Arbëri

Kuvendit të Fushë-Kosovës i kthehet vendimi për bonuset e zonimit

I jashtëligjshëm është vlerësuar nga niveli qendror vendimi për bonuset e zonimit i Kuvendit të Fushë-Kosovës.

Ky dokument synonte rritjen për 40 për qind të koeficientit të ndërtimeve në këmbim të parcelave private, që Komuna do t’i merrte për infrastrukturë publike.

E, përveçqë është shpallur i paligjshëm, opozita në këtë komunë ka ngritur dyshime edhe për qëllimin e ekzekutivit komunal.

“Ne mendojmë që qëllimi kryesor pse bonuset e zonimit po provohet të rregullohen me një vendim, është sepse ne dyshojmë se kanë në njëfarë forme obligime ndaj disa ndërtuesve, të cilët edhe e kanë financuar fushatën e partisë në pushtet”, tha Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Fushë-Kosovë.

“Ne jemi të bindur që ka pasur shkelje dhe që në mbledhjen e fundit Ministria veç e ka kthyer mbrapsht atë vendim. Dhe, ne si opozitë insistonim që ky vendim të shfuqizohej, meqenëse ka gjetur shkelje. Mirëpo prapëseprapë pushteti insistoi që kjo të mbetet në fuqi, për çka ne dyshojmë se ka pasur edhe presion mbi asamblistët e tyre”, tha Mirsad Qyqalla, shef i Grupit të këshilltarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë.

KOHA i ka drejtuar pyetje Komunës që nga 29 prilli, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Sipas legjislacionit në fuqi, komunat mund të miratojnë rregullore, për të përcaktuar dhe zbatuar bonuset e zonimit.

Kështu e parasheh edhe dokumenti i Hartës Zonale. Por në Fushë-Kosovë një gjë e tillë është shpërfillur, duke u tentuar që ato të bëhen vetëm nëpërmjet një vendimi.

“Aplikimi i kësaj forme të kompensimit do të ketë efekt pozitiv për Komunën, pasi që Komuna do të bëhet pronare e këtyre pjesëve të tokave, pa nevojën e pagesës së mjeteve financiare”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e këtij vendimi të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës.

Por, mendim të njëjtë nuk pati Ministria e Mjedisit. Në këtë ministri vlerësuan se akti është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Këtë vendim, Kuvendi Komunal ka pasur afat deri më 25 prill për ta shfuqizuar. Por një gjë të tillë nuk e ka bërë, për çka niveli qendror e ka paralajmëruar se do ta padisë në gjykatë.