Është lansuar shërbimi për pagesat elektronike për qytetarët.
Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, morën pjesë në lansimin e pagesave elektronike.
Nëpërmjet kësaj synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare, pa prezencë fizike.
“Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike, synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, tha Kurti.
Sot u fillua me pilotimin e pagesave elektronike për shërbimet qeveritare që janë një komponent përbërës i rëndësishëm për realizimin e shërbimeve të e-qeverisjes. Qëllimi është që qytetarëve t’iu ofrohet mundësia që shërbimet e iniciuara në mënyrë elektronike në portalin e-Kosova, të mund edhe të përfundohen në mënyrë elektronike brenda portalit qeveritar. Gjatë fazës së pilotimit, pagesat elektronike fillimisht do të aktivizohen për pagesën e tatimit në pronë, si dhe pagesën e gjobave në trafik. Pritet, që së shpejti pagesat elektronike të përdoren edhe për shërbime tjera qeveritare, si vazhdimi i regjistrimit të veturës.