Arbëri

Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë, vlerësohet puna e legjislativit

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Nga institucionet kosovare thanë se demokracia në vend është në një rang me shtetet tjera të botës, ndërsa nga ndërkombëtarët u vlerësua lartë kontributi i Kuvendit në këtë drejtim.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se legjislativi çdo ditë synon që të promovojë vlerat e demokracisë.

“15 shtatori shënon Ditën ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara si ditë që shënohet progresi në Kosovë si dhe vlerat demokratike që i realizojmë në qeverisje. Kuvendi i Kosovës edhe në ditët tjera synon që ta promovojmë demokracinë, e synon që ta bëjmë sa më transparencë”, tha Konjufca.

Drejtoresha e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, konsideron se për këto vite të pasluftës është bërë shumë punë në shtet ndërtimin e Kosovës.

“Unë kam qenë pjesë e administratës së ish- presidentit Bush, dhe ta shohësh sesa ka arritur Kosova për 20 vite është me të vërtetë e mrekullueshme. Jemi krenar për punën e forumit që ka punuar në forcimin e demokracisë. Jemi krenar me mbështetjen e USAID dhe Kosova është bërë një nga shtetet parlamentare demokratike në botë”, tha ajo.

Koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, foli për lirën e medieve dhe tha se është e rëndësishme që bashkërisht t’i luftojmë lajmet e rrejshme.

“Tema është shumë e rëndësishme për Ditën e Demokracisë dhe dua të theksoj rëndësinë e një medie të lirë e pavarur. Tema e lirisë së medieve është mesazhi i parë, duke e parë rëndësinë që duhet bashkërisht t’i luftojmë lajmet e rrejshme e dukuri tjera negative dhe është e rëndësishme se Kosova është duke e shënuar ditën ndërkombëtare për personat me nevoja të veçanta”, tha ajo. /EO