Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK thotë se tash për tash nuk proteston

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se tash për tash nuk është momenti i duhur për të protestuar në rrugë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se është diskutuar për “keqqeverisjen e qeverisë Haradinaj, dialogun me Serbinë dhe transformimin e FSK-së në Ushtri”.

“Në momentin kur vlerësojmë se do të duhet të ketë protestë do të organizojmë apo do të bashkohemi me të tjerët për to. Për momentin mendojmë se ka instrumente tjera që të tregojmë qëndrimin e LDK-së dhe nuk e konsiderojmë se tash të dalim në rrugë e të protestojmë për këto çështje. Nëse e vlerësojmë se ka ardhur koha, atëherë do të marrim vendim dhe do të marrim përgjegjësinë për protestë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se si LDK e përkrahin procesin e dialogut, por ka thënë se janë kundër korrigjimit të kufijve me Serbinë.

“Fillimisht le të na njohë Serbia me kufijtë aktualë dhe pastaj mund të flasim për kufij nëse është në interesin tonë. Na ka pranuar edhe Gjykata Ndërkombëtare. Diskutimi për kufij tash është hapje e deklaratës së pavarësisë, hapje e shtetësisë. Përkrahim dialogun si proces, por konsiderojmë që për çështjet që po insistohet të dialogohen janë çështje që kërkojnë kohë e institucione me legjitimitet kushtetues e pajtueshmëri të gjerë të të gjitha subjekteve politike në vend, shoqërisë, institucioneve e të gjithëve. Çështja e dialogut s’është emergjente që duhet të kryhet me çdo kusht për disa muaj, por kërkon që institucionet e gjitha subjektet relevante të përcaktojnë qëllimin që kanë për të realizuar si version përfundimtar nga dialogu”, ka thënë ai duke shtuar se dialogu u ka vënë hije problemeve të shumta të qytetarëve.

Mustafa ka thënë se LDK-ja përkrah transformimin e FSK-së në Ushtri, duke shtuar se “shpresojmë që qeveria ka kryer konsultat me ndërkombëtarët për këtë transformim”.

Ai ka shtuar se opozita më s’po ka kujt t’i bëjë opozitë sepse ka përballë “qeveri të pakicës”. Mustafa ka thënë se pozita është jofunksionale dhe s’po merret me interesat e qytetarëve. Ish-kryeministri ka thënë se zgjedhjet duhet t’i interesojnë më shumë pozitës, “duke parë mospunën”.

Sa i përket përplasjes së nënkryetarit Lutfi Haziri me deputeten Vjosa Osmani, Mustafa ka thënë se si parti nuk sanksionojnë komunikimet e njerëzve.

Mustafa ka komentuar edhe qëndrimin e deputetes Teuta Rugova, kundër qëndrimit të LDK-së duke thënë se janë përballur disa herë me raste të tilla.

“Nuk është hera e parë që kemi raste të tilla. Në mandatin e kaluar kemi pasur disa deputetë. Duhet të marrë mend. Të përcaktohet me kë është, nëse është me neve të votojë për neve, nëse jo le të caktohet. Nuk varemi prej një votë, por dëshirojmë ta respektojmë institucionin dhe votën e deputetit. Me rëndësi është të respektojë vetveten dhe me votat e kujt ka ardhur në Kuvend. Nëse s’e di më pas e merr vesh, siç po ndodh me deputetët tjerë”, ka shtuar ai.

Artikuj të ngjashëm