Kompania gjermane “Lufthansa” dhe nënkompania e saj “Eurowings”, që fituan të drejtën për operimin e linjës Prishtinë-Beograd, kanë histori paraprake me Kosovën.
Në maj të 2018-s kjo kompani përfitoi një tjetër favor nga shteti - linjën e pakufizuar ajrore për Zvicër dhe anasjelltas, raporton KTV.
Kjo ishte mundësuar kur ministri Pal Lekaj ia kishte dhëne të drejtën për të operuar nga Zvicra, e drejtë kjo e njohur si dezignim, kompanisë gjermane “Eurowings”.
Edhe pse kjo kompani, pjesë e “Lufthansas”, e fitoi të drejtën e pakufizuar për operime mes Kosovës dhe Zvicrës, deri më tash jo ka zgjedhur të operojë vetëm në aeroportet dytësore zvicerane të Gjenevës dhe Bazelit, ku veç ka konkurrencë, por jo edhe në aeroportin e Cyrihut, ku fluturojnë mbi 1/3 e udhëtarëve.
Ky vendim ishte marrë duke u bazuar në një memorandum mirëkuptimi mes Kosovës dhe Zvicrës të 26 shtatorit 2009, për shërbime ajrore të ndërsjella.
Por, për shkak se Kosova nuk ka kompani ajrore të sajën që do ta shfrytëzonte këtë të drejtë, Lekaj ia ka deleguar këtë të drejtë kompanisë gjermane “Eurowings”.
Në vendimet që i posedon KTV-ja, shihet se vendimi ishte marrë në qershorin e vitit 2018 nga Pal Lekaj.
Aty thuhet se janë marrë për bazë përfitimi i publikut, efekti në zhvillim i aviacionit dhe reputacioni i kompanisë.
Megjithëse Lekaj më herët i kishte thënë KTV-së se vendimi është marrë duke respektuar procedurat e konkurrencës, dokumentet flasin për tjetër gjë.
Në fakt rekomandimi i Ismail Berishës, u.d. i Departamentit të Aviacionit Civil, drejtuar ministrit të Infrastrukturës dhe në atë kohë këshilltar i lartë politik i tij, Eset Berisha, flet për interesimin që kishin shfaqur dy kompani gjermane për këtë linjë - aviokompania “Germania FLUG” dhe “Eurowings”.
KTV-ja ka mësuar nga burime të afërta me këto zhvillime se interesim për të operuar në Zvicër kanë shprehur edhe kompania “Adria” dhe kompania me kosto të ulët “WizzAir”.
Në arsyetim të rekomandimit, Berisha thotë se nuk ka rregulla të shkruara për dezingnim dhe se vendimi duhej të merrej nga ministri.
Por Ministria, pa treguar procedurat, kishte vendosur që dezingnimin t’ia jepte kompanisë “Eurowings”.
Këshilltar për çështje të aviacioni i Pal Lekajt në atë kohe ishte Eset Berisha, njeriu i vetëm nga “delegacioni kosovar”, i cili u pa në Berlin duke nënshkruar letër-qëllimin për linjën Beograd-Prishtinë, e që tani është drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil në Kosovë, siç thuhet në këtë dokument.
“Eurowings” dhe kompanitë zvicerane “Edelweiss” dhe “Swiss”, të cilat operojnë në Cyrih, janë të gjitha në pronësi të kompanisë “Lufthansa Group”.
Por, si bashkëpunëtor i “Eurowings” në Kosovë është kompania “Eurokoha” e Remzi Ejupit.
Në të dhënat e ARBK-së figuron që “Eurowings” u regjistrua në emër të Sherif Avdiajt, i cili ka menaxhuar disa biznese të Remzi Ejupit.