Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nuk e kanë miratuar propozim-rregulloren për menaxhimin e mbeturinave. Nga 27 anëtarët e pranishëm në vazhdimin e seancës së fundit të KK-së, 13 anëtarë kanë votuar kundër aprovimit të këtij akti komunal, derisa 12 kanë votuar për dhe 4 tjerë kanë abstenuar. Ndërkaq përplasjet verbale mes kuvendarëve opozitarë dhe Ekzekutivit kanë vijuar edhe pas këtij votimi, që janë përmbyllur pas intervenimit të kryesuesit të seancës.
Në fillim të shqyrtimit të propozim-rregullores për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prizrenit, fjalën e ka marrë drejtori i Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi. “Gjatë këtyre viteve të menaxhimit të mbeturinave Komuna respektivisht operatorët kanë has në vështirësi të radhës që është dashtë me u përcjellë në një rregullore që i definon pak më saktë disa raporte të menaxhimit të mbeturinave, në raport me qytetarin edhe në raport me mjetet dhe llojet e mbeturinave që do të menaxhohen”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë aspekt ka pas edhe vërejtje nga Zyra Kombëtare e Auditimit, sa i përket fshirjes apo ngarkimit të obligimeve për qytetarët lidhur me menaxhimin e mbeturinave.
“Kjo rregullore besoj i trajton më detajisht edhe i përcakton më saktësisht ato obligime në raport me qytetarin edhe në raport me obligimet e operatorëve dhe për ndarjen e mbeturinave”, ka deklaruar Krasniqi para kuvendarëve.
Ndërsa Laura Suka nga sektori i mjedisit në DSHP ka bërë të ditur se me rregulloren e re po plotësohet rregullorja ekzistuese. Karanfil Haxhillari i VV-së ka kërkuar sqarime për dispozitat që do të ndryshohen. Suka ka theksuar se ndryshimi bazik ndërmjet rregullores dhe propozim rregullores qëndron në disa dispozita. “Kriteri i parë është kalimi nga 54 euro në 12 euro për amvisëritë që jetojnë jashtë, për të cilën ka pas vërejtje nga Auditori. Edhe disa shërbime janë në përmirësim, pasi gjatë këtyre viteve kemi marrë ankesa dhe dukuritë që janë shfaq që nuk janë parapa janë përfshirë në rregulloren e re, si llojet e shërbimet, por më shumti fokusimi është te pagesat”, është shprehur ajo.
Ilir Baldedaj i AAK-së ka shprehur bindjen se nuk ka qenë faji i rregullores që “Prizreni është mbushur me mbeturina”. “Nga qyteti më i pastër sot Prizreni është bërë qyteti më i papastër”, ka thënë Baldedaj, duke paraqitur vërejtjet për larjen e pastrimin e rrugëve, sikurse edhe për mbeturinat në qendër të qytetit.
Simir Krasniqi i PDK-së ka theksuar se sa i përket menaxhimit të mbeturinave, Komuna e Prizrenit ka marrë vërejtje nga ZKA-ja, sidomos sa i përket faljes së borxheve te taksat për menaxhimin e mbeturinave, ndërkohë që ka shprehur brengën edhe për gjendjen e deponisë në Landovicë.
Drejtori i DSHP-së, Osman Krasniqi ka shprehur qëndrimin se në rend dite është propozim-rregullorja dhe jo diskutimi për gjendjen e veprimit të operatorëve apo Komunës në periudha të caktuara.
“Tema e rendit të ditës është diskutimi për rregulloren, prandaj ju kisha lutë me u koncentru në atë që shkruan në rregullore”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se çështje të caktuara që nuk i ka përmbajtur rregullorja kanë qenë subjekt i vërejtjeve të ZKA-së.
Sipas tij rregullorja në fjalë është përplotësuar “për me i dhënë autoritet dhe fuqi personelit që punon në sektorin e mjedisit që me i trajtua çështjet në mënyrën e duhur dhe mos me ngel financiarisht të pa trajtuara”.
Ilir Baldedaj i AAK-së ka pohuar se kur flitet për këtë rregullore, duhet folur edhe për gjendjen e tanishme të qytetit, që sipas tij nga një qytet model për menaxhimin e mbeturinave ka degraduar në qytet të papastër.
Mirëpo drejtori Krasniqi sërish ka insistuar që vërejtjet të adresohen lidhur me përmbajtjen e propozim-rregullores, pasi sipas tij për vërejtjet tjera mund të diskutohet në seancat tjera.
Pas diskutimeve propozimi është vënë në votim, dhe kryesuesi Sulltan Badalli ka konstatuar se nuk është miratuar për një votë dallim.
Pas përfundimit të votimit për këtë pikë të rendit të ditës, drejtori Krasniqi ka kërkuar që të vlerësohet ligjshmëria e pjesëmarrjes dhe votimit në KK të kuvendarit Baldedaj, pasi ai nuk është certifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet komunale të këtij viti.
Lidhur me këtë ka reaguar Shukri Quni i Nismës, duke theksuar se Baldedaj është zgjedhur para 4 vitesh. Ilir Baldedaj ka pohuar se nuk është certifikuar për shkak të një aksidenti në trafik, dhe sipas tij rast të ngjashëm ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka vazhduar përplasjen verbale, derisa Krasniqi ka kërkuar nga kryesuesi që të mos lejojë ofendime në KK. Ndërkaq Haziz Hodaj i LDK-së ka akuzuar Ekzekutivin për tentim të vazhdueshëm të njollosjes së KK-së, derisa sipas tij ky Ekzekutiv do të mbahet në mend si më i degraduari i Prizrenit. Debatin e ka përmbyllur kryesuesi Badallaj duke theksuar se diskutimet e kësaj natyre nuk kanë fund.