Para pak çastesh ka nisur vazhdimi i seancës, që është e fundit për këtë vit.
Në rend dite për votim janë edhe pesë projektligje. Por, edhe me votimin e kthimin e tyre në ligje, Kuvendi i Kosovës do të mbyllë vitin 2021, si më dembeli në rajon.
Gjatë vitit 2021, janë miratuar vetëm 36 ligje, sipas "votaime.org", apo 31 për qind e agjendës legjislative për këtë vit.
Vendet e rajonit kanë miratuar shumë më tepër ligje gjatë vitit që po shkon.
Maqedonia e Veriut është kampione, me 209 ligje të miratuara.
"Prej gjithsej 59 seancave plenare të mbajtura në këtë mandat nga fillimi i kësaj përbërjeje parlamentare, 39 seanca janë të përfunduara plotësisht. Seanca plenare të papërfunduara janë gjithsej 20. Gjithsej ligje të nxjerra në vitin 2021 janë 209, prej të cilave me procedurë të rregullt janë miratuar 111 ligje, me procedurë të shkurtuar janë miratuar 79 ligje", ka thënë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Pas Maqedonisë, më së shumti ligje ka miratuar Kuvendi i Serbisë – 191, bëhet e ditur në uebfaqen e këtij institucioni.
"Që nga konstituimi i kësaj përbërjeje parlamentare, më 3 gusht 2020, janë miratuar 241 ligje dhe 159 akte të tjera dhe vetëm 19 ligje janë miratuar me procedurë të përshpejtuar. Procedura urgjente ishte një nga arsyet kryesore pse Parlamenti Evropian na kritikoi dhe ne e ndryshuam atë, pra vendosëm praktikën që procedura emergjente të përdoret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme”, tha kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë më 2021 ka miratuar 130 ligje, bazuar në të dhënat në uebfaqen e legjislativit të Shqipërisë.
Për Malin e Zi, vendin e njohur për përtaci sipas legjendave, nuk ka të dhëna të detajuara për punën e Kuvendit, por sipas disa raportimeve të mediave të këtij vendi, ka më pak ligje të miratuara se Kosova.