Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi kërkon nga Qeveria të shkurtojë planin e avancimit të FSK-së

Kuvendi i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të përshpejtojë planin e avancimit të Forcës së Sigurisë në ushtri të rregullt, pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe ngritjes së shqetësimeve për shkak të ndikimit që Rusia ka në Ballkan përmes Serbisë.

Të enjten, Kuvendi miratoi një rezolutë që dënon agresionin rus ndaj Ukrainës. Ndër tjerash aty kërkohet të pranohen pesë mijë refugjatë, e që Kosova të aplikojë për pranim në organizata ndërkombëtare.

Ndër pikat ka qenë edhe që Kosova të shkurtojë afatet e parapara për avancim të Forcës së Sigurisë në ushtri të rregullt, sipas planit të caktuar më 2018.

Për këtë, Kuvendi ka kërkuar që Qeveria të sigurojë edhe mbështetjen financiare.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë, të rishikojë dhe shkurtojë afatet e parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin e mbështetjes financiare për këtë qëllim”, thuhet në pikën 10 të rezolutës.

Edhe Parashihet kompensim për ushtarët e FSK-së që lëndohen, humbin jetën apo gjymtohen Arbëri Parashihet kompensim për ushtarët e FSK-së që lëndohen, humbin jetën apo gjymtohen

Më 1 mars, Qeveria themeloi Fondin e Sigurisë në të cilin i ka ftuar qytetarët e bizneset të kontribuojnë për “sigurinë shtetërore”.

Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria ka ndarë 100 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes.