Lista e veçantë e pronave të paluajtshme të Komunës së Prizrenit që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2022 nuk është miratuar nga anëtarët e Kuvendit të Komunës. Kuvendarët opozitarë që përbëjnë shumicën në këtë organ kanë bërë të ditur se kundërshtimi i tyre për këtë propozim-vendim vjen si rezultat i veprimeve të mëhershme të Ekzekutivit lidhur me pronat komunale që janë shfrytëzuar nga partitë politike.
Në mbledhjen e pestë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për vitin 2021, Gursel Skenderi nga Sektori i pronës ka pohuar se miratimi i listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2022 është akt i nevojshëm sipas legjislacionit në fuqi.
“Nëse nuk votohet, nuk merret konfirmimi për ligjshmëri gjatë dhënies në shfrytëzim, si dhe në vitin e ardhshëm 70 për qind të shfrytëzuesve të lokaleve u skadon kontrata”, ka thënë ai.
Por, kuvendarët nga radhët e opozitës kanë kundërshtuar miratimin e këtij propozim-vendimi, pasi sipas tyre, në këtë listë figurojnë edhe ish-zyrat e partive politike.
“Çka më ka irrituar dhe çka më ka zhgënjyer dhe çka po më shtyn mos me votu për, është se e pashë një deklaratë të kryetarit, ku tha se zyrat e partive politike po u kthehen qytetarëve, popullit. Nuk di këto parti politike a s’qenkan popull, a jemi jashtëtokësorë, a ku veprojmë... Edhe na jemi popull, kemi vepruar për këtë popull, për këta qytetarë, ashtu çfarë jemi, ashtu si na kanë votuar...Tani qysh po i shfrytëzon populli ato, a ka ndonjë procedurë? A ka ndonjë rregull? Edhe arsyeja e mos votimit është pikërisht për zyrat e partive politike, sepse është bërë një lojë e pandershme. Vjet kemi kërkuar me marrëveshje me kryetarin e komunës i kemi hequr këto zyra nga lista dhe e kemi votuar listën, në mënyrë që në ndërkohë me u marrë vesh për shfrytëzimin e zyrave. Pastaj është bërë një spektakël medial, me polici, gjoja po i qesim nga zyrat, se kishe ne jemi pushtet. Natyrisht e kanë treguar formën e vet të pushtetit, nuk ka dilemë. Por mënyra si është vepruar është jokorrekte, jo e ndershme dhe na obligon mos me votu këtë listë”, ka thënë Hodaj.
Ilir Baldedaj i AAK-së ka pohuar se subjekti i tij nuk e mbështet miratimin e propozim-vendimit, për shkak të qasjes së Ekzekutivit në çështjen e ish-zyrave të partive politike.
“Si AAK nuk e mbështesim. Kemi qenë në takim me kryetarin e komunës, dhe kemi biseduar për zyrat e partive politike. Por, këta janë vërtet të pabesë, sepse të gënjejnë në sy. Krejt tjetër send na kanë thënë në takim, gjoja se po duan me mbyllë lëndën në prokurori, se po dojnë me akuzua kryetarin. Na kanë thënë veç bëjeni procesverbalin, dhe nuk do të merremi me zyrat tuaja. Por, çka kanë bërë, kanë ardhur me polici, kanë bërë spektakël. E dinë shumë mirë edhe sektori i pronës, se ka mijëra prona të uzurpuara që këta nuk i marrin as qira as kurrgjë, por ju kanë mbetur sytë te disa zyra të partive politike, gjoja se po i lirojmë”, ka deklaruar Baldedaj.
Sadije Osaj-Jakupi (LDK) ka pohuar se në ish-zyrat e LDK-së është vendosur mbishkrimi “Librari” dhe se në lokalin fqinj mbishkrimi “Artizanatet”. “Ju kanë caktuar titujt, por a janë dhënë ato lokale apo çka është bërë me to?”, ka pyetur ajo.
Gashi nga radhët e VV-së ka kërkuar nga të gjithë kuvendarët që ta miratojnë këtë vendim, pasi sipas tij, partitë politike kanë mundësi financiare për të paguar qiratë për zyrat e tyre, dhe se nuk duhet ti shfrytëzojnë jashtëligjshëm pronat komunale.
Kryesuesi Sulltan Badalli ka ndërhyrë duke theksuar se partitë politike nuk i kanë shfrytëzuar jashtëligjshëm pronat komunale, por s’e këtë kanë bërë “në bazë të një vendimi të këtij Kuvendi”.
Edhe Simir Krasniqi i PDK-së ka pohuar se ka ekzistuar një vendim i KK-së për zyrat e partive politike dhe sipas tij, zotimi ka qenë që ato të lirohen pas zgjedhjeve komunale dhe jo në mënyrën si ka vepruar Ekzekutivi komunal.
Shukri Quni nga radhët e Nismës Socialdemokrate ka theksuar se asnjëra prej partive politike nuk ka shkelur ligjin pasi zyrat i kanë shfrytëzuar në bazë të një vendimi të KK-së së Prizrenit.
Në të njëjtën kohë, kuvendari Ilir Baldedaj është përplasur me këshilltarin Ilir Gashi, duke e akuzuar për jokorrektësi në këtë pikë dhe mos reagim ndaj uzurpimeve të pronës komunale.
Gashi i VV-së para kuvendarëve ka përmendur parimin “Mos e thoni atë që nuk e veproni”, duke aluduar në atë që partitë politike nuk mund ta kërkojnë lirimin e pronave të uzurpuara nga individët dhe grupet e caktuara, pa i liruar pronat që vetë partitë politike i mbajnë në kundërshtim me ligjin.
Baldedaj ka përsëritur qëndrimin se partitë politike nuk kanë qenë uzurpatore dhe se vendimi i KK-së i vitit 2005 është ende në fuqi.
Dafina Alishani e VV-së, duke shprehur keqardhjen për devijimin e debatit në diskutime personale, ka kërkuar votimin e listës me arsyetimin se këto prona në vitin 2022 nuk mund të jepen në shfrytëzim pa këtë vendim, dhe se mbeten të bllokuara si për bizneset, ashtu edhe për OJQ-të.
“Duke dashur që t’i hakmerreni Ekzekutivit, po e pësojnë qytetarët”, ka thënë ajo.
Pas diskutimeve, shumica e kuvendarëve prezentë kanë votuar kundër miratimit të këtij propozim-vendimi.
Komuna e Prizrenit në muajin prill të këtij viti pati ndërmarrë veprime për lirimin e pronave komunale që shfrytëzoheshin nga partitë politike prej shumë vjetësh.
Një javë më parë, në rrjetet sociale, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se këto prona komunale tani po kthehen në shërbim të qytetarëve.
“Objektet e Komunës së Prizrenit, që janë përdorur duke u paguar vetëm nga “1 euro”, e madje edhe pa kontrata nga ana e partive politike, tashmë i kemi liruar dhe po ia kthejmë komunitetit. Këto hapësira në qendër të qytetit, tani po i shndërrojmë në hapësira komunale për promovimin e produkteve vendore e artizanale, promovimin e turizmit dhe realizimin e aktiviteteve kulturore. Po ashtu, këto objekte do të jenë në shërbim të atyre që kanë nevojë më së shumti, personave me nevoja të veçanta, pensionistëve, por edhe të libërdashësve”, pat njoftuar ai.
© KOHA.