sunny Hill Festival”. Këtë vit e atë paraprak ky festival ishte ngjarja kryesore e muzikës në Kosovë, e cila ka sjellë emra botërorë për të interpretuar në Prishtinë. Qëllimi është promovimi i vendit të tyre. Lipa e ka thënë shpesh se është duke shfrytëzuar lidhjet e saj shoqërore me artistë që t’i sjellë ata në Kosovë.

Po në botën e muzikës, por në një tjetër zhanër, shkëlqejnë edhe kosovarët si Elbenita Kajtazi e Ramë Lahaj. Që të dy kanë shkuar jashtë vendit duke kërkuar hapësirë për të nxjerrë në pah potencialin e tyre. Lahaj ka arritur që të interpretojë në skenë bashkë me yje të muzikës klasike si Placido Domingo. Madje vetë Domingo e vlerëson atë lart. Performancat e Lahajt në opera nga Sydney e deri në “Bolshoi” të Moskës tashmë janë një rutinë për të. Në gushtin e sivjetshëm ka mbajtur koncertin e fundit në Prishtinë. Sheshi kryesor i kryeqytetit u mbush me ata që donin të dëgjonin zërin e tenorit.

Elbenita Kajtazi nuk është se është pritur aq mirë në Kosovë në fillet e saj të karrierës. Por ajo u vlerësua në një audicion në Gjermani. Potenciali i saj prej sopranoje bëri që Kajtazi të jetë një prej anëtareve më të reja të “Deutsche Oper” në Berlin. Ky nuk është suksesi i saj i vetëm. Është vlerësuar lart kudo që ka interpretuar.

Artistët e Kosovës që jetojnë e punojnë nëpër botë bartin edhe një barrë goxha të rëndë mbi supe. Atë të kontributit për vendin e tyre.

Petrit Halilaj vazhdimisht në ambientet e galerive prestigjioze veprat i ndërton me copëza të Kosovës. Për veprën “Abetare” kishte marrë “Mirënjohje Speciale” në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia më 2017.

Halilaj thotë se beson në potencialin që lëvizja e njerëzve, ideve, apo materialeve mes një vendi në tjetrin krijojnë pikëpamje të reja të njerëzve të rinj, dhe kjo sjell diçka të pazëvendësueshme.

“Nevojën që e ndiej unë personalisht ndërlidhet me nevojën kolektive që e kemi si shoqëri që ta gjejmë identitetin tonë dhe vendin tonë në botë”, thotë ai. “Puna ime është goxha e lidhur me biografinë time, me jetën time e materialet që i përdori apo i sjell në punën time nga Kosova kanë motive të ndryshme”.

Ngulmon se artistët si ai nuk duhet ta shohin vetën në planin e një tentimi personal për të folur për Kosovën.

“Jam shumë më i interesuar të krijoj pyetje të reja që e tregojnë historinë në gjuhë artistike, dhe që jo gjithmonë përputhet me narracionin e përgjithshëm se si flasim për historinë”, thotë ligjëruesi i Shkollës Kombëtare të Arteve në Paris.

Kolegu i Halilajt, Sislej Xhafa, ia ka dalë që të përfaqësojë zemrën e artit botëror, Italinë, në Bienalen e Venecias më 2013. E katër vjet më vonë, artisti që jeton në New York e përfaqësoi Kosovën. Përmes një kabine telefonike, vepër të cilën e kishte titulluar “Lost and Found” (E humbur dhe e gjetur) kishte alarmuar për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë.

Xhafa thotë se gjërat në zemër nuk mbarojnë kurrë.

“Kjo vlen për vendin ku kemi lindur. Vendi nga vij: Kosova. Arti, veçanërisht imi, nuk lind si mirëmbajtje e një fraksioni politik ose një shfrytëzim i atdheut si ndjenjë e detyrës. Përkundrazi, një dashuri e vazhdueshme dhe e heshtur që shoqëron gjithë prodhimin tim artistik pa asnjë narcizoizëm, mbase ndonjëherë edhe pak dhimbje, por që jam krenar me punën time që bëj në të gjithë botën”, thotë ai. Xhafa bashkë me emrat e tjerë të Kosovës në botë, janë duke i dhënë dimension tjetër historisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. E duke e bërë këtë përmes artit ata prekin thellë audiencat. I prekin në ndjenja.

Leksioni në sport

Klubet kosovare të futbollit janë larg përfaqësimit dinjitoz në garën më të madhe në Evropë - Ligën e Kampionëve. Në tri edicionet e fundit, skuadrat kampione të Kosovës nuk ia kanë dalë të kalojnë as raundin e parë eliminator, e duhen kaluar tri raunde, plus faza e plejofit për të siguruar vend në fazën e grupeve, aty ku garon elita. Por Kosova ka pasur dhe ka përfaqësuesit e saj edhe në këtë fazë. Madje e ka fituar përmes tyre duke marrë edhe njohje në arenën ndërkombëtare.

Xherdan Shaqiri e ka fituar dy herë garën më prestigjioze të klubeve, me dy skuadra të ndryshme: me Bayernin e Mynihut në vitin 2013 dhe me Liverpoolin këtë vit. Kontributi i tij nuk ishte i madh, por njohja që iu bë Kosovës përmes këtij suksesi vlerësohet tejet i madh. Pas finales së vitit 2013, kur Bayerni mposhti Dortmundin (2:1), Shaqiri bëri bujë duke festuar me një flamur të kombinuar, të Kosovës dhe të Zvicrës. Me këtë prania e Kosovës në finale vetëm sa u shtua.

“Unë gjithmonë e kam Kosovën me vete, kështu që edhe pas këtij triumfi doja t’u tregoja të gjithëve për Kosovën dhe ta festoja këtë sukses të madh”, pati thënë Shaqiri pas finales së fituar të “Championsit” me Bayernin. “Jam krenar për vendlindjen time, dhe këtë asnjëherë nuk kam hezituar ta tregoj”.

Shaqiri mbetet futbollisti i vetëm shqiptar që ka fituar Ligën e Kampionëve, por suksesi i tij dhe i të tjerëve të lindur ose rritur në vendet evropiane është pa fund.

Vatër e talentëve kosovarë vlerësohet Zvicra, por edhe Gjermania, vende që kosovarët i kanë zgjedhur për jetë më të mirë, kryesisht gjatë viteve ’90. Shaqiri shkoi me familjen në Zvicër si njëvjeçar. Ndërkohë ylli tjetër i Zvicrës, Granit Xhaka, u lind në këtë vend. Sot ai është kapiten i Zvicrës dhe i klubit të madh Arsenal. Bashkë me Shaqirin, Valon Behramin e të tjerë, kanë marrë pjesë në disa botërorë e evropianë, duke qenë kyç në sukseset e vendit “helvetik”.

Shaqiri në Botërorin e fundit të mbajtur në Rusi më 2018, zgjodhi të luajë me këpucë futbolli ku kishte të stampuara flamujt e Zvicrës dhe të Kosovës.

“Ju mund të shihni historinë time në këpucët e futbollit me dy flamuj. Shumë njerëz e keqkuptojnë këtë. Unë jam lindur në Kosovë dhe jam rritur në Zvicër. Kosova është një pjesë e madhe e historisë së jetës sime dhe do të jetë gjithmonë me mua”, ka thënë Shaqiri gjatë botërorit “Rusia 2018”.

E reklamë Kosovës dhe shqiptarëve, më shumë se me këto këpucë, ai dhe Xhaka bënë kur festuan golat e fitores ndaj Serbisë (2:1), duke bërë shqiponjën dykrenore me gishtërinjtë e duarve. Krahas raportimit për këtë që mediat më të mëdha botërore bënë, ato treguan edhe historinë e mërgatës kosovare - nga detyrimi për ta lëshuar vendin shkaku i represionit të vazhdueshëm të Serbisë, deri te lidhjet e forta që yjet e futbollit, sikur Shaqiri e Xhaka, mbajnë me vendin nga e kanë origjinën.

“Festimi im me shqiponjë ishte për të gjithë bashkëkombësit e mi në Shqipëri, Kosovë dhe Zvicër. Nuk ishte provokim për askënd”, kishte thënë Xhaka për festën pas golit që shënoi ndaj Serbisë në Botëror.

Në Zvicër po rriten edhe talente të tjera kosovare. Zvicra vazhdon të marrë më të mirët, si Albion Ajetin për shembull, por ka edhe për Kosovën. Baza e Përfaqësueses së Kosovës, që po bën bujë me rezultate të mira në fushatën eliminatore për “Euro2020”, është me lojtarë të rritur në Zvicër. Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu, Florent Hadërgjonaj, Idriz Voca e disa të tjerë janë lindur ose rritur në Zvicër. Disa edhe kanë përfaqësuar grupmoshat e reja të këtij vendi. Ndër emrat më ikonikë të këtij vendi mbetët Valon Behrami. Ai nuk arriti të luante për Kosovën, por në shumë raste e ka promovuar atë. Ai, Shaqiri, Xhaka dhe të tjerë yje të Kosovës në Evropë, më 2015 firmosën një peticion për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

“Vlerësojmë lart peticionin e firmosur nga yjtë tanë në Evropë, por duhet theksuar se kontributi i tyre për çështjen e Kosovës nuk ndalet me kaq. Ata kanë punuar e kontribuar vazhdimisht që Kosova të pranohet në institucionet ndërkombëtare”, ka deklaruar Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Nga rritja e kosovarëve në Evropë ka përfituar shumë edhe Shqipëria. Shumica në përbërjen kuqezi që arriti në Evropianin 2016 në Francë ishin kosovarë. Edhe sot e kësaj dite, te Shqipëria luajnë disa kosovarë, por pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016, ndikimi i tyre është zvogëluar.

Sot lojtarët kosovarë luajnë në ligat më të forta evropiane, dhe në këtë mënyrë, pos të tjerash, vazhdojnë të promovojnë edhe origjinën e tyre.

Seb Bytyçi flet për arsyet e kësaj lidhjeje.

“Diaspora është e lidhur me vendin për disa arsye. Së pari, ende ka lidhje të forta familjare, së dyti, historia traumatike është faktor i rëndësishëm”, thotë Bytyçi, që jeton në Londër. “Mërgata ka investuar shumë në fatin e vendit që nga vitet e ’80 e ’90, dhe rrjedhimisht i përcjell zhvillimet, dhe ka interes që ta shohë vendin të suksesshëm në secilën fushë”.

(Keq)trajtimi

Kosova ka diasporë të madhe. Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave, llogaritet të jenë deri në 800 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, por në regjistrimin e bërë, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë, deri më tani janë regjistruar vetëm gjysma e këtij numri.

Kosova vihet në gjah në diasporë kur i duhen lojtarë për ta bërë përfaqësuesen, kur i duhen artistë për ta përfaqësuar vendin në ngjarje botërore, apo edhe kur i duhen infuzione financiare. Por iu vë barriera, kur vjen në rend dite përfaqësimi i tyre në institucionet shtetërore, e madje edhe realizimi i së drejtës kushtetuese për të votuar.

Kuvendi prej 120 anëtarësh ka 20 vende të rezervuara për komunitetet, por asnjë për diasporën. Edhe në Qeveri ka proporcion të këtillë përfaqësimi. Pavarësisht se ka pasur disa iniciativa për reformën zgjedhore, deri tash nuk ka marrë vëmendje serioze as çështja e këtij përfaqësimi dhe as lehtësimi i procesit të votimit.

Ish-ministri Valon Murati thotë se varianti më i duhur i përfshirjes së diasporës në jetën politike në Kosovë do të ishte përmes krijimit të 5 ose 6 vendeve të rezervuara për ta në Kuvendin e Kosovës, e për të cilat thotë se do të garonin, por jo duke u nisur nga përkatësia partiake, por si kandidatë të pavarur.

“Vazhdoj të besoj se politizimi i diasporës me logjikën e Kosovës e dëmton atë dhe funksionimin e saj si shtyllë zhvillimore. Sigurisht për t’i pasur vendet e rezervuara duhet të ndryshojë Kushtetuta e vendit, gjë që për shkak të vështirësive në ndryshimin e saj nuk mund të pritet që do të ndodhë shpejt”, ka thënë Murati. “Deri atëherë duhet të lehtësohet mundësia e votimit për të gjithë ata që janë qytetarë të Kosovës e jetojnë jashtë saj”.

Ai tregon edhe se cila ka qenë qasja shtetërore ndaj diasporës sa ka qenë ministër. Sipas tij, problemi kryesor i qasjes si shtet ka qenë se nevojave të mëdha të diasporës sidomos në fushën e mësimit të gjuhës shqipe dhe aktiviteteve kulturore është dashur t’iu përgjigjet me një ministri me buxhet të vogël. Sidoqoftë, thotë të ketë bërë përpjekje për të adresuar çështjet kryesore që ata i mundojnë në fushën e arsimit shqip, por edhe të aktiviteteve kulturore, e njëkohësisht për të punuar në rrjetëzimin e bizneseve, të të rinjve e kategorive të tjera.

“Kemi qenë zëri i diasporës në Kosovë dhe kemi punuar shumë që të adresojmë problemet dhe pengesat që kanë hasur bizneset nga diaspora gjatë përpjekjeve për të investuar në Kosovë. Jam i lumtur që nivelin e aktiviteteve kulturore si në diasporë përmes ‘Ditëve të kulturës shqiptare’ si në Kosovë gjatë ‘Muajve të diasporës’ e kemi ngritur në një nivel më të lartë. Me një buxhet të vogël kemi realizuar regjistrimin e diasporës, projekt i cili do të duhej të vazhdonte për t’u kompletuar”, ka thënë ish-ministri Murati. “Mendoj që me punën tonë kemi arritur të kthejmë diasporën në temë diskutimi jo vetëm brenda Qeverisë dhe mekanizmave të tjerë shtetërorë, por edhe debatin publik. Fatkeqësisht, kam përshtypjen se të arriturat në fushën e punës me diasporën, në vend se të arrijnë maja më të larta nga qeverisja në qeverisje, gjatë mandatit të kaluar ka pësuar rënie”.

Edhe Seb Bytyçi ka shtruar nevojën për shtimin e disa vende të garantuara në Kuvend për diasporën, proporcionalisht me popullsinë, ashtu siç janë për pakicat etnike. Ngjashëm ka thënë se duhet vepruar edhe në Qeveri, por, sipas tij, kërkohet një ministri apo së paku zëvendësministri për Diasporën, që të jetë nga mërgata.

Ai ka rikujtuar se mërgata është vazhdimisht në rritje për shkak të emigrimit dhe shtimit të popullsisë në diasporë.

Bytyçi ka kritika për trajtimin që Kosova i bën diasporës.

“Trajtimi është i përzier nga shoqëria në përgjithësi (politika, mediat, individët etj.). Ka sektorë të shoqërisë që e kuptojnë rolin e diasporës e që e respektojnë atë dhe i japin hapësirë (por ende jo të mjaftueshme). Ka të tjerë që e dinë këtë rol dhe janë të pakënaqur me të dhe e kritikojnë diasporën, dhe ka disa elementë të tjerë që nuk e kuptojnë mirë rolin e diasporës dhe flasin kundër saj ose janë neutralë”, ka theksuar Bytyçi. “Më duhet t’ju përkujtoj se diaspora në përgjithësi në botë luan rol të madh. Globalisht remitencat (dërgesat) priten të jenë 715 miliardë dollarë më 2019, dhe ato po rriten vazhdimisht. Dërgesat janë rreth 15 për qind e Bruto Produktit Nacional (BPN/GDP) në Kosovë, që e bën vendin tonë ndër më të varurit nga diaspora. Dhe kjo pritet të jetë kështu, ose të rritet në të ardhmen. Prandaj duhet kuptuar mirë rolin dhe mundësinë që ofron diaspora për zhvillim”.