Arbëri

Lekajt i vjen keq që deputetët janë kthyer në numra, por garanton se PAN-i i ka votat

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pohuar se ata tashmë i kanë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe formimit të Qeverisë.

Ai pas regjistrimit si deputet i kësaj legjislature, ka thënë se Qeveria pritet të formohet së shpejti.

“Sa i përket seancës, ne mendojmë që Parlamenti i Kosovës, do të konstituohet më 3 gusht, do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët, që është procedurë që të jetë i përfunduar konstituimi i Kuvendit, që lë hapësirë pastaj për krijimin e Qeverisë. Ne e kemi thënë që nuk ka vonesa, do të mundohemi që në kohën më të shkurtër të mundshme të formohet Qeveria”, ka thënë Lekaj.

“Kur jemi tek numrat, që tani më vjen keq që i kemi shndërruar deputetët në numra, por unë e them që e kemi mbështetjen e deputetëve të parlamentit të Kosovës, që e kanë marrë besimin e qytetarëve dhe këtë janë të mjaftueshëm për krijimin e institucioneve të Kosovës”, ka shtuar më tej ai.

Ndërsa i pyetur se a ka mundësi që dhe Qeveria të krijohet në të njëjtën ditë me Kuvendin, më 3 gusht, Lekaj tha se qeveria do të formohet në kohën më të shkurtë të mundshme, por s’është e thënë që të formohet po atë ditë.

“Sa i përket votimit të Qeverisë së Kosovës, ne mendojmë që do t’i kemi parasysh ligjet e Kosovës, rregulloren e Kuvendit dhe në kohën më të shkurtë të mundshme, do të formohet Qeveria, por nuk do të thotë që atë ditë të formohet Qeveria, por nuk do të vonohemi. Kur them që nuk do të vonohemi janë në pyetje një ose dy ditë, që të kemi dhe Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa sa i përket kushteve të vëna nga partitë minoritare në këmbim të votës, Lekaj tha se Haradinaj nuk bënë kompromise të dhimbshme që janë në disfavor të Kosovës, por se ai do t’u japë atyre vetëm ato që u takojnë me ligje dhe Kushtetutë dhe asgjë më shumë.

“Të jeni të bindur se duke e njohur kryeministrin e Kosovës z. Haradinaj që do të zgjidhet 100 për qind, ne mendojmë që ai ka treguar edhe në kohët më të vështira, që nuk bënë kompromise të dhimbshme në disfavor të Kosovës, por që është njeri që ka luftuar dhe punon për të mirën e vendit dhe për trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve. Dhe në këtë prizmë unë them se z. Haradinaj do të iu japë atë që duhet për me dhanë, që e kanë me ligjet e Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës dhe asgjë më shumë”, tha ai.