Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi Komunal i Mitrovicës shkarkon kryesuesin Ujkani

Kuvendi Komunal i Mitrovicës në një mbledhje urgjente të thirrur nga kryetari i qytetit, Agim Bahtiri, ka shkarkuar kryesuesin e Kuvendit, Jeton Ujkanin.

Nën drejtimin e kryesuesit, Jeton Ujkani, e në prani të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, nënkryetarit, Faruk Mujka, dhe këshilltarëve të kuvendit të komunës, është mbajtur mbledhja e 15-të e rregullt e Kuvendit të Komunës.

Kryetari Bahtiri ka propozuar shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të Komunës. Në momentin kur është propozuar shkarkimi i kryesuesit, Jeton Ujkani, PDK dhe AAK e kanë lëshuar mbledhjen ndërsa kryesuesi Ujkani e ka ndërprerë seancën.

“Më pas kryetari Bahtiri ka thirrur mbledhje urgjente pas një ore, ku si pikë e vetme e rendit të ditës u caktua shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal. Seanca urgjente, nën udhëheqje të asamblistit më të vjetër, Kujtim Prekazi, me mbështetjen e grupit të këshilltarëve të LDK-së si dhe me votat e gjithsej 19 asamblistëve sa ishin të pranishëm në këtë mbledhje u shkarkua kryesuesi i kuvendit Jeton Ujkani”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.