Deputeti i deritashëm i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se rrëzimi i qeverisë nuk është përmbushje e misionit të opozitës.
Lekaj përmes Facebookut ka thënë se tani është koha që të ndryshohet nga rrënja modeli qeverisës.
“Sot siç ishit edhe ju dëshmitarë, ishte një ditë e ngarkuar në Kuvendin e Kosovës, me akuza e kundër akuza, megjithatë diçka u arrit. Por qëllimi ende nuk është përmbushur, në drejtim të ndërprerjes përfundimtare të asaj keqqeverisje, sepse kemi ende punë për të bërë deri në arritjen e rezultatit final e produktiv për Kosovën, ndryshimin nga rrënja e modelit qeverisës”, ka shkruar ai. “Përmbushja e detyrimit nga ne dhe ju do të ndodhë atëherë kur përfundimisht këtë qeveri dhe koalicionin e deri sotëm, gati, gati autoritar, ta dërgojmë në opozitë. Kjo arrihet në ditën e zgjedhjeve që tanimë pritet të dekretohet data e tyre nga "presidenti" i vendit”.
Pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa, Lekaj thotë se duhet të ketë prurje të reja në udhëheqje të vendit në të gjitha drejtimet.