Arbëri

Latifi: Të mos lejojmë që UÇK-ja të hidhet në ankand

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se vlera e lirisë është e paprekshme, e se po aq e paprekshme është edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Latifi ka folur në Ditën e Çlirimit të Rahovecit të hënën. Ai ka thënë se po provohet të njolloset e baltoset UÇK-ja, por se nuk do të lejohet kjo.

"Vlera e lirisë është e paprekshme, po aq e paprekshme është edhe UÇK-ja. Ndaj saj kemi detyrim të sillemi me respekt në secilin rast edhe kur ato tentohen të njollosen dhe baltosen. Jemi dëshmitar kur provoi UNMIK-u, EULEX-i e tash Gjykata Speciale, por ne nuk duhet të lejojmë që ato të hidhen në ankand për tu tregtuar. E dimë ne që e përjetuam se kush bëri krime lufte e terror. Krimet dhe masakrat i bëri Serbia. Ajo meriton gjykim dhe ndëshkim, kriminelët e saj. Nuk duhet kurrë, sepse shumë shtrenjtë e kemi paguar çmimin e lirisë, andaj ta ruajmë përjetë këtë vlerë të përbashkët, e cila është e jona. Ta lartësojmë veprën e dëshmorëve dhe luftën tonë çlirimtare, brigadën 124 dhe gjithë rrugëtimin tonë", tha ai.

Duke folur për 14 qershorin, Ditën e Çlirimit të Komunës që e udhëheq, Latifi tha se data si kjo nuk do të harrohen kurrë dhe se brigada 124 lartësoi flamurin e luftës çlirimtare gjatë gjithë rrugëtimit.

"Rahoveci me rrethinë humbi luftën që bënë jetën si me le, duke i bërë nder atdheut shumë e shumë bashkëluftëtarë që fituan betejat, e plot nga ta morën plagë e janë invalidë të luftës, por i dha lirisë edhe shumë bashkëqytetarë të paarmatosur. Rahoveci me rrethinë përjetoi edhe tmerrin e 11 masakrave të tmerrshme në Rahovec, Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë, Brestoc, Opterushë, Retijë, Pastasel, Brestoc, Hoçë të Vogël, Nagac, e mbi gjithë këto dhimbje e plagë të hapura, u ngrit e eci përpara, duke ruajtur me fanatizëm dhimbjen e madhe dhe krenarinë e ligjshme", tha Latifi./KSP