Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK e LV e kanë në tavolinë opsionin e presidentit konsensual

Foto: VV

Një president konsensual, i cili nuk do të jetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e një koalicioni qeverisës ndërmjet këtyre dy partive, nuk përjashtohet nga tavolina e bisedimeve.

Por, përderisa kjo mbetet vetëm si një alternativë për arritjen e marrëveshjes ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, të dy partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje konkrete, raporton Radio Evropa e Lirë.

Krahas marrëveshjes për koalicion qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston që të ketë edhe një marrëveshje për presidentin e ardhshëm i cili do të zgjidhej pasi që t’i skadojë mandati presidentit aktual, Hashim Thaçi, në vitin 2021.

Në këtë pikë edhe janë bllokuar negociatat midis LVV-së dhe LDK-së për koalicionin qeverisës.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke vazhduar bisedimet për të gjitha modalitetet dhe se ndërmjet dy partive nuk ka marrëdhënie kushtëzimi

Edhe Haxhiu: Dakordimi i sotëm për presidentin, hap drejt funksionalizmit të institucioneve Arbëri Haxhiu: Dakordimi i sotëm për presidentin, hap drejt funksionalizmit të institucioneve

Haziri thotë se të gjitha çështjet janë të hapura në tavolinën e bisedimeve, përfshirë edhe çështja e një presidenti konsensusal.

“Është në tavolinë ajo. Krejt janë duke u biseduar çështjet e hapura. Nuk mund të them se përjashtohet një bisedim ose u pranua. Është çështje që ka mbetur si modalitet në tavolinë”, u shpreh Haziri.

Ndonëse të dy partitë kanë deklaruar se kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës, ndarja e disa dikastereve ende është duke u negociuar, ndërkohë që çështja më problematike mbetet pozita e presidentit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. Por, më herët, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar para medieve që insistimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që të ketë postin e presidentit, është i padrejtë.

“Kërkesa për të pasur kryetarin e Kuvendit, presidentin - dhe në veçanti presidentin - për Vetëvendosjen është e padrejtë”, ka thënë Haxhiu

Edhe Haxhiu, optimiste për marrëveshje me LDK-në – një deputet i VV-së shpreh dyshime Arbëri Haxhiu, optimiste për marrëveshje me LDK-në – një deputet i VV-së shpreh dyshime

Haxhiu u ka thënë më herët medieve vendore që të dy partitë duhet të jenë fleksibile dhe se ekziston mundësia që president të bëhet dikush që nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje apo Lidhjes Demokratike të Kosovës, por një person unifikues.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.