Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja paralajmëron zgjedhje në shtator

U thirr si takim i liderëve, por Shpend Ahmeti ishte i vetmi lider politik në takimin e së mërkurës në një nga hotelet e Prishtinës.

Ky takim i paralajmëruar nga presidenti, e i organizuar nga shoqëria civile, në tentim të arritjes së një konsensusi për dialogun, vetëm sa vuri edhe më shumë në pah ndarjet mes pushtetit e opozitës, raporton KTV.

Partitë opozitare thonë se presidentit i ka munguar guximi që të thërrasë vetë takimin duke e ditur refuzimin që do t’ia bënte opozita.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, i ka quajtur blerje kohe këto takime, madje ka thënë se në të tilla nuk duhet të shkohet fare.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se tryezat e mbyllura janë të papranueshme.

Ajo ka paralajmëruar se Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë asnjëherë në tryeza të tilla, që i shkojnë për shtati presidentit e Qeverisë.

Ndërkohë, LDK-ja tash e sa kohë ka paralajmëruar se do të thërrasë tryezën përmbyllëse të partive politike, meqë asnjë nga të katër tryezat që janë organizuar deri tash, nuk ka sjellë rezultate.

Por, AAK-ja thotë se për këtë nuk mund të pyetet një parti.

Ndërkohë, LDK-ja ka paralajmëruar shumë zhvillime për shtator.

Radha për tryezën e partive kalon tek AAK-ja, pas LDK-së, PDK-së, Vetëvendosjes e PSD-së.

Artikuj të ngjashëm