Arbëri

Lajçaku: Takim jo i lehtë me Kurtin, Vuçiqi pati qasje të përgjegjshme

Pesë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara qëndruan të premten në Kosovë dhe në Serbi. Të kryesuar nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ata zhvilluan takime me kryeministrin Albin Kurti në Kosovë e me presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi. Pas takimit në Prishtinë, emisari Lajçak shprehu ankesë për mungesë të mirëkuptimit nga ana kosovare lidhur me propozimin evropian për dialogun. E te presidenti i Serbisë, Lajçaku tha se pa qasje të përgjegjshme e vullnet për të marrë vendime të vështira.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është ndarë i kënaqur me takimin dyorësh të zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak, i cili qëndroi të premten për vizitë në Prishtinë e Beograd, i shoqëruar nga katër zyrtarë të tjerë të lartë evropianë e amerikanë të angazhuar në procesin e dialogut, e kualifikoi takimin me Kurtin si jo të lehtë.

“Kemi më shumë se dy orë me kryeministrin, që do të thotë se takimi ishte i gjatë. Nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë, shumë i hapur. Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë. Çfarë dua, megjithatë, të them në këtë pikë, është se ne kemi pritur kuptim më të mirë për mundësitë që ky propozim i ofron”, u shpreh Lajçaku pas takimit me Kurtin.

Hollësi nga takimi nuk ndau Zyra e kryeministrit. Në një njoftim për media thuhet se në takim është diskutuar për propozimin evropian e për të drejtat e pakicave.

Por, me një situatë tjetër, Lajçaku u përball në Serbi. Sipas tij, presidenti Vuçiq ka treguar qasje të përgjegjshme dhe vullnet “për të marrë vendime të vështira”.

Emisari evropian, marrëveshjen për Asociacionin e konsideroi element kyç për stabilitet.

“Për ne, zbatimi në kohë i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe integrimin e rajonit”, ka thënë Lajçaku në Beograd.

E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se pranon planin evropian, derisa përmendi se ka disa kushte rreth tij, por që nuk ndau hollësi.

“Njerëzit duhet ta dinë se këtu nuk ka biseda të bukura apo të ëmbla, e vetmja gjë që mund të them është se kam bërë maksimumin për të mbrojtur Serbinë, gjë që do të vazhdoj ta bëj për të paktën edhe një kohë”, u shpreh Vuçiqi.

Lajçaku gjatë vizitës në Kosovë e Serbi udhëhoqi delegacionin e përbërë nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltarët e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si dhe të kryeministres italiane, Giorgia Meloni.