Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, beson se në takimin e të hënës më 27 shkurt mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të pranohet propozimi franko-gjerman, e do të bëhet i detyrueshëm për të dyja palët.
Lajçak në një intervistë për “Tanjug” ka thënë se është edhe plani i implementimit dhe afatet kohore të definuara.
“Plani, që besoj se do ta pranojmë të hënën, do të bëhet i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është marrëveshje e përkohshme, pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve, që do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, para hyrjes së Serbisë e Kosovës në BE”, ka thënë Lajçak për Tanjug. “Është plani i implementimit, do të kemi të definuara qartë, se çfarë dhe në çfarë afati duhet të bëhet. BE-ja do të luajë rolin kyç në monitorimin e përmbushjes së detyrimeve”.
Të hënën do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Lajçak: Serbia dhe Kosova kanë të njëjtin status dhe të njëjtin pozicion brenda dialogut
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që propozimi të ketë mbështetjen e të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, prandaj është edhe propozim evropian. Së dyti muajt e fundit kam biseduar dhe jam takuar me ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës. Lajçak u ka thënë mediave në Serbi se normalizimi është i mirë dhe marrëdhëniet jonormale nuk janë të mira dhe nuk janë në interes as të Serbisë dhe as të Kosovës.
“Normalizimi është i mirë dhe marrëdhëniet jonormale nuk janë të mira dhe nuk janë në interes as të Serbisë dhe as të Kosovës. Kështu që gjëja e parë që marrin Beogradi, Prishtina, Serbia dhe Kosova është përmirësimi i sigurisë dhe përmirësimi i atmosferës në marrëdhëniet e tyre, përmirësimi i jetës rajonale të qytetarëve, do të forcojë stabilitetin politik. Siguria do të sjellë mundësi të reja ekonomike, sigurisht mbështetje financiare, nxitje për investime të reja dhe punësime të reja, si dhe plani ynë do të sjellë katër liri, domethënë lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, punës dhe shërbimeve, jo vetëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por në të gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë Lajçak.
Lajçak ka shtuar se ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës, sepse është e qartë se ata e ndjekin këtë proces edhe më me kujdes dhe ne folëm në detaje për propozimin tonë dhe për atë se çfarë do të thotë për ato vende. Sigurisht që nuk mund të flas në emër të asnjë shteti anëtar i Bashkimit Evropian, as nuk mund të jap asnjë detyrim apo garanci në emër të cilitdo vend anëtar, por për mua si ndërmjetësues është e rëndësishme që të gjithë ta dinë, të gjithë në Bashkimin Evropian ta kuptojnë.
“Para së gjithash, mendoj se do të ishte më mirë të flitet më pak për Asociacionin jashtë dialogut dhe në fund të fillojmë të flasim për Asociacionin brenda dialogut sepse ajo ende nuk ekziston, por të gjithë flasin për të, të gjithë flasin për atë që ata mendojnë se Asociacioni do të jetë apo nuk të jetë. Dhe çfarë do të jetë? Këtë në fakt e vendosin dy palët Serbia dhe Kosova në negociata në kuadër të dialogut dhe për këtë duhet ta fillojmë atë bisedë, vetëm dua t'ju kujtoj se Serbia dhe Kosova kanë të njëjtin status dhe të njëjtin pozicion brenda dialogut që do të thotë se ata kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat mundësi për të ndikuar në të. Cilat janë marrëveshjet dhe cilat janë rezultatet e negociatave të tyre dhe kjo duhet të shfrytëzohet”, ka theksuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.